Diploma, studentët e Juridikut në grevë urie
VLORË - Studentët e degës së Juridikut të universitetit 'Ismail Qemali' Vlorë kanë nisur sot në orën 12:00 grevën e urisë, të paralajmëruar prej një muaji. Kërkesa e tyre nuk gjeti zgjidhje ndaj sot ata kanë zgjedhur masën më ekstreme të protestës, grevën e urisë. Këta studentë që janë diplomuar këtë vit, kërkojnë ndryshimin e emërtimit të diplomës së tyre. Greva është duke u zhvilluar tek godinat e reja të universitetit në lagjen Skelë. Mësohet se janë të shumtë në numër studentët që kanë filluar tashmë grevën e urisë.
Përfaqësues të tyre thotë se janë njoftuar policia dhe organe të tjera kompetente. Ata shprehen të vendosur për të marrë ç'ka iu takon. Studentet kanë protestuar disa herë, madje edhe para Ministrisë së Arsimit, duke u shprehur të indinjuar ndaj indiferencës me të cilën po përballen. "Nuk është e drejtë që katër vitet e sakrificave tona dhe të prindërve tanë për të na shkolluar në arsimin universitar të konvertohen me një titull 'njohës ligjesh'. Studentët e Tiranës që kanë bërë po të njëjtin program si ne, kanë në diplomë titullin 'Jurist', shprehen të indinjuar studentët grevistë.