Ndryshojnë çmimet e tokës për kompensim

Procesi i kompensimit monetar të pronave pritet që shumë shpejt të ndryshojë kurs drejtimi. Pikërisht në prag të fillimit të procesit të kompensimit për vitin 2008, ekzekutivi do të nisë ndryshimin e çmimit të tokës të përcaktuar në hartat e vlerës, të cilat shërbejnë për kompensim. Ndryshimet e çmimeve do të vijnë si rezultat i përmirësimeve që do t’i bëhen “Metodikës për vlerësimin e pronës së paluajtshme”, e miratuar nga Kuvendi më 28.04.2005, por që cilësohet me probleme të karakterit metodologjik. Metodika është dokumenti bazë që përcakton llogaritjen e saktë të vlerës së pronës së paluajtshme, e cila në bazë të ligjit nuk kthehet, por kompensohet. Burime zyrtare pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave thanë për gazetën “Korrieri”, se për ndryshimin e metodikës së vlerësimit të pronës është ngritur një grup ndërministror, për të përcaktuar në vija konkrete ndryshimet, por edhe mjetet dhe fondet e nevojshme për realizimin e saj. Edhe pse kjo mund të quhet një punë voluminoze, ku në vitin 2005 hartimi i metodikës nga Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të asaj kohe bëri të mundur hartën e parë të vlerës së tokës, ku metodika është cilësuar si jo e saktë. Raste konkrete të kësaj situate janë përcaktimi i çmimit të tokës për disa nga qarqet kryesore të vendit, ku nga këta të fundit janë bërë një sërë gabimesh në përcaktimin e vlerës. Kjo ka sjellë që çmime të ndryshme të tokës t’i jenë dërguar për miratim Këshillit të Ministrave dhe çmime të tjera të jenë përcaktuar nga qarqet. E gjithë kjo situatë ka sjellë që Këshilli i Ministrave të nisë nga puna për ndryshimin e metodikës së vlerësimit të pronës. Sakaq, në rast se ndryshimet përfundojnë para muajit gusht, kompensimi monetar i pronarëve do të vijë me çmimet e reja që do të përcaktohen nga metodika e re. Ish-kryetari i Komitetit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Sokrat Sinaj, gjatë prezantimit të punës së këtij institucioni në vitin 2005 në Kuvend, e ka cilësuar “Metodikën për vlerësimin e pronës së paluajtshme që kompensohet dhe asaj që do të shërbejë për kompensim”, si aktin më të rëndësishëm të procesit, e realizuar në bashkëpunim me një bërthamë ekspertësh profesionistë të fushës.
Sakaq, nga ana e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave ende nuk kanë përfunduar harta e vlerës së tokës për zonat bregdetare. Kjo do të thotë se pronarët e këtyre zonave nuk do të përfshihen këtë vit në procesin e kompensimit, e cili pritet të nisë në muajin gusht. Mësohet se një nga shkaqet kryesore të kësaj situate është ndryshimi që do t’i bëhet metodikës së vlerësimit të pronave. Përveçse kësaj, ngërçi kryesor mbetet edhe mungesa e planeve rregulluese për zonat turistike, me të cilët do të bëhej edhe përcaktimi i ndërtimeve që do të prishen. Po ashtu, pritet që shumë shpejt Agjencia e Kthimit dhe e Kompensimit të Pronave të përfundojë krijimin e databases me gjithë informacionin e vendimeve të marra nga viti 1993-2007, për subjektet e shpronësuara. Në këtë mënyrë, me kompensimin monetar të vitit 2008, AKP-ja do të kryejë një punë më të mirëorganizuar, ku çdo kërkesë e ish-pronarëve do të verifikohet në databasen e agjencisë. Por ashtu, sipas agjencisë, vlera e kompensimit edhe për këtë vit do të jetë deri në 200 m2 të sipërfaqes së përcaktuar për kompensim, në bazë të hartës së vlerës së miratuar sipas vendndodhjes së pronës që kompensohet. Por, duke qenë se para pak ditësh Këshilli i Ministrave miratoi çmimin e tokës në disa qarqe të tjera, duke e konsideruar të mbyllur hartën e çmimit të tokës, kjo sjell që të mos ketë kufizime tek aplikuesit. Po ashtu, sipas Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, edhe për këtë vit përzgjedhja e fituesve do të jetë sipas radhës kronologjike të përcaktuar nga numri i vendimit sipas viteve. Për ata subjekte të cilët kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Gjatë vitit 2007, nga fondi i buxhetit të shtetit përfituan 117 subjekte të shpronësuara, nga 467 kërkesa që u paraqitën.
Metodika e miratuar që në vitin 2005
“Metodika për vlerësimin e pronës së paluajtshme” është miratuar nga Kuvendi më 28.04.2005. Metodika është dokumenti bazë, që përcakton llogaritjen e saktë të vlerës së pronës së paluajtshme, e cila në bazë të ligjit nuk kthehet, por kompensohet. Pas miratimit të kësaj metodike nga Kuvendi, nga Komiteti i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave institucioni hartues i saj ka përcaktuar për herë të parës hartën e vlerës së çmimeve për qarkun e Kavajës.
117 subjekte të kompensuara në 2007-ën
Gjatë vitit 2007, nga fondi i buxhetit të shtetit përfituan 117 subjekte të shpronësuara, nga 467 kërkesa që u paraqitën. Pronarët janë kompensuar në vlerë monetare me çmimet e tokës së përcaktuar nëpërmjet kësaj metodike dhe me fondin prej 5 milionë dollarësh të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit.