E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, kampione e vendit

Dinamo shpallet kampione e Shqipërisë në futboll. Ekipi arriti të mundë Partizanin, pas një ndeshjeje që nuk justifikoi aspak finalen e dy më të mirave të kampionatit shqiptar. Ndeshja, e cila u ndoq me një interes mjaft të madh nga tifozët, të cilët për herë të parë pas vitesh kishin mbushur një stadium, ishte e një niveli të ulët. Dinamo shënon një gol që në nisje të takimit, pas një penalltie të dhënë nga gjyqtari italian, Tavaljento, duke e vënë në vështirësi Partizanin, të cilit i duhej me domosdo fitorja për të qenë kampion. Partizani u përpoq pas kësaj penalltie të barazojë dhe ia doli në fund të pjesës së parë ta bëjë këtë gjë, por pa bindur aspak në lojë. Në të vërtetë edhe Dinamo, ndonëse më pak nën presion, zhvilloi një lojë të dobët, çka thjesht demostroi nivelin e futbollistëve të kampionatit tonë dhe nivelin e kampionatit tonë në tërësi. Gjatë pjesës së dytë, loja ishte nervoze dhe për këtë shkak Dinamo mori dy kartonë të kuq, pasi më herët kishte marrë disa të verdhë. Partizani nuk mundi për asnjë rast të rrezikojë Dinamon, ndonëse me dy lojtarë më tepër. Kjo ishte paraqitja më e dobët e një mëtuesi për të fituar titullin kampion, duke qenë se luante me dy lojtarë më shumë. Futbollistët e të dy ekipeve kishin një dobësi fizike të pazakontë dhe kjo në fakt favorizoi Dinamon, e cila priste në zonën e saj pa asnjë vështirësi Partizanin. Në kohën shtesë Partizani pati një rast të artë për të fituar kampionatin, por futbollistët e tj para portierit dinamovit nuk mundën të shënonin. Pak çaste më pas Dinamo shënon golin e dytë, i cili ishte thjesht statistikë, pasi kampionati ishte fituar. Takimi i luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe i drejtuar nga një treshe gjyqtarësh italianë, përfundoi me fitoren e dinamovitëve 2-1, me gola të shënuar nga Kuli (Dinamo) në minutën e 4-t me penallti, Osmani (Partizani) në minutën e 33-të dhe në minutat e fundit të takimit ka qenë Feraj që ka kaluar Dinamon në avantazh, duke sigluar edhe titullin e 17-të kampion të saj. Dinamo dhe Partizani, së bashku kanë fituar 31 kampionate të futbollit shqiptar, por që me rivalitetin e tyre të spikatur kanë qenë për më shumë se 40 vjet edhe imazhi i futbollit shqiptar. Dinamo e Partizani, të shtunën janë përballur për herë të 130 gjatë historisë së tyre, që nga takimi i parë që daton më 14 maj 1950, kur Partizani humbi me rezultatin 1-0. Në 129 ndeshjet e zhvilluara midis tyre, Partizani ka një diferencë të qartë fitoresh ndaj rivales së tij, 46 fitore për Partizanin, 38 fitore për Dinamon, 45 barazime.

Dita e djeshme ishte shumë e rëndësishme dhe kësisoj u konsiderua edhe nga presidentët e dy klubeve. Presidenti i klubit të Dinamos, Besnik Sulaj, duke vlerësuar këtë ditë tha se, “në rast fitoreje kam vendosur në dispozicion të skuadrës premion prej 100 mijë dollarësh.” Edhe Partizani premtoi premio në rast fitoreje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›