E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo drejt Sllovenisë, sot miqësorja me Palermon

Faza përgatitore

E ka mbyllur me fitore 1-0 aventurën në turin e dytë Champions League, ku gjithsesi iu desh t’i nënshtrohej fatit të humbjes 3-1 në ndeshjen e parë në transfertë ndaj Sherif Tiraspolit. Po tashmë gjithçka është hedhur prapa krahëve. Kampionët e Shqipërisë mendojnë për sezonin e ardhshëm, ku si detyrë kryesore kanë të mbrojnë kurorën e fronit të më të mirit edhe në edicionin 2010-2011. Për këtë arsye ata janë nisur dje drejt Sllovenisë ku do të zhvillojnë pjesën e dytë të fazës së tyre përgatitore. Trajneri Blanko gjatë pauzës mes ndeshjeve të Champions League dhe rinisjes së përgatitjeve, ka menduar të përforcojë ekipin me disa elementë të rëndësishëm. Por më të përfolurit e ditëve të fundit kanë qenë afrimi i lojtarëve të Kombëtares, Dorian Bylykbashi dhe Ervin Bulku. Ndërsa i pari është vetëm një hap larg veshjes së bluzës blu, i dyti duket se ka zgjedhur t’i besojë zemrës së tij bardheblu, edhe pse klubi i Tiranës po kalon një moment të paqartë financiar dhe jo vetëm. Gjithsesi për dinamovitët ky është vetëm një “detaj? Sot, në Slloveni, bardheblutë do të luajnë miqësoren e parë të luksit, ndaj Palermos së Serisë A, ndërsa në ditët në vazhdim i presin edhe dy miqësore të tjera prestigjioze, ndaj spanjollëve të Real Sociedadit dhe portugezëve të Nacionalit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›