“Taçi Oil”, sponsor zyrtar i Milanit
Pas emrave të mëdhenj që derdhin para në arkat e klubit më të titulluar të botës, radha i vjen edhe një kompanie shqiptare
Marrëdhënia e shkëlqyer disa vjeçare mes “Taçi Oil” dhe klubit të Milanit është ngritur në një stad tjetër, pasi kompania shqiptare ka hyrë në familjen e skuadrës më të titulluar të botës, duke u bërë një nga sponsorët e saj zyrtarë. Kjo marrëveshje e rëndësishme u zyrtarizua në sallën e trofeve të klubit italian me firmat e presidentit të kompanisë “Taçi Oil”, Rezart Taçi dhe administratorit të deleguar të Milanit, Adriano Galiani. Që nga ndeshja e javës së parë të Serisë A, marka e kompanisë shqiptare është vendosur përkrah kompanive të njohura në rangun e “Sponsorëve Premium” të skuadrës kuqezi, ndërsa përtej termave financiarë dy drejtuesit e lartë e kanë cilësuar këtë akord si një zgjedhje zemre. "Zgjodha Milanin pasi tani ai është një pasion familjar. Ka nisur me babain tim dhe më është transmetuar edhe mua. Është një zgjedhje zemre, por jo vetëm kaq. Milani është markë e rëndësishme ndërkombëtare dhe shumë tërheqëse në botën e futbollit. Për mua Seria A është kampionati më i bukur në botë dhe kjo marrëveshje është e rëndësishme për kompaninë, pasi do të hapë tregje të reja”, u shpreh Rezart Taci president “Taçi Oil”."Taçi Oil është një kompani që ka si president një mik të vjetër të Milanit, si Rezart Taçi. Marrëdhëniet tona kanë nisur shumë vite më parë, ndërsa tani bëhet një nga sponsorët premium, që do të thotë një nga sponsorët më të rëndësishëm pas fanelës, pra pas "Fly Emirates" që është sponsori ynë i fanelës dhe "Adidas" është sponsori ynë teknik. Kjo gjë na bën që ta shohim më me shumë interes tregun shqiptar”, tha Adriano Galiani administrator i deleguar i Milanit. Sipas Galianit, ky akord forcon më tej raportin e shkëlqyer të klubit italian me kompaninë shqiptare, ndërsa presidenti i “Taçi Oil” ka bërë të ditur se marrëveshja e re do të cojë më tej projektet mes dy palëve. Në të vërtetë futja e kompanisë “Taci Oil” në radhët e sponsorëve zyrtarë të Milanit është shoqëruar me një lajm të mirë për të gjithë fëmijët kosovarë të apasionuar me futbollin. Pas katër vitesh në Tiranë, Milan Junior Camp do të zhvillohet vitin e ardhshëm edhe në Kosovë.