E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja për tokën, arrestohen tre veta

Vrasja e ndodhur në fshatin Podgorie të Rrethit të Korçës ka vënë në pranga tre persona, të cilët akuzohen për vrasje të kryer në bashkëpunim. Burimet e policisë bënë të ditur dje se kanë arrestuar Shefqet, Ismail dhe Astrit Gorovecin, pasi të tre kanë marrë pjesë në krim. Sipas policisë, autori direkt i krimit e ka siguruar armën e gjahut nga vëllai i tij, ndërkohë që është strehuar më pas nga nipi për t‘i shpëtuar kapjes nga policia. Ngjarja e rëndë në fshatin Podgorie, ku mbeti i vrarë me armë gjahu Reshat Adri, ka pasur si prapavijë një konflikt të vjetër pronësie, ndërsa shkak së fundi u bënë bagëtitë që hynin në territorin që pretendohej nga vëllezërit Goroveci se ishte pronë e tyre.

Por sipas hetimeve të policisë, asnjë nga dy familjet fqinje nuk rezultonte pronare për kullotën, e cila është pronë shtetërore. Sipas të dhënave nga banorët e zonës, dy familjet fqinje, Adri dhe Goroveci, kishin shpesh konflikte për shfrytëzimin e tokës së rrethuar me gardh nga viktima. Banorët tregojnë se viktima Reshat Adri njihej si njeri problematik në zonë dhe shpesh hynte në konflikte me banorët e fshatit.

Burimet e policisë thanë se ngjarja ka ndodhur në kushtet kur pasi janë zënë fillimisht fëmijët e dy familjeve, më pas kanë ndërhyrë të rriturit në sherrin për lopët. Sipas policisë, ngjarja ka ardhur si pasojë e një konflikti të momentit, por problemet kishin qenë të akumuluara mes palëve derisa vëllezërit Goroveci janë hakmarrë ndaj Adrit gjatë sherrit të fundit.

Në gjaknxehtësi e sipër, ndërsa viktima ka qëlluar me grushte Ismail Gorovecin, vëllai i tij ka marrë një armë gjahu me të cilën më pas Ismail Goroveci ka qëlluar mbi viktimën.

Hyrja e bagëtive në tokën e njërës apo tjetrës familje është bërë shkak që ata të kenë grindje të vazhdueshme midis tyre. Sipas policisë, viktima Reshit Adri, me një rreth të gjerë farefisnor në fshatin e tij, ka tentuar herë pas here të përvetësonte në mënyrë të padrejtë toka, duke u përballur edhe forcërisht me banorë të fshatit Podgorie.

Ismail Goroveci është goditur nga viktima dhe në nerva e sipër, me armën që i ka dhënë vëllai i tij ai ka qëlluar mbi Adrin. Autori u kap nga policia vetëm pak orë pas ngjarjes, i strehuar në një shtëpi fshati nga nipi i tij, Astriti, i cili është ndaluar bashkë me dy vëllezërit Goroveci, për vrasje në bashkëpunim.

Vrasja e Reshat Adrit është e dyta që ndodh gjatë vitit 2009 në fshatin Podgorie. Në muajin janar të këtij viti, fshati u vu në qendër të vëmendjes së opinionit, pasi një i sëmurë mendor, Reshit Adri, hapi zjarr pa paralajmërim në drejtim të banorëve të fshatit, duke lënë të vdekur kushëririn e tij, Lulëzim Laze dhe duke plagosur një grua. Policisë së Korçës dhe forcave speciale RENEA iu deshën rreth 22 orë që të izolonin dhe arrestonin personin e armatosur, që nuk ngurroi të ngrinte pushkë edhe kundër policisë.

J.Dhimitri

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›