E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dinamo shpallet kampione e Shqipërisë për të 17-en herë

Ora 18:35 e pasdites së të shtunës. Pas një përqafimi me Presidentin Bamir Topi, kapiteni i Dinamos, Arjan Pisha, ngre titullin kampion. Trofeu u mungonte bluve që prej sezonit të largët 2001/‘02, por skuadra kishte zgjedhur mënyrën më të mirë për ta fituar: në javën e fundit të kampionatit, përballë kushërinjve-rivalë të Partizanit. Në një garë dyshe, që i ka mbajtur të gjithë në ankth, Dinamo thyen 2-1 të kuqtë dhe shkruan për të 17-ën herë emrin në Librin e Artë të kampionatit shqiptar. Në tribunën VIP shpërthen shampanja: drejtuesit ngrenë dolli, ndërsa tifozët freskohen pas 90 minutave të kaluara në ankth. Ankth për një trofe që dukej se do të rrëshqiste nga duart pikërisht në fund, puna e një sezoni që për një moment rrezikoi të shkatërrohej plotësisht. Kjo për faktin se për më shumë se gjysmë ore, kampionët e saposhpallur kanë luajtur përballë Partizanit në inferioritet numerik: madje, me dy futbollistë më pak, pas daljeve me karton të kuq të Pollozhanit (minuta e 55-të) dhe Kulit (minuta e 57-të). Rezultati ishte në barazim 1-1. Blutë kishin zhbllokuar rezultatin me Kulin, që vetëm pas 4 minutave lojë shndërroi në gol një penallti të fituar nga Pejiç. Për të risjellë baraspeshën mendoi mbrojtësi Tefik Osmani, që devijon saktë në rrjetë një harkim të Muzakës. Por vetëm kaq, edhe pse luanin 11 kundër 9, të kuqtë nuk ditën të gjenin rrugën e fitores. Përkundrazi, ishte Dinamo ajo që shënoi golin e dytë: në minutën e fundit shtesë Pejiç nxjerr të vetëm të riun Ferraj, që nga fare pranë portës nuk kishte si të gabonte.

Me këtë paraqitje heroike, blutë treguan se e meritonin të shpalleshin kampionë pas shumë javëve në krye të klasifikimit. Polemikat për stadiumin u harruan, e ndërkohë që lojtarët e Partizanit futen në dhomat e zhveshjes me kokën poshtë, në fushë festa kalon deri në kufijtë e euforisë. Mes gjithë këtij gëzimi vetëm dikush mundohet të kontrollojë emocionet dhe nuk harron të tregohet xhentil. Pasi falënderon skuadrën, drejtuesit dhe stafin teknik, trajneri Ilir Daja bën një dedikim special. "Emocionet janë shumë të mëdha për faktin se ky kampionat u zgjidh me ndeshje finale. Ekipet ishin të denja për t‘u shpallur kampion, si ne edhe Partizani dhe meritojnë një bravo. Bukuria më e madhe qëndron në faktin se ne luajtëm me lojtarë më pak dhe futbollistët e mi u treguan heronj për të mbrojtur atë që kishin siguruar gjatë kampionatit, tha trajneri, që dy sezone më parë ishte shpallur kampion edhe me Elbasanin. Kjo fitore është për futbollistët, klubin, presidencën dhe natyrisht paraardhësin tim, Agim Canaj. Çelësi i suksesit ishte mentaliteti i punës së bashku, mendoj se sot fitoi futbolli".

Reagimet

Eufori në kampin blu pas fitores së titullit kampion në ndeshjen e fundit

Presidenti Sulaj: Kjo Dinamo

filloi një cikël fitues

Emocionet e fitores së titullit kanë qenë të papërmbajtshme në kampin dinamovit, ku drejtues e lojtarë kanë festuar me tifozerinë e tyre. Suksesi pas një ndeshjeje plot emocione duket se ia ka shtuar më shumë bukurinë këtij suksesi ndaj rivalëve të Partizanit dhe një gjë të tillë e ka vlerësuar edhe presidenti i bluve, Besnik Sulaj. "Ndjehem i gëzuar pasi ky sukses u arrit në ndeshjen e fundit. Por jam i gëzuar edhe për diçka tjetër, pasi kjo ndeshje mori përmasa të mëdha dhe në çdo ambient flitej vetëm për të. Është kënaqësi që kthyem interesimin për futbollin dhe i përgëzoj djemtë dhe stafin për atë që bënë në këtë sezon. Dinamo e re do të ketë disa përforcime cilësore për të përballuar Ligën e Kampioneve, por edhe për të nisur një cikël që do të fitojë titullin për disa vite radhazi", ishte premtimi i Sulajt menjëherë pas fitores së titullit kampion. Ndërkohë, kapiteni Pisha është shfaqur tepër i emocionuar, ndonëse ka fituar edhe më parë titullin kampion, si me Dinamon, ashtu edhe me Tiranën. "Është një emocion shumë i madh. Nuk mund ta krahasoj me asnjë gjë tjetër. Përveç të gjithë kampionatit që e merituam, lamë pas thashethemet dhe fjalët dhe të gjithë e kuptuan se e meritonim, pasi arritëm të fitonim edhe me 9 lojtarë", tha ai. Edhe portieri Kotorri i ka cilësuar si të papërshkrueshme emocionet e këtij titulli të fituar në minutën e fundit. "Çdo titull është i bukur, por si rrodhën ngjarjet sot, mendoj se një sukses i tillë do të jetë i papërsëritshëm dhe i paharrueshëm për të gjithë. Kishim përballë një Partizan të madh, por Dinamo është më e madhe", theksoi ai. Një tjetër lider i bluve, mesfushori Artion Poçi, i ka thurur elozhe skuadrës për mënyrën sesi e siguroi këtë sukses të rëndësishëm. "Ishte një fitore më se e merituar pas një loje heroike ku ishim me dy lojtarë më pak. Por çdo gjë shkoi në mënyrën e duhur dhe ne fituam duke e merituar titullin", u shpreh ai.

Partizani

Skuadra hesht, Lika i zhgënjyer

Humbja në derbin me Dinamon që përcaktoi edhe titullin kampion ka sjellë një zhgënjim të madh në radhët e Partizanit, duke bërë që të kuqtë të largohen me nxitim nga stadiumi pa bërë asnjë koment. Presidenti Xhani është larguar i pari, pasi nuk ka dashur të ishte në tribunë në momentin kur Dinamo kurorëzohej kampion. Vetëm trajneri Hasan Lika është ndalur para mediave duke komentuar shkurtimisht këtë ndeshje, të cilën skuadra e tij e humbi edhe pse me dy lojtarë më shumë në fushë. "I uroj suksese Dinamos. Për ndeshjen tonë mund të them se nuk vepruam mirë faktikisht. Është e hidhur ta humbasësh titullin në ndeshjen e fundit. Do të ulemi e të bisedojmë me presidentin për përforcimet që do të marrim për vitin tjetër", u shpreh ai para se të largohej ashtu si skuadra e tij nga stadiumi "Selman Stërmasi", ku humbi shansin për t‘i kthyer titullin Partizanit pas 15 vitesh.

Superiore

REZULTATET

Dinamo-Partizani 2-1

Kuli 5‘ (11m), Ferraj 90‘+3‘ / Osmani 33‘

Besëlidhja-Vllaznia 4-2

Gruda 74‘, Da Silva 82‘, 90‘+1‘, Miçiç 85‘ / Sukaj 1‘ (11m), Rraboshta 64‘

Teuta-Besa 3-5

Mile 25‘ 35‘, Gashi 85‘ / Roshi 7‘, Okshtuni 22‘, Mancaku 37‘, 50‘, Alikaj 89‘

Kastrioti-Tirana 1-2

Tali 35‘ / Çapja 8‘, Mohalebi 73‘

Flamurtari-Elbasani 2-2

Alvish 57‘ (11m), Shabani 80‘ / Nenaj 63‘ (11m), Begaj 67‘ (ag)

Skënderbeu-Shkumbini 1-3

Kokona 89‘ / Mustafaj 44‘, 66‘, K.Dalipi 51‘

KLASIFIKIMI

Skuadra N P

1. Dinamo 33 70

2. Partizani 33 65

3. Besa 33 56

4. Elbasani 33 52

5. Shkumbini 33 50

6. Tirana 33 49

7. Vllaznia 33 45

8. Flamurtari 33 44

9. Teuta 33 35

10. Kastrioti 33 35

11. Besëlidhja 33 34

12. Skënderbeu 33 11

Verdiktet e sezonit

Liga e Kampioneve

Dinamo

Kupa UEFA

Partizani

Vllaznia

Kupa Intertoto

Besa

Playout

Kastrioti

Teuta

Kategoria I

Besëlidhja

Skënderbeu

"Këpuca e Artë"

Vioresin Sinani

"Libri i Artë"

1930 SK Tirana

1931 SK Tirana

1932 SK Tirana

1933 Skënderbeu

1934 SK Tirana

1936 SK Tirana

1937 SK Tirana

1945 Vllaznia

1946 Vllaznia

1947 Partizani

1948 Partizani

1949 Partizani

1950 Dinamo

1951 Dinamo

1952 Dinamo

1953 Dinamo

1954 Partizani

1955 Dinamo

1956 Dinamo

1957 Partizani

1958 Partizani

1959 Partizani

1960 Dinamo

1961 Partizani

1962/63 Partizani

1963/64 Partizani

1964/65 17 Nëntori

1965/66 17 Nëntori

1966/67 Dinamo

1968 17 Nëntori

1969/70 17 Nëntori

1970/71 Partizani

1971/72 Vllaznia

1972/73 Dinamo

1973/74 Vllaznia

1974/75 Dinamo

1975/76 Dinamo

1976/77 Dinamo

1977/78 Vllaznia

1978/79 Partizani

1979/80 Dinamo

1980/81 Partizani

1981/82 17 Nëntori

1982/83 Vllaznia

1983/84 Labinoti

1984/85 17 Nëntori

1985/86 Dinamo

1986/87 Partizani

1987/88 17 Nëntori

1988/89 17 Nëntori

1989/90 Dinamo

1990/91 Flamurtari

1991/92 Vllaznia

1992/93 Partizani

1993/94 Teuta

1994/95 SK Tirana

1995/96 SK Tirana

1996/97 SK Tirana

1997/98 Vllaznia

1998/89 SK Tirana

1999/00 SK Tirana

2000/01 Vllaznia

2001/02 Dinamo

2002/03 SK Tirana

2003/04 SK Tirana

2004/05 SK Tirana

2005/06 SK Elbasani

2006/07 SK Tirana

2007/08 Dinamo



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›