Firmosin Meta dhe Davutoglu, Turqia na heq taksën e vizës
Falë marrëveshjes së arritur dje mes ministrit të Jashtëm shqiptar dhe atij turk, qytetarët shqiptarë që futen në Turqi nuk do të paguajnë më taksë në doganën e këtij vendi kur të marrin vizën. Ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, dhe ministri i Jashtëm turk, Ahmed Davutoglu, në takimin e djeshëm në Tiranë i dhanë fund taksës prej 10 eurosh, duke firmosur marrëveshjen për lëvizjen e lirë mes dy shteteve mike. Ministri i Jashtëm turk u shpreh se "kjo marrëveshje vjen si një dhuratë e bukur në këtë ditë pushimi, për të gjithë shtetasit shqiptarë ne vendosëm që të hiqen të gjitha pagesat për vizat". Marrëveshja është përshëndetur edhe nga ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, i cili vlerësoi rëndësinë e këtij veprimi, duke hequr kështu jo vetëm koston financiare, por edhe barrierën psikologjike. "Pagesa për vizat është jo vetëm një kosto financiare, por, mbi të gjitha edhe një barrierë psikologjike", u shpreh ministri i Jashtëm shqiptar. Dy ministrat i kanë cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve të shkëlqyera dhe kanë theksuar se do të punojnë për shumëfishimin e investimeve turke në Shqipëri dhe kjo do të bëhet në një kohë sa më të shkurtër për të ndjerë më pas edhe rritjen e ndjeshme në shkëmbimet tregtare dhe ekonomike. Meta theksoi se marrëdhëniet politike mes dy vendeve tashmë dihet se janë shumë të mira, por ky bashkëpunim shumë i mirë është edhe në fushat e tjera, sidomos në ato të arsimit, kulturës, shëndetësisë, të cilat do të thellohen edhe më tej. Duke vlerësuar këto marrëdhënie, ministri i Jashtëm turk konstatoi se investimet turke në Shqipëri, nga 45 milionë dollarë para pesë vjetësh, kanë kapur tani rreth 1 miliard dollarë. Kurse vëllimi i shkëmbimeve tregtare, tha ai, është rreth 350 milionë dollarë dhe pritet që të rritet së shpejti nga marrëveshja e tregtisë së lirë. Ministri turk shprehu dëshirën se me heqjen e pagesës së vizës, Turqia dëshiron të mbetet destinacioni kryesor i pushimeve për shqiptarët. Bashkëpunimi sipas ministrave do të vazhdojë në lëmin e diplomacisë, ku diplomatët e rinj shqiptarë do të trajnohen në Ministrinë e Jashtme turke. Po dje, ministri i Jashtëm turk është pritur edhe nga Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila ka vlerësuar shumë mbështetjen e Turqisë, veçanërisht në partneritetin në NATO. Kryetarja e Kuvendit tha se bashkëpunimi ndërparlamentar ka nisur të marrë një dimension të ri, duke e bërë diplomacinë parlamentare komplementare të diplomacisë ekonomike. Vetëm në katër vitet e fundit, shkëmbimet ekonomike me Turqinë janë katërfishuar dhe Topalli shprehu besimin në forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik në infrastrukturë, telekomunikacion dhe gaz, por edhe në arsim e kulturë. Sakaq, ministri Davutoglu shfaqi interesin e Turqisë për të nxitur më tej rritjen e numrit të investimeve turke në Shqipëri. Sipas tij "Turqia është e interesuar për dinamizim të bashkëpunimit parlamentar me Shqipërinë, pasi Parlamenti është shpirti i një kombi". Ministri Davutoglu i përcolli Kryetares së Kuvendit përshëndetjet e përzemërta nga Kryetari i Asamblesë së Turqisë, Mehmet Ali Sahin, duke shtuar se marrëdhëniet historike mes dy vendeve kanë njohur gjithnjë e më shumë rritje dhe tashmë fokusi do të jetë bashkëpunimi dhe integrimi ekonomik. Këto marrëdhënie vlerësohen dhe më shumë, tha ministri turk nga vizita e zyrtarëve të lartë të këtij shteti në Turqi, pasi në qershor ishte Kryeministri turk Erdogan dhe në dhjetor do të vijë Presidenti Abdullah Gyl.