E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo, pesë ndeshjet e kontestuara

Dinamo, kryesuesja absolute e Kampionatit të 71-të Kombëtar, Kategoria Superiore, 45 pikë pas 18 javëve (nga përfundimi i sezonit kanë mbetur edhe 15 javë për t’u luajtur) mund të konsiderohet skuadra me më shumë fitore të kontestuara deri tani.
17-herë kampionët e Shqipërisë (janë me një dorë të titulli i 18-të) kanë marrë disa trepikësha ku gjatë këtyre ndeshjeve janë bërë gabime fatale nga gjyqtarët. Penallti të pa dhëna për kundërshtarët dhe gola të shënuar në mënyrë të parregullt. Kulmi arriti në derbin e së hënës, Tirana-Dinamo (1-2, java 18). Gjyqtari i dizenjuar nga Sektori i Garave, Bardhyl Pashaj, nuk i jep karton të kuq portierit të Dinamos, Elvis Kotorrit, si lojtar i fundit, edhe pse akordoi penallti për Tiranën.
Disa minuta më parë, kishte ndëshkuar me të kuqe një mbrojtës bardheblu si lojtar i fundit në ndërhyrjen ndaj Bakajt. Moviola i ka nxjerrë qartë momentet në të cilat Dinamo është “favorizuar” nga gabimet e arbitrave. Madje, në ndonjë rast, trajneri Muça është treguar i sinqertë duke pranuar gabimet e arbitrave.
Historia “pro-Dinamo” nis me supesfidën kundër Besës në Kavajë, një “finale e parakoshme”, edhe pse luhej vetëm në javën e 10-të të sezonit. Blutë kanë fituar 1-0 në Kavajë. Një sfidë me shumë histori brenda. Që në të 10’, vendasve nuk u jepet një 11-metërsh në një kohë që portieri duke qenë lojtari i fundit mund të ndëshkohej me karton të kuq. Arbitri nuk e ka vlerësuar si të tillë këtë moment. Megjithatë, disa minuta më pas, gjyqtari jep për kavajasit një penallti inekzistente. Në minutat e fundit, Besës nuk i jepet një 11-metërsh i pastër. Pisha pengon në mënyrë të parregullt Lecin që ishte i vetëm përballë Hoxhës. Muça deklaroi hapur në atë kohë që ishte penallti.
Një javë më pas, Dinamo fiton me Apoloninë 3-2. Rreth minutës së 80’ kur rezultati ishte i barabartë 1-1, Bakaj e merr hapur topin me dorë dhe pason për Diop që shënon. Afrikani rezultoi në moviolë që ishte në pozicion jashtë loje. Në Teuta-Dinamo, blutë fitojnë 3-1. Por, kur rezultati ishte 2-1 për skuadrën e Muçës, arbitri nuk akordon një penallti të pastër për vendasit. Madje, disa deklaruan se në atë aksion kishte dy penallti njëkohësisht.
Në ndeshjen e fundit të vitit të kaluar, Dinamo barazoi në minutat e fundit me Laçin (1-1, java 17). Një penallti shumë e dyshimtë për blutë. Një pjesë e moviolës në emisionet sportive e përcaktoi si të paqenë.
Në derbin e së hënës përballë Tiranës, rasti që diskutohet më shumë, është momenti i penalltisë për bardheblutë. Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Muzaka pengohet nga portieri Kotorri dhe arbitri akordon 11-metërsh, por mjaftohet vetëm me karton të verdhë në ndëshkimin ndaj portierit. Në moviolë rezulton se duhej të ishte karton i kuq pasi Kotorri ishte lojtari i fundit. Disa minuta më parë, mbrojtësi i Tiranës, Bici, ishte ndëshkuar me karton të kuq pasi si lojtar i fundit kishte penguar Bakajn që po i drejtohej zonës.
NDESHJET E KONTESTUARA
BESA-DINAMO 0-1
Java 10, 9 nëntor 2009
