E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dino abuzoi me djalin tonë

Adriatik dhe Elvira D. thanë para trupit gjykues, se greko-anglezi i akuzuar për pedofili, Dino Christodulu, ka abuzuar seksualisht me djalin e tyre vetëm 4 vjeç, gjatë kohës që strehohej në qendrën Fëmijët e tij

TIRANË - Dëshmitë e të miturve dhe prindërve të tyre përditë e më tepër hedhin dritë mbi dyshimet për abuzime seksuale ndaj fëmijëve të strehuar në qendrën bamirëse “Fëmijët e tij”. Dy prindër nga kryeqyteti thanë në seancën e djeshme të procesit kundër David Braun, se djali i tyre vetëm 4 vjeç ishte dhunuar seksualisht gjatë kohës së qëndrimit në qendrën “Fëmijët e tij” nga greko-anglezi Dino Christodulu, duke lehtësuar kështu “babanë”, të cilin sipas dëshmitarëve, djali i tyre e donte shumë. Dëshmia e Elvira dhe Adriatik D., të cilët u referohen ankesave dhe shqetësimeve të djalit të tyre, me një dëshmi rrëqethëse, rihedh edhe një herë dritë mbi perversitetet dhe abuzimet seksuale që kryheshin në fondacionin bamirës. Prindërit e F. akuzuan direkt greko-anglezin Dino Christodulu, si personi që kishte abuzuar seksualisht me të miturin, fakt i pohuar nga vetë djali gjatë qëndrimit me prindërit në një ditë feste. “Xhaxhi Dino më ka dhunuar”, - riprodhoi fjalët e të birit para trupit gjykues Adriatik D., babai i djalit tashmë 8 vjeç, i cili herë pas here shfaq probleme shëndetësore dhe vështirësi në të folur. Historia e dhimbshme e F. D., djalit që do të vuajë përjetë pasojat e abuzimeve seksuale në qendrën “Fëmijët e tij”, nis në tetor të vitit 2004, kur prindërit e tij, Elvira dhe Adriatiku, në pamundësi për t’i krijuar kushtet më minimale të jetesës, e dërgojnë në fondacionin e David Braunit. Sipas dëshmisë së Elvira D., dhënë ditën e djeshme para gjykatës, djali i saj F., në atë kohë vetëm 4 vjeç, është strehuar në qendër, në këmbim të së cilës David Braun i kishte ofruar rreth 4 mijë lekë për të paguar një dhomë me qira, si dhe ushqime të ndryshme për të mbajtur frymën gjallë, pasi ishin në gjendje shumë të rëndë ekonomike. Elvira tregon se në maj të vitit 2005 ka marrë me leje djalin nga qendra për të festuar festën e “Shën Gjergjit” në dhomën e marrë me qira. Pikërisht këtë ditë zbulohet e vërteta tronditëse dhe abuzimet që fëmija kishte përjetuar gjatë qëndrimit në qendrën “Fëmijët e tij”. “Për një moment djali shkon të kryejë nevojat personale, por del nga banja duke qarë. I ati e pyet se çfarë kishte, dhe djali i përgjigjet se ka shumë dhimbje”, - thotë Elvira, e cila më pas tregon se ka shkuar në qendrën bamirëse, ku ka takuar Naqin. Pasi i ka treguar gjithçka rreth shqetësimeve të djalit, sipas saj, Naqi i ka thënë se “nuk bëhen këto pisllëqe këtu, prandaj mos ki merak”. Të njëjtën dëshmi dha para gjykatës edhe babai i 8-vjeçarit, Adriatik D. “E morëm djalin me leje në shtëpi për të festuar “Shën Gjergjin”. Për një moment djali del duke qarë nga banja dhe kur e pyes më thotë: “Xhaxhi Dino më ka bërë me b...”. Pas përfundimit të dëshmisë së prindërve, prokurori kërkoi që i mituri të pyetet në procesin tjetër që po zhvillohet në Gjykatën e Tiranës ndaj Dino Christodulu dhe Robi Arnold, të cilët akuzohen për “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”.

Prokuroria: “Anglezi nuk është impotent”

David Braun, i cili dyshohet për abuzime seksuale me të mitur që strehoheshin në qendrën “Fëmijët e tij”, deklaroi në seancën e djeshme se është impotent. Një pretendim të tillë Braun e ka paraqitur nëpërmjet përgjigjeve të analizave të kryera në një klinikë, të cilat vërtetojnë se 56-vjeçari është impotent. Por pretendimet e britanikut janë hedhur poshtë nga organi i akuzës, përfaqësuesi i të cilit i ka dorëzuar gjykatës rezultatet e analizave të realizuara në një tjetër klinikë. Sipas përgjigjeve të analizave, rezulton se problemet e David Braun nuk e pengojnë atë të kryejë aktivitet seksual.

Kërkohet përjashtimi i gjyqtarit

Avokatja mbrojtëse e 56-vjeçarit të akuzuar për marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur kërkon për herë të dytë përjashtimin e kreut të trupit gjykues, gjyqtarit Gerd Hoxha. Avokatja lexoi në seancën e djeshme kërkesën e depozituar në gjykatë, sipas së cilës gjyqtari Gerd Hoxha në seancën e fundit ka treguar njëanshmëri ndaj prokurorit. “Pas seancës pashë të shoqëruar tek shkallët e gjykatës gjyqtarin dhe prokurorin, fakt i cili tregon njëanshmëri në gjykim”, - citoi avokatja kërkesën për përjashtimin e gjyqtarit, e cila do të shqyrtohet nga një tjetër gjyqtar i Gjykatës së Tiranës në ditët në vazhdim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›