Berisha rikthehet ambicioz, pret ftesë nga Josip Kuzhe
Ka debutuar në kombëtaren e Shqipërisë, duke lënë një përshtypje se ishte një nga talentet më premtuese të së ardhmes kuqezi. Por burokracitë e aktivizimit të tij në klubet ku ka zgjedhur të luajë dhe aktivizimet e pakta, shumë shpejt e kanë nxjerrë jashtë rezes së Kombëtares sonë. Pas atyre momenteve magjepse me bluzën e përfaqësueses, ai u detyrua t’i nënshtrohej përzgjedhjeve të trajnerëve të ndryshëm, të cilët vendosën ta linin jashtë. Por, dita-ditës, gjatë fazës përgatitore të kësaj vere në radhët e Arminias së Bielefeldit, ai i është rikthyer formës së tij të dikurshme. Në dy ndeshjet e fundit miqësore që i ka zhvilluar skuadra e tij, 25-vjeçari ia ka dalë t’i realizojë pesë gola, duke e lënë kështu të mahnitur trajnerin e tij, por edhe zyrtarë të tjerë të klubit gjerman. Ai thotë se ky është veç fillimi, duke besuar se shumë shpejt do ta mbërrijë në formën optimale të tij. “Po kaloj në një formë shumë të mirë dhe dita-ditës po shkoj duke u ngritur. Trajneri është i befasuar me formën time, por edhe zyrtarët e tjerë të klubit. Jam i bindur se do të vazhdoj kështu dhe do të mbërrij në formën optimale”, ka deklaruar Berisha për “Express”. Ky fakt i ka shtuar ambiciet e kosovarit, i cili nuk ka e ka quajtur kurrë të humbur bluzën e kombëtares. Falë kësaj forme, Berisha shpreson se do të rifitojë përfaqësuesen, e cila e ka harruar prej një kohe jo të shkurtër. Ish-sulmuesi i Hamburgut mbetet me shpresë, se trajneri Josip Kuzhe do ta thërrasë atë për ndeshjen miqësore të 11 gushtit, që Shqipëria do të luajë në Tiranë ndaj Uzbekistanit, në prag të eliminatoreve për Euro 2012. “Akoma nuk kam biseduar me trajnerin Kuzhe. Shpresoj që ata ta shfrytëzojnë këtë formë time të mirë, duke më ftuar në Kombëtare. Do të ishte mirë, që Kombëtarja të ma jepte rastin për t’u dëshmuar”, theksoi Berisha. Forma aktuale e tij e mirë nuk ka kaluar pa u vënë re. Vetë Berisha konfirmon se për të po interesohen disa klube nga Turqia, Rusia dhe nga Bundesliga 2 gjermane. Por më këmbëngulëse në këtë mes po tregohet skuadra turke Trabzonspor, e cila po e mban prej kohësh nën vëzhgim shqiptarin.
#