E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kaka: Na duhen 20 lojtarë të mëdhenj

Ylli i Milanit, Kaka ka paralajmëruar klubin se i duhen 20 lojtarë të mëdhenj, nëse sezonin e ardhshëm synojnë që të rikthehen në garën për titujt më prestigjiozë. Sezoni i kuqezinjve ka qenë një dështim total, ku pavarësisht triumfit në Superkupën e Evropës dhe në Botërorin për Klube, ata janë eliminuar në fazën e 1/16 të Ligës së Kampioneve. Por, më e keqja është se sipas të gjitha gjasave, skuadra nuk do arrijë të kualifikohet për në aktivitetin më të rëndësishëm për klube në kontinent. Për arsyet e dështimit janë ngritur shumë teori: sipas një pjese të opinionit kjo ka ndodhur pasi Milani ka lojtarë në moshë shumë të vjetër, ndërsa disa të tjerë besojnë se kontingjenti është më i vogël nga sa nevojitet realisht. Hipoteza më e fundit është ngritur nga Kaka, i cili i kërkon klubit që të afrojë të paktën pesë lojtarë me peshë në merkaton e verës. "Nëse dëshirojmë të rikthehemi në majat e futbollit dhe që pas dy vjetësh të fitojmë sërish Ligën e Kampioneve, duhet që skuadra të ketë një grup me 20 lojtarë të mëdhenj", tha braziliani për "Gazzetta dello Sport". "Gjatë këtij sezoni kishim vetëm 15 futbollistë të tillë dhe kjo nuk ishte e mjaftueshme për të përballuar kampionatin dhe Ligën e Kampioneve. Shumë futbollistë nuk kanë arritur të paraqiten në nivelin e tyre, mbase ata nuk kanë ditur si të përballen me presionin, pasi duhej të vërtetonin shumë gjëra brenda një kohe të shkurtër".

Nga ana tjetër, trajneri Karlo Ançeloti predikon qetësi. Përpara javës decizive, ku vendoset fati ndërkombëtar i kuqezinjve, ai tha: "Nëse do të na duhet të luajmë në Kupën UEFA nuk mendoj se ky është fundi i botës". Shpresat për të kaluar Fiorentinën dhe fituar vendin e katërt në kampionat janë të vakëta, por lajmi pozitiv është se ato ekzistojnë. "Kemi ende edhe një shans, vazhdoi Ançeloti. Duhet të fitojmë kundër Udinezes dhe të shpresojmë që nga Torino të vijnë lajme për një rezultat pozitiv në favorin tonë". Në rast të kundërt, skuadra do të marrë atë çfarë i mbetet (Kupën UEFA), por do të jetë e përqendruar për titullin kampion në Serinë A: "Shpallja kampionë do të jetë objektivi kryesor për sezonin e ardhshëm, duke shpresuar që të rikthehemi edhe në Ligën e Kampioneve".


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›