"Sefgjini", kërcënohet gruaja e prokurorit
Prokurori që çoi në gjykatë kreun e Tatimeve dhe bashkëshortja e tij denoncojnë kërcënimet. Merren në mbrojtje nga policia
TIRANË- Pa kaluar 10 ditë nga kërcënimi që Arben Sefgjini i bëri në sallën e gjyqit, prokurori i dosjes së Remzi Hoxhës, Xhevat Hana, përjeton familjarisht një tjetër kërcënim. Këtë herë, presioni i është adresuar bashkëshortes së prokurorit, e cila mesditën e djeshme ka depozituar kallëzimin për kërcënim me jetë. "Mesditën e djeshme, prokurori i Krimeve të Rënda, Xhevat Hana, bashkë me bashkëshorten e tij kanë firmosur një kallëzim, në të cilin shkruhet se ajo është kërcënuar me jetë nga persona të panjohur",-pohojnë për "Shekullin" burime nga prokuroria e Tiranës. Sipas këtyre burimeve, mësohet se pas kallëzimit, tashmë të depozituar në prokurori dhe polici, janë angazhuar punonjës të Zyrës për Mbrojtjen e Dëshmitarëve për ruajtjen dhe shoqërimin e prokurorit Hana si dhe të familjarëve të tij. Këto masa sigurie janë kërkuar dhe vendosur me këmbënguljen e drejtuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët për të evituar çdo lloj incidenti i kanë kërkuar ndihmë Ministrisë së Brendshme.
***
Edhe pse janë marrë këto masa sigurie dhe është dorëzuar një kallëzim në prokurori, vetë prokurori Hana, i kontaktuar nga "Shekulli" ka mohuar se është kërcënuar ai apo familja e tij. Por burimet e rezervuara konfirmuan se gjatë gjithë ditës së djeshme, ai është shoqëruar nga punonjës të forcave speciale për ruajtjen fizike të personaliteteve të veçanta, me urdhër të Ministrisë së Brendshme dhe kërkesë të drejtuesve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Mësohet se edhe familja e prokurorit Hana është marrë në mbikëqyrje 24 orë, duke evituar çdo lloj incidenti që mund të ndodhë. Për punonjësit e prokurorisë, nuk ka asnjë dyshim që shkaku i kërcënimit, drejtuar familjes së prokurorit Hana është rihapja e hetimeve dhe dorëzimi në gjykatë i të akuzuarve për rrëmbimin dhe torturimin me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës. Dosja tashmë ndodhet në duart e pesëshes gjykuese të Gjykatës së Krimeve të Rënda, të drejtuar nga gjyqtari Xhelal Elezi.
***
Rihapja e hetimeve për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës si dhe dorëzimi i çështjes në Gjykatën e Krimeve të Rënda duket se i ka krijuar mjaft andralla prokurorit të çështjes, por edhe denoncuesve të kësaj ngjarjeje. Që prej ditës kur dosja është dorëzuar në gjykatë, të shumtë kanë qenë protagonistët e kësaj çështjeje, që janë kërcënuar me jetë. I pari që denoncoi kërcënimin ishte i pandehuri Avni Koldashi, i vetmi që pati pranuar se me urdhër të eprorëve të tij kishte shoqëruar Remzi Hoxhën në SHIK. Edhe Ziso Kristopulli, njëri prej tre të rrëmbyerve nuk ka kaluar ditë të qeta këto kohë, duke marrë shumë kërcënime. Sa për prokurorin e çështjes, Xhevat Hana, qetësia duket se përfundoi që prej ditës kur u përball me të pandehurit në gjykatë. "Do të përgjigjeni personalisht për rihapjen e hetimeve",-i pohoi i akuzuari për këtë ngjarje, Arben Sefgjini, i cili vazhdon të drejtojë Tatimet, prej shtëpisë ku qëndron i mbyllur, 24 orë.Larg këtyre kërcënimeve nuk ka mbetur edhe familja e Remzi Hoxhës, e cila ka kërkuar për 13 vjet nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të shtetit për gjetjen e eshtrave të të afërmit të tyre, të rrëmbyer në muajin tetor të vitit 1995 nga punonjës të SHIK-ut.
KËRCËNIMET
Avni Koldashi
I akuzuari për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës ka kërkuar mbrojtje, pas kërcënimeve që ka marrë. Koldashi është i vetmi i pandehur që ka pranuar se biznesmeni Hoxha është shoqëruar prej SHIK-ut
Ziso Kristopulli
Që prej vitit 1995, i rrëmbyeri së bashku me Remzi Hoxhës është kërcënuar shumë herë. Vetëm pak ditë më parë, ai denoncoi sërish kërcënimet në adresë të tij, nga persona të panjohur prej tij
Ardian Hoxha
Edhe i biri i Remzi Hoxhës apo xhaxhallarët e tij janë përballur me shumë presione, gjatë 13 viteve në kërkim të eshtrave. Gjatë një interviste për "Shekullin", djali i Remzi Hoxhës rrëfente kërcënimet në adresë të familjes
Xhevat Hana
Prokurori që rihapi dosjen e zhdukjes së Remzi Hoxhës dhe e dorëzoi atë në gjykatë i ka provuar kërcënimet nëpërmjet njerëzve të tij më të afërt. Hana ka shoqëruar bashkëshorten për të denoncuar ngjarjen
I akuzuari për Remzi Hoxhën i kërkoi prokurorisë ta lejonte të shkonte çdo ditë në zyrë
Sefgjini kërkon të shkojë
në zyrë, prokuroria refuzon
TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda refuzon dy kërkesa të të pandehurit Arben Sefgjini, për të shkuar në zyrë dhe kryer funksionin e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Burimet zyrtare pranë organit të akuzës konfirmuan për "Shekullin" se avokati mbrojtës i Sefgjinit, Zef Nika, me kërkesë të të pandehurit ka depozituar në prokurori dy kërkesa për lejimin e ushtrimit të detyrës prej të akuzuarit për rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës. Në të dyja rastet, prokuroria i ka kërkuar Sefgjinit të zbatojë arrestin e shtëpisë, duke mos e lejuar atë të shkojë në zyrë. "Pak ditë më parë, avokati mbrojtës i të pandehurit Arben Sefgjini depozitoi në kryesekretarinë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda një kërkesë, ku i adresohet prokurorit Xhevat Hana, duke i kërkuar këtij të fundit lejimin e daljes nga shtëpia për të kryer punën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, në zyrën që ndodhet në rrugën e "Elbasanit". Kjo kërkesë u refuzua nga prokurori, duke urdhëruar që i pandehuri Sefgjini të respektojë masën e sigurisë "arrest shtëpie",-thuhet nga prokuroria. Ndërkohë, edhe pse kjo kërkesë u refuzua nga Prokuroria, i pandehuri Sefgjini ka riformuluar një kërkesë të dytë, duke depozituar sërish në Prokurorinë e Krimeve të Rënda lejen për të shkuar në punë një herë në javë. Sipas burimeve nga prokuroria, të pandehurit Sefgjini i është caktuar masa e sigurisë "arrest me burg" dhe nuk mund të dalë nga shtëpia, edhe pse eprorët e tij preferuan ta mbanin në detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve. Gjykata e Krimeve të Rënda nuk e ka fiksuar në vendim që i pandehuri Sefgjini nuk duhet të kontaktojë me persona të tjerë, përveç pjesëtarëve të afërt të familjes, ndaj edhe gjatë kësaj kohe, vartësit i kanë shkuar në shtëpi, për t'i marrë firmën.Mësohet se i pandehuri Sefgjini, përveç izolimit të tij në shtëpi dhe takimeve që ai bën me persona të ndryshëm, kryen edhe procedurat e punës, duke e kthyer një nga dhomat e banimit në studio pune, pasi çdo ditë një nga të "besuarit" e tij sjell në shtëpinë ku ai banon letra për të firmosur. F.Vezaj
TË PANDEHURIT
Akuzat që rëndojnë mbi
ish-punonjësit e SHIK
TIRANË- Të pandehurit Arben Sefgjini, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Kumbaro, Avni Koldashi dhe Budjon Meçe akuzohen për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës. Sipas kërkesës për gjykim, katër të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995 kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty "pengjet" janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen biznesmeni kosovar shtetasi Remzi Hoxha, trupi i të cilit ende nuk është gjetur. Sipas akuzës, Remzi Hoxha është rrëmbyer mesditën e datës 21 tetor të vitit 1995, në afërsi të firmës së tij të quajtur "Albatros", e cila prodhonte konstruksione duralumini. Nga verifikimet e kryera të prokurorisë ka rezultuar se një nga automjetet e përdorura në ngjarjen e rrëmbimit ka qenë me targa TR 2449 C, e cila drejtohej nga Avni Koldashi, makinë kjo që kishte si pronar institucionin e SHIK-ut dhe që rezulton se është tërhequr nga katër të pandehurit e kësaj dosjeje.