Këshilli Botëror i Energjisë: Shqipëria dhe rajoni do të bien në krizë energjitike
Gjendja energjitike në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit do të bëhet gjithnjë e më vështirë dhe kriza po vjen me hapa shumë të shpejtë. Menaxheri rajonal për Europën në Këshillin Botëror të Energjisë, Slav Slavov, vlerëson se rajoni duhet të identifikojë burimet gjeneruese të energjisë. Sipas Slavov, kriza energjitike në rajon po vjen me hapa të shpejtë dhe kjo për shkak të mungesës së identifikimit të burimeve të prodhimit të energjisë dhe gazit natyror. Ai fajësoi sjelljen e qeverive në këto vende përgjatë gjithë këtyre viteve, pasi sipas tij, ato asnjëherë nuk kanë punuar seriozisht dhe nuk e konsideruan këtë si një rrezik për ekonomitë dhe mirëqenien e tyre. Në të vërtetë, qeveritë shqiptare në këtë drejtim janë të parat, pasi që prej mesit të viteve ‘80 në Shqipëri ende nuk është ndërtuar asnjë burim i ri energjie. “Përgjatë 18 viteve në rajon, askush nuk bëri investime për zgjerimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë dhe kjo është arsyeja se pse ndodhemi sot në këtë situatë”, - u shpreh Slavov. “Ndërkohë, - theksoi Slavov, - ekonomitë e këtyre vendeve kanë ardhur në rritje, çka ka çuar edhe në shtimin e kërkesës për energji.” Sipas Slavov, deri në në vitin 2020 do të duhet të rriten potencialet gjeneruese të energjisë në rreth 20 GIGA Vat dhe për të siguruar këtë gjenerim të energjisë prej 20 Giga Vat do të duhen të investohen rreth 30 miliardë euro. Në vijim, Slavov u shpreh se, kërkesa për energji u bë më e ndjeshme me mbylljen e centralit bërthamor në Bullgari. “E vetmja zgjidhje e mundshme për momentin është importi, por mbetet problem se nga do të vijë ky import, ndaj dhe në 5-6 vitet e ardhshme kriza enegjitike do të jetë e pranishme në rajon”, - tha Slavov. I pyetur lidhur me centralet bërthamore, Slavov tha se, “energjia bërthamore është një zgjidhje, ndaj dhe është menduar ngritja e centraleve bërthamore edhe në Europë, por për ndërtimin e tyre do të duhet shumë kohë.” Në të vërtetë, Shqipëria prej pak vitesh ka nisur të mendojë dhe të investojë në lëmin e ndërtimit të burimeve të reja të energjisë. Një termocentral i financuar nga Banka Botërore ka nisur të ndërtohet në Vlorë dhe mjaft hidrocentrale të tjera të vogla e të mesme janë duke u ndërtuar. Kërkesa për energji në Shqipëri rritet çdo vit, me rreth njëzet për qind në vend, në një kohë që rritja ekonomike çdo vit kërcënohet nga problemet e energjisë. Linjat e transmetimit të energjisë me Malin e Zi në një kapacitet të konsiderueshëm po ndërtohen, por megjithatë përsëri Shqipëria do të mbetet një importues i madh energjie. Kjo gjë do të jetë edhe më e vështirë dhe më e kushtueshme në kushtet, kur në të gjithë rajonin energjia do të jetë një problem.