Diplomaci e Re për Gazën, Egjipti, Turqia dhe Katari hartojnë plan të ri armëpushimi

Egjipti, Turqia dhe Katari po punojnë së bashku për një propozim të ri armëpushimi dhe lirimi pengjesh që do t’i prezantohet lëvizjes Hamas. Lajmi u bë i ditur nga Sky News Arabia, në një kohë kur përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza po intensifikohen sërish.
Ky zhvillim vjen ndërsa Hamasi po tenton të rregullojë marrëdhëniet e tensionuara me Egjiptin. Sipas burimeve të gazetës izraelite Haaretz, një delegacion i lartë i Hamasit ndodhet në Kajro për bisedime me zyrtarët egjiptianë. Marrëdhëniet mes tyre u përkeqësuan javën e kaluar, pas deklaratës së një zyrtari të Hamasit, Khalil al-Hayya, i cili sugjeroi se egjiptianët duhet të protestonin kundër situatës humanitare në Gaza. Kjo deklaratë u konsiderua si një nxitje e tensioneve dhe krijoi pakënaqësi në Kajro.
Megjithatë, një burim i cituar nga Haaretz shprehet me pesimizëm për suksesin e negociatave, duke theksuar