E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo jep 1 milion euro

Fatos Beqiraj me një këmbë tashmë është te Dinamo Zagreb. Sipas mediave kroate, gjiganti kroat pritet të përforcojë repartin ofensiv të ekipit me transferimin e sulmuesit kosovar me nënshtetësi malazeze, i cili tash e tri vjet është pjesë e Buduçnostit.

22-vjeçari në Maksimir pritet të formojë tandem sulmues me Ante Rukavinën. Sipas të përditshmes kroate, Vecernji List, për transferimin e Beqirajt në Dinamo Zabreg ka mbetur të tejkalohet vetëm edhe një pengesë.

Krerët e klubit kroat dhe atij malazez thuhet se kanë arritur marrëveshje për vlerën e dëmshpërblimit të Beqirajt dhe bëhet fjalë për 1 milion euro. Mirëpo, ka mbetur të sqarohet mënyra e pagesës.

Dinamoja dëshiron të paguajë Beqirajn në tri këste (dy herë nga 300 mijë euro dhe një herë me 400 mijë euro), ndërsa Buduçnosti i kërkon të gjitha paratë përnjëherë.

Me gjithë kërkesat e ndryshme rreth çështjes financiare, transferimi i Beqirajt në Dinamo nuk vihet në dyshim. Këtë e dëshmon edhe fakti se trajneri i Dinamos, Velimir Zajec tashmë ka krijuar vend për kosovarin në zhveshtoren e ekipit duke huazuar sulmuesin brazilian, Dodo te rivali nga kampionati kroat, Lokomotiva Zagreb.

Beqiraj përsëri ishte përcjellë nga skautët e Dinamos në ndeshjen e rrethit të tretë kualifikues për Europa League, kundër skuadrës daneze, Brondby. Ekipi i tij u mposht 2-1, por Beqiraj realizoi golin e vetëm, ndërsa edhe disa herë të tjera kërcënoi portën e kundërshtarit.

Ai në vitin 2007 nga Besa e Pejës është transferuar në Buduçnost. Anëtari i përfaqësueses së Malit të Zi me klubin nga Podgorica ka zhvilluar mbi 90 ndeshje, derisa ka arritur të realizojë rreth 50 gola.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›