Adoleshentja e zhdukur, policia e kërkon në Tiranë
Vajza e zhdukur nga banesa e saj në Yrshek po kërkohet nga policia në Tiranë. Adoleshentja, e cila ishte në prag të fejesës, vazhdon ta mbajë të hapur numrin e telefonit që ajo disponon. Ky, sipas uniformave blu, është një fakt shpresëdhënëse për gjetjen e saj në rrethinat e kryeqytetit. Levanda S., larguar pasditen e së premtes, ende nuk është lidhur me prindërit e saj dhe as me djalin që do ta fejonte pas disa muajsh. Policia nuk mendon se vajza është rrëmbyer, por se ajo ka ikur me dëshirë dhe veprimet i ka llogaritur mirë. Sipas dëshmive të familjarëve, pasditen e së premtes, pa folur me njeri, vajza është bërë gati për të dalë nga shtëpia. Rrugës ka takuar motrën më të vogël, që e ka marrë me vete për pak dhe më pas i ka thënë të kthehet në banesë se ajo do të vinte më vonë. Por, që nga ai moment, ajo nuk është parë më. Duke u shqetësuar për fatin e 18-vjeçares, familja i është drejtuar policisë. Nga Yrsheku, prindërit e Levandës janë paraqitur në Komisariatin nr.6, duke kërkuar ndihmën e efektivëve për gjetjen e vajzës. Ata kanë rrëfyer gjithë skenën se çfarë kishte ndodhur dhe kanë vënë në dispozicion fotografinë dhe të dhënat e saj.
#