Gjyqtar: Sokol Jareci (Tiranë)
Besës nuk i akordohet një penallti e pastër në minutat shtesë kur rezultati ishte 1-0 për blutë, falë një goli të realizuar nga argjentinasi Rafale Soza (18’). Mbrojtësi Arjan Pisha pengon hapur Liridon Lecin, ky i fundit ishte i vetëm përballë portieri të Dinamos, Hoxha (gjatë ndeshje priti penalltinë e gjuajtur nga Bledar Mancaku). Gjyqtari ndërkombëtar Sokol Jareci e pranoi publikisht fajin, duke pranuar se nuk e kishte parë momentin e kontaktit të Pishës së Dinamos me Lecin e Besës. Klubi i Besës i kërkoi publikisht FSHF-së ndëshkimin e gjyqtarit të FIFA-s. Sektori i Garave e dënoi në heshtje me dy javë pezullim Sokol Jarecin.
DINAMO-APOLONIA 3-2
Java 11, 21 nëntor 2009
Gjyqtar: Edvin Hoxha (Lezhë)
Rreth minutës së 80-të kur rezultati ishte 1-1, Bakaj mori një top me dorë dhe pason për te Diop që shënon. Edhe ky i fundit rezultoi në moviolë të ishte në pozicion jashtë loje. Pas këtij takimi, ish-presidenti i Apolonisë, Endri Puka, dha dorëheqjen duke akuzuar publikisht shefin e gjyqtarëve në FSHF, Plarent Kotherja dhe vetë federatën e futbollit.  “Ky futboll ka vetëm dhunë dhe lekë”, - deklaroi pas ndeshjes Puka. Në këtë takim shënuan për Dinamon, Fatjon Sefa (2) dhe Ablaje Diop. Për Apoloninë realizuan Arbër Capa dhe Semir Haxhibuliç.
TEUTA-DINAMO 1-3
Java 14, 12 dhjetor 2009
Gjyqtar: Sokol Çekaj (Laç)
Gjatë mesit të pjesë së dytë rezultati ishte 2-1 për Dinamon, durrsakëve nuk u jepet një penallti e pastër pas një faulli të Malotës që pengon me duar lojtarin e Teutës që të kërcejë për të goditur topin. Presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu hodhi akuza të ashpra dhe publike në shtypin sportiv. Dinamo fitoi 3-1 falë golave të realizuar nga Kuli (10’), Soza (20’) dhe Bakaj (66’). Për Teutën në atë takim shënoi me penallti Vangjel Mile (40’).
DINAMO-LAÇI 1-1
Java 17, 24 dhjetor 2009
Gjyqtar: Lorenc Jemini (Tiranë)
Luhen minutat shtesë dhe Laçi udhëheq 1-0 falë golit të Arlind Norës në minutën e 12-të. Në këtë moment gjyqtari Lorenc Jemini akordon penallti për blutë. Soza hyn ne zonë dhe ka kontakt me një mbrojtës të Laçit. Sebino Plaku  dhe barazon rezultatin në minutën e 93-të. Dinamo vinte direkt pas një humbje shkokuese 4-0 me Shkumbinin në Peqin. Specialistët e konsideruan si të dyshimtë këtë penallti. Dinamo e mbylli pjesën e parë të sezonit si kampione dimri me diferencë të qartë nga vendi i dytë, Besa.
TIRANA-DINAMO 1-2
Java 18, 25 janar 2010
Gjyqtar: Bardhyl Pashaj (Tiranë)
Në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë, Muzaka i Tiranës pengohet në zonë, gjyqtari Bardhyl Pashaj dha penallti, por mjaftohet me një karton të verdhë ndaj portierit. Si lojtar i fundit duhej të ndëshkohej me karton të kuq. Në fillimin e ndeshjes, Bici i Tiranës ishte ndëshkuar me karton të kuq si lojtari i fundit pas ndërhyrjes ndaj Bakajt. Në këtë ndeshje u dhanë katër kartonë të kuq, tre për Tiranën (Bici, Nallbani, Muka) dhe një për Dinamon (Bakaj). Burimi: Albania-sport.comE Merkure, 27 Janar 2010

 
Shto dhe ti komentin tend

Emri dhe e-maili

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›