Poezitë e Xhevahir Spahiut edhe në frëngjisht
Vetëm pak muaj nga pjesëmarrja në Festivalin e Poezisë (Voix Vives - Zëri i gjallë) që u zhvillua në fund të korrikut, në Francë, poeti shqiptar, Xhevahir Spahiu është botuar së fundmi me një vëllim me poezi edhe në gjuhën frënge. Vëllimi me poezi, i titulluar “Laisse aller le cerf, Artémis” (“Lëshoje drerin, Artemidë”) i poetit Xhevahir Spahiu përmban 53 poezi, të përkthyera nga Aleksandër Zoto. Vëllimi “Laisse aller le cerf, Artémis” (“Lëshoje drerin, Artemidë”) është sjellë për lexuesin francez nga shtëpia botuese “Maison de la poésie Nord – Pas de Calais”. “Xhevahir Spahiu shquhet për një art origjinal të ‘poezisë që godet’, e cila shfaqet, nëse mund të themi kështu, si shprehja me elokuente e lakonizmit. Pa i kursyer evokimet e vrullshme, tonet e ngjeshura dhe të prera, ai arrin në një gjallëri të madhe shprehëse, nëpërmjet së cilës ngre lart të gjitha freskitë rinore dhe zgjuarsitë e zemrës, kundër të gjitha errësirave kërcënuese”. Poezia e Xhevahir Spahiut depërton qenien tonë njëherazi falë pasionit, rinisë dhe shëndetit që e gjallërojnë. Nuk do ta tepronim aspak të thoshim se ajo është në simbiozë me elementet natyrore, me diapazonin e forcave që ato fshehin dhe pasurojnë. Shumica e poezive të tij, shenja, për këtë arsye, të një “të qeni në botë” sa të ndërgjegjshëm, aq edhe të thellë, duken se nisen nga një tronditje emocionale, nga një reagim i menjëhershëm, por që nuk shkon pa ngërthyer pyetje dhe arsyetime të ndryshme. Këto jehona zinxhirë kalojnë tek ne kryesisht nëpërmjet ritmit dhe theksimit të vargut. Xhevahir Spahiu, i dashuruar, ashtu si Bodleri pas muzikës kumbuese, e kthen të tijën përmes një shkrimi ku predominojnë metrika dhe poemthat, parataksa, elipsa dhe sinkopa, pikat, sulmet ex-abrupto, ndërprerjet, rigjallërimet, deri në harmoninë fundore, duke i rënë pothuajse gjithnjë akordit në la-maxhor. Si një ithtar i një lloj “poezie grusht”, ai ngre lakonizmin në gojëtari”- vlerëson poetin shqiptar, Prof.Aleksandër Zoto, në parathënien e vëllimit me poezi. Xhevahir Spahiu është vlerësuar si poeti që krijoi poezinë e shpirtit. Poezia e tij karakterizohet nga ndjeshmëria dhe temperamenti i tij individual, nga natyra e mprehtë të të vërejturit si dhe natyra e ekspresionit kreativ, sugjestiv, natyra e formësive të ngjeshura dhe të shtresimeve kuptimore, natyra e refleksit dhe imazheve të pasura. Ndërkohë që në Francë, poeti shqiptar është cilësuar si një nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohorë në Shqipëri. Poezia e tij ka fituar çmime të ndryshme kombëtare, si dy herë çmimin “Migjeni”, akorduar nga Lidhja e Shkrimtarëve, në vitin 1987 dhe në vitin 1991, për vëllimet poetike “Nesër jam” dhe “Kohë e krisur”, pjesë të së cilës janë bërë të njohura për lexuesin francez edhe gjatë mbajtjes së Festivalit të Poezisë “Voix Vives”.