E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo nënshtron Tiranën, ruan kreun

Dinamo fiton derbin e kryeqytetit me Tiranën. Skuadra e Shkëlqim Muçës triumfoi 2-1 përballë kampionëve në fuqi të Shqipërisë dhe ashtu si Besa mbetet ende e pamposhtur në këtë sezon. Edhe pse fillimisht u mendua se blutë do të fitonin lehtësisht, ngjarjet rrodhën ndryshe. Pavarësisht epërsisë numerike në fushë, pas daljes me karton të kuq të Migen Memellit në minutën e 14-të, dinamovitët rrezikuan të mos merrnin tri pikët, madje në fillim të pjesës së dytë të takimit, shtylla ka ardhur në ndihmë të portierit Kotorri. Edhe pse u kthye për herë të parë në fushë pas shumë muajve mungesë, Memelli u bë viktimë e provokimit të Del Montes: golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar reagoi duke e goditur me top lojtarin kundërshtar, një veprim që nuk është toleruar nga gjyqtari ndërkombëtar, Jareci. Dinamo kaloi në avantazh në të 33-tën, falë një goli të të përhershmit Elis Bakaj, ndërsa në të 45-tën Sefa dyfishoi shifrat. Por në momentin kur u mendua se sfida u mbyll virtualisht, Arbër Abilaliaj shkurton shifrat, duke shënuar në sekondat shtesë të pjesës së parë të takimit. Me këtë fitore skuadra e Muçës ruan kreun e klasifikimit, me 19 pikë, ndërsa Tirana renditet e gjashta, vetëm me 8 pikë në shtatë ndeshje. Skuadra e drejtuar nga dyshja Tafaj-Dede nuk arriti të shfrytëzonte baraspeshën numerike që u krijua në fushë në të 83-tën, pas kartonit të kuq të Muçës. Duke qëndruar në zonën e kreut, Besa nuk gabon përballë Flamurtarit. Kavajasit e drejtuar nga Shpëtim Duro fitojnë 1-0 falë një penalltie të ekzekutuar me saktësi nga Bledar Mancaku në minutën e 58-të të takimit. Gjithsesi, kavajasit kanë vazhduar të shfaqin probleme të theksuara në fazën e finalizimit: verdhezinjtë nuk kanë mundur të finalizojnë rastet e shumta të krijuara në portën vlonjate, duke rrezikuar deri në fund që të mos merrnin tri pikët e plota. Merita kishte edhe "gardiani" i bregdetarëve, Halili, që me ndërhyrjet e tij rezultoi vendimtar në 3-4 momente, kur Mancaku, Xhafaj e Mihani janë shfaqur të vetëm përpara tij. Flamurtari ka kërkuar barazimin me Franc Veliun, por në të 65-tën shtylla prishi festën e mbrojtësit të Kombëtares. Në minutën e 71-të gjithçka u vështirësua për të besuarit e Maganit, pas daljes nga loja me karton të kuq të Sakajt. Fitore e rëndësishme për Vllazninë, që me tri pikët e marrë përballë Shkumbinit i largohet fundit të klasifikimit. Falë dy golave të talentit shkodran Bekim Bala, Roland Luçi regjistron fitoren e parë në krye të stolit kuqeblu. Me lëvizjet e tij taktike në pjesën e dytë, duke aktivizuar Balën dhe Osjen, trajneri ka arritur të ndryshojë rrjedhën e lojës. Teuta nuk gabon në shtëpi dhe "viktima" e radhës është Laçi. Bregdetarët fituan 2-1 falë golave të Hysës në të 21-tën dhe të Mersinit në të 89-tën. Për Mersinin, ky ishte debutimi në këtë sezon me durrsakët. Kastrioti triumfon 2-1 mes kontestimeve të Skënderbeut. Shkak është bërë një penallti e akorduar nga gjyqtari Meta, në minutën e 80-të të ndeshjes, kur rezultati ishte në barazim 1-1. Golin e fitores për krutanët nga 11-metrat e realizoi Roshi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›