E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krizë brenda qeverisë

Koalicioni LDK-PDK rrezikon të përçahet

Katër muaj pas shpalljes së pavarësisë, shteti i Kosovës përballet me krizën e parë politike brenda koalicionit qeverisës. Vendimi i kryeministrit kosovar, Hashim Thaçi, për të shkarkuar nga detyra zëvendësministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Naser Osmani, ka shkaktuar zemërim në radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryesia e kësaj partie kërcënoi dje se do të dalë nga koalicioni qeverisës, nëse kryeministri Thaçi nuk rishikon vendimin e tij. Sipas kryesisë së LDK-së, vendimi i kreut të qeverisë ishte i nxituar. Por reagimi i saj bie ndesh me atë të kryetarit të kësaj partie, presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiut, i cili e quajti mëse të ligjshëm vendimin e Thaçit për të shkarkuar Osmanin, pas fyerjeve dhe kërcënimeve ndaj qeverisë gjatë incidenteve të së hënës në parlament. Gjithsesi, kryesia e LDK-së e bëri të qartë dje se nuk e pranon këtë vendim, të cilin e konsideron shkelje të marrëveshjes për krijimin e koalicionit. Ndërkohë i përfshiri në ngjarjen e djeshme në parlament, anëtari i kryesisë së LDK-së, Naser Osmani, paralajmëroi mundësinë e daljes së LDK-së nga koalicioni qeverisës nëse kryeministri nuk e tërheq vendimin. Incidenti në seancën e parlamentit ndërmjet ministrit Limaj dhe zëvendësministrit Osmani ka shkaktuar në këtë mënyrë krizën e parë brenda koalicionit qeverisës PDK-LDK. Pas një mbledhjeje të jashtëzakonshme, kryesia e LDK-së doli me qëndrimin se nuk e pranon vendimin e kryeministrit Hashim Thaçi për shkarkimin e zëvendësministrit Naser Osmani. “Kryesia e LDK-së konsideron që vendimi për shkarkimin e zëvendësministrit Osmani nga ana e kryeministrit Hashim Thaçi ishte vendim i ngutshëm dhe shkelje e marrëveshjes së partneritetit qeverisës. LDK-ja kërkon që krerët e koalicionit qeverisës të ulen dhe të diskutojnë në kohën më të shpejtë të mundshme, për ta shqyrtuar rastin në fjalë dhe, deri atëherë, kryesia jonë e konsideron çështjen të pazgjidhur”, deklaroi nënkryetari i LDK-së, Fadil Ferati. Ndërkohë, vetë Osmani, që është edhe anëtar i kryesisë së LDK-së, tha se partia e tij është e bashkuar në mbrojtje të unitetit të LDK-së. Osmani foli edhe për një krizë të thellë që e ka kapluar koalicionin LDK-PDK. “Është çështje që do të diskutohet shumë seriozisht, sepse ky koalicion ka hyrë në një krizë të thellë”, ka thënë Osmani. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, nëse mbrojtja e unitetit të LDK-së mund të rrezikojë përçarjen e koalicionit qeverisës, Osmani tha se, nëse do të jetë e nevojshme, edhe ajo do të ndodhë. Asnjë reagim nuk pati nga qeveria apo radhët e PDK-së, për të komentuar qëndrimet e kryesisë së partnerit në koalicion të LDK-së. Osmani u shkarkua me vendim të kryeministrit Thaçi, pas një debati të ashpër në kuvend, ku ai fyeu dhe kërcënoi anëtarët e qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›