Ervin Bulku, 99.9 për qind vishet bardheblu
Ervin Bulku do të jetë përforcimi i bujshëm i Tiranës në merkaton e verës. Drejtuesit e klubit e japin thuajse të sigurt afrimin e mesfushorit të Kombëtares shqiptare në radhët e bardhebluve. 29-vjeçari është një “prodhim” i akademisë bardheblu dhe pas eksperiencës trevjeçare në Vyscha Liga-n ukrainase, ai është i gatshëm të rikthehet në Kategorinë Superiore shqiptare, ku natyrisht që do të mbajë derën të hapur për një tjetër ofertë nga jashtë vendit. Pasi është stërvitur gjatë këtyre ditëve me skuadrën e drejtuar nga Sulejman Starova, Bulku po vazhdon fazën përgatitore me Tiranën edhe në Pukë. Sipas burimeve pranë klubit, me 99.9 për qind ai do të luajë me 24 herë kampionët e Shqipërisë gjatë sezonit të ri, ndërsa presidenti Halili nënvijëzon faktin se shanset që marrëveshja të mos arrihet janë fare minimale, për të mos thënë të papërfillshme. Drejtuesi bardheblu theksoi se askush në Shqipëri nuk mund t’i marrë Tiranës ata lojtarë që e duan këtë klub. “Ervin Bulku po stërvitet me Tiranën dhe do të jetë i Tiranës me 99.9 për qind. Nuk ka lindur ende askush që mund t’i marrë Tiranës, lojtarët që duan vetëm këtë skuadër. Ne kemi më shumë se një muaj që po zhvillojmë negociatat me lojtarin. Ju garantoj se Bulku do të jetë vetëm lojtar i Tiranës”. I larguar drejt Ukrainës në vitin 2007, Bulku pritet të pranojë ofertën e klubit bardheblu, me vlerë 45 mijë euro për edicionin 2010-2011, ku natyrisht mbetet opsioni për t’u larguar me parametër zero në një skuadër europiane.
Ndërkohë, pavarësisht “fërkimeve” ndërmjet drejtuesve, Tirana nuk kërkon të ndalet me kaq. Halili pretendon të afrojë në ekip edhe kapitenin e Kombëtares, Ervin Skela dhe mesfushorin me tipare sulmuese, shkodranin Gilman Lika, të dy lojtarë pa skuadër. Nëse do të pranojë ofertën e bardhebluve, Skela do të përfitojë 110 mijë euro në sezon. Fantazisti kuqezi vazhdon të kërkojë një skuadër në ligat gjermane, spanjolle apo edhe në Arabinë Saudite, por nëse ai nuk arrin të firmosë një kontratë profesioniste jashtë vendit, Tirana mbetet një opsion konkret. Presidenti Halili shton se merkato nuk ka qenë asnjëherë e mbyllur: “Me gjithë problemet e fundit brenda klubit, për të cilat nuk kam dëshirë të flas, mund t’ju them se merkato e Tiranës nuk ka reshtur asnjëherë. Aktualisht jemi në negociata edhe me një futbollist kualitativ nga Lituania, i cili shumë shpejt pritet të nënshkruajë kontratën me Tiranën. Po ashtu ne synojmë të ofrojmë edhe lojtarë të tjerë”. Në anën tjetër, në radhët e skuadrës vazhdon problemi me “senatorët” që kanë kërcënuar me largim, për shkak të kufizimeve në financa, të vendosura nga shefi i klubit, Rauf Dimraj. Ahmataj, Nallbani, Osmani dhe Lila ende nuk kanë firmosur kontratat e reja, edhe pse pritej që një gjë e tillë të ndodhte dje.
#