E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo e Elbasani ndajnë pikët, Besa fluturon

Nga Dash Frashëri
Albania-sport - Dinamo e Rudit Jupit shënoi e para me anë të zëvendësuesit Artion Poci në të 65' (asist i Klodian Arbërit), por kampioni në fuqi, Elbasani, ia doli të merrte pikën e cmuar edhe pse luajti nga minuta e 70 me dhjetë lojtarë pas ndëshkimit të mbrojtësit të verdhebluve, Tefik Osmanit . Penalltia e realizuar nga 25-vjecari Albert Kaci në minutën e 77' siguroi barazimin e cmuar, dhe pikën e katërt për Elbasanin në dy ndeshjet e fundit, kur trajneri impulsiv Edmond Gëzdari nuk ka qenë në bankinë. Nëse në ndeshjen e paraardhëse (java e fundit e fazës së parë), Elbasani fitoi me Besën (1-0) në shtëpi pasi Gëzdari ishte larguar me karton të kuq, tani në javën e parë të fazës së tretë kundër Dinamos (1-1) në kryeqytetet, trajneri elbasanas e drejtoi në 90 të plota nga tribuna sipër bankinës së ekipit të tij. Edhe pse në pragndeshje, gjatë gjithë javës Elbasani kishte paralajmëruar edhe bojkotimin e takimit me Dinamon, formacioni verdheblu u paraqit në "Selman Stërmasi" (thuajse i boshatisur) për të arritur një fitore, kjo edhe për shkak të mungesave të shumta të Dinamos për shkak të gjendjes shëndetësore, pezullimeve për shkak të kartonave të kuq dhe të verdhë dhë ndëshkimeve disiplinore të vetë klubit blu. Takimi u shoqërua nga fragmente loje nervozizmi dhe tensioni në fushë prishi jo pak rrjedhshmërinë e lojës, madje edhe ndalimin e takimit për në një periudhë kohore për më shumë se 5 minuta, kjo dhe për shkak të impenjimit agresiv të dy skuadrave dhe kërkimit të pikëve të plota, nga dy formacione që synojnë si objektiv maksimal Kupën Intertoto. Pjesa e parë e bardhë 0-0, me shumë impenjim në mesfushë por me asnjë rrezik real në portat respektive. Fraksioni i dytë i lojës pati ngjyra futbollistike, ku protagonist në fushë ishte dhe gjyqtari lacian Sokol Cekaj, teksa nuk e konsideroi si të tillë një pengim të kroatit Darko Peric në zonën e Dinamos, ndërsa në të 76' do të ishte Peric që do të bindte Cekajn se penalltia e mohuar disa minuta më parë, nuk mund të refuzohej sërish. Shkodrani Albert Kaci ekzekutoi teknikisht topin për të konfiruar rezultatin 1-1 dhe për t'i ngjitur dy ekipet në kuotën e 32 pikëve, por me një Besë përpara që konfirmoi se fitorja e pestë rresht në kampionat, kësaj radhe Flamurtarin (2-0) e shfaq atë si një pretendente të fortë për vendin e dytë. PËRBALLJET DINAMO-ELBASANI NË SEZONIN 2006-2007 FAZA E PARË Java 6, 14 tetor 2006 Elbasani-Dinamo 1-0 Shënues: Zoran Kastel 61' autogol FAZA E DYTË Java 17, 23 dhjetor 2006 Dinamo-Elbasani 2-1 Shënues: El Hadji Goudjabi 47', Klodian Arberi 81'/ Gentian Stojku 41] FAZA E TRETË Java 23, 10 mars 2007 Dinamo-Elbasani 1-1 Shënues: Artion Poci 65'/ Albert Kaci 76 (9p) BILANCI MIDIS EKIPEVE 108 ndeshje; 48 fitore Dinamo, 41 barazime, 19 fitore Elbasani. Golat 160-89.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›