Dinamo në rrethin e parë të ferrit, Apolonia e mposht
Apolonia – Dinamo 2-0
Shënues: Rama 8’, Gërxho 61’
Apolonia e ka nisur këmbëmbarë këtë kampionat duke mposhtur pastër në “Loni Papuçiu” Dinamon e njëmijë e një halleve. Sfida në Fier luhet në temperatura të larta, ndaj kjo gjë e detyron kryesorin Laver Alla për ta ndërprerë dy herë ndeshjen dhe t’i lejojë lojtarët që të freskohen. Por ky moment relaksi nuk u ka shërbyer fare djemve të Sejdinit, që kanë vuajtur në 90 minutat e djeshme.
Nga mesi i fushës topin e shkelmojnë vendësit që hyjnë menjëherë në ritmet e ndeshjes. Dinamo vuan dhe do të bjerë menjëherë viktimë e lojës së shpejtë të Apolonisë. Fierakët do ta gjejnë veten në avantazh pas vetëm 8 minutash lojë, kur Renaldo Rama do të mposhtë me një gjuatje të saktë portierin Alfred Osmani. Duket se për blutë ajo e djeshmja do të jetë një ndeshje në tatëpjetë, por skuadra e Sejdinit do të përpiqet të reagojë, ndonëse portieri Xhixha do të bëjë një grushtim spektakolar në minutën e 19-të pas gjuajtjes së Asllanit. Por Apolonia e ndjen se nuk duhet t’i lejojë vetes shpërqëndrim, ndaj pas vetëm 60 sekondash lojë, Andi Ribaj ka në këmbët e tij golin e dytë, por veterani Osmani do t’i thotë “jo” gjuajtjes së tij. I njëjti duel me protagonistë Ribajn dhe Osmanin do të përsëritetv edhe në të 35-ën, por sërish do të jetë portieri blu ai që do të dalë fitimtar. Por më parë, do të ketë një protestë të lojtarëve blu për një 11-metërsh të padhënë, sipas tyre, por gjyqtari Laver Alla do të vijojë lojën, madje do të ndëshkojë me karton të verdhë Arifajn për protesta. Loja do të vijojë e gjallë dhe Agim Meto do të shënojë e do të nis të festojë golin e tij dhe të dytin për fierakët, por hovin do t’ia ndërpresë gjyqtari Alla, duke e cilësuar golin si të parregullt. Ky është edhe rasti i fundit 45 minutave të para. Sejdini e nis me një ndërrim pjesën e dytë, duke hequr Capjen dhe duke aktivizuar Imanin. Blutë nisin të rrezikojnë dhe tifozët e pranishëm në stadium protestojnë për pasivitetin e Apolonisë duke hedhur edhe sende të ndryshme në fushë, madje në një rast ka qenë vetë gjyqtari Alla që i ka dorëzuar arbitrit të katërt një shishe plastike. Por do të jetë i riu Ason Daja që do t’i japë shplakën e fundit të tijve. Pasi ishte ndëshkuar me karton të verdhë në pjesën e parë, i riu do të shkaktojë disa ndërhyrje të gabuara radhazi dhe në rastin e tretë, kryesori Alla do t’i japë të verdhën e dytë duke e nxjerrë jashtë me kartonin e kuq. Tani Apolonia merr frymë dhe pak sekonda më vonë, do të jetë Julian Gërxho që me një goditje dënimi nga jashtë zonës do të ndëshkojë portierin Osmani dhe të fusë në kasafortë tre pikët për formacionin fierak. Alla mendoj t’i freskojë edhe njëherë lojtarët, por nuk do të jetë e nevojshme, pasi Dinamo duket e dorëzuar dhe Apolonia e kënaqur me aq sa ka arritur.
Superliga – Java I
Vllaznia – Laçi 3-1
Bylis – Shkumbini 5-2
Skënderbeu – Tomori 0-0
Apolonia – Dinamo 2-0
Flamurtari – Kamza 2-1
Sot
Kastrioti – Pogradeci 16:00
Tirana – Teuta 18:00
Renditja
Skuadra N F B H Gol P
1) Bylis 1 1 0 0 5-2 3
2) Vllaznia 1 1 0 0 3-1 3
3) Apolonia 1 1 0 0 2-0 3
4) Flamurtaru 1 1 0 0 2-1 3
5) Skënderbeu 1 0 1 0 0-0 1
6) Tomori 1 0 1 0 0-0 1
7) Kastrioti 0 0 0 0 0-0 0
8) Pogradeci 0 0 0 0 0-0 0
9) Tirana 0 0 0 0 0-0 0
10) Teuta 0 0 0 0 0-0 0
11) Kamza 1 0 0 1 1-2 0
12) Dinamo 1 0 0 1 0-2 0
13) Laçi 1 0 0 1 1-3 0
14) Shkumbini 1 0 0 1 2-5 0