E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo dorëzon titullin?

Në fakt, është ende shpejt për të nxjerrë një përfundim të tillë – do të dukej alogjik kur kanë mbetur edhe 19 ndeshje kampionat, e Dinamo ndodhet vetëm shtatë pikë larg Flamurtarit kryesues e katër kundrejt Skënderbeut të vendit të dytë, dy prej skuadrave më të financuara të këtij sezoni, i pari me një buxhet prej 65 milionë lekësh dhe i dyti, 150 milionë lekësh

Ajo që të alarmon – jo pak – nga situata që po zhvillohet te (dhe rreth) Dinamos, është indiferenca me të cilën kampionia në fuqi po e përjeton ecurinë negative në pesë javët e fundit.

Vetëm 2 pikë nga 15 të mundshmet janë shumë pak për një skuadër që numëron 18 tituj kampionë e me një trajner që vjen nga Argjentina, një tokë ku futbolli është një fe.

Kriza financiare – stafi teknik nuk paguhet që nga muaji korrik, lojtarët qysh nga muaji gusht – është ajo që po “bluan” Dinamon e këtij edicioni, aq sa “simotra” e sezonit të kaluar, e që fitoi titullin me përfundimin e fazës së dytë duket si një kujtim i largët.

Dinamo ka humbur tre nga pesë ndeshjet e fundit, duke mos fituar asnjë ndeshje prej tyre, dhe pavarësisht se mund të justifikohet se ka humbur ndaj dy ekipeve kryesuese: Flamurtarit e Skënderbeut, e së fundi me Teutën, fakti që ka barazuar Laçin dhe Besën flet shumë.

Për më tepër që në konferencat e shtypit duket një Luis Manuel Blanko i pashqetësuar dhe për më tepër indiferent, e që pranon se ka një ndryshim të madh ndaj Dinamos në letë dhe asaj në fushë, pasqyron më së miri krizën që ka mbërthyer një skuadër të tërë të papaguar dhe fatin e tij të paqartë.

Për ta përkeqësuar më tej situatën, por dhe prishur humorin e presidentit blu, Besnik Sulaj, vjen dhe njoftimi i FIFA-s që detyron – në rast mosgjetjes së argumenteve – edhe pagimin e 35 mijë eurove ndaj shqiptaro-kroatit Pllumb Jusufi, sulmuesit që luajti te Dinamo në sezonin 2008-2009 (ish-lojtar i Kastriotit në sezonin 2009-20010).

Ndëshkimi i Elbasanit me gjobë për mospagimin e lojtarit Darko Periç dhe me - 3 pikë në renditje, është sinjali më i keq për Dinamon, për ta kuptuar qartë se qeveria e futbollit botëror nuk fal.

Në rast se në Elbasan, drejtuesit e lartë të klubit verdheblu morën një mësim (të mirë apo të keq) nga lojtarët titullarë që e bojkotuan për pesë ditë stërvitjen derisa morën pagat e tyre të prapambetura, te Dinamo – gjithmonë në rolin e një “nëndetëse” – duket se kjo protestë apo revoltë nuk do të ndodhë.

Gjatë presidencës së tij, Besnik Sulaj, ka fituar 3 tituj kampionë me Dinamon: 2001-2002 (trajner Faruk Sejdini), një titull i minutave të fundit, gol i Asllanit në minutën e 92-të ( dhe me 1 pikë më shumë se Tirana); 2007-2008 (trajner Ilir Daja) në një finale me Partizanin, e të fituar 2-1 edhe pse blutë luajtën pjesën e dytë me nëntë lojtarë – por me shumë zhurmë në lidhje me performancën tejet të dobët të disa prej titullarëve të kuq dhe së fundi në sezonin 2009-2010, po me një fazë të tretë ku regjistroi 8 humbje në 11 ndeshje.

Ajo që të gjithë i shqetëson në kampin blu është pikërisht heshtja – gjithmonë e tillë – e presidentit Besnik Sulaj dhe ortakëve të tij.

Një heshtja që ka mbuluar gjithmonë problemet e këtij edicioni te Dinamo, por që në janar do të largojë andej nga kanë ardhur – 12 mijë km larg – trajnerin Blanko, ndihmësin e tij, Konenan si dhe dy lojtarët argjentinas, Martinena dhe Garsia, largime këto në planin emergjent të kursimeve të të paktën 20 mijë eurove, sipas llogarive që ka bërë media.

Dinamo nuk ka qenë klubi i vetëm në krizë financiare gjatë këtij edicioni. E tillë situata ka qenë edhe te klubi tjetër i kryeqytetit, Tirana, por dhe te Elbasani. Te Shkumbini, pas largimit të ish-presidentit Ylli Ndroqi – për të flitet se mund të marrë Tiranën - garantohet paga deri në fundin e këtij viti.

Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter

E Hene, 13 Dhjetor 2010

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›