E Diel, 1 Nëntor 2026

Dinamo nuk di të ndalet, Elis Bakaj fundos edhe Kastriotin

Dinamo e nis fazën e dytë të Kategorisë Superiore duke ruajtur ritmin e 11 javëve të para. Blutë fitojnë 2-0 përballë Kastriotit dhe tashmë e rrisin në +13 diferencën me Besën e vendit të dytë. Elis Bakaj ka konfirmuar edhe një herë formën e jashtëzakonshme që po kalon, duke realizuar të dy golat e triumfit për skuadrën e Shkëlqim Muçës. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka kaluar dinamovitët në avantazh vetëm pas 11 minutave lojë, duke përfituar me zgjuarsi nga përgjumja e mbrojtjes mike. Në të 31-tën ai ka dyfishuar shifrat, duke realizuar edhe golin e tetë në këtë kampionat. Ndeshja me skuadrën që po dominon Superioren ka sjellë edhe humbjen e parë të Kastriotit pas tetë javëve. Krutanët e Ramazan Ndreut shpresonin se do të merrnin një tjetër rezultat pozitiv në kryeqytet pas barazimit me Tiranën (në javën e gjashtë), megjithatë fusha tregoi se Dinamo e këtij sezoni është një superskuadër.

Vetëm barazime në dy takimet e tjera të luajtura dje. Shkumbini humbet shansin që të ngjitet edhe më shumë në klasifikim, duke mos arritur të mposhtë Gramozin. Madje, skuadra kolonjare ishte fare pranë fitores, e cila do të ishte e para jashtë fushe në këtë edicion. Miqtë kaluan në avantazh me golin e Sadikut në të 10-tën, ndërsa peqinasit barazuan me Roland Dervishin në limitin e kohës së rregullt. Barazim pa gola ndërmjet Laçit dhe Skënderbeut. Skuadra e drejtuar nga Stavri Nica është kthyer me këmbë në tokë vetëm shtatë ditë pasi mposhti Tiranën. Në anën tjetër, pika e djeshme, në fushë kundërshtare është mjaft pozitive për Skënderbeun. Gjithsesi, mbetet fakti që korçarët e Gerti Haxhiut nuk fitojnë prej tetë javësh dhe janë fare pranë zonës së ftohtë të klasifikimit.

e. k.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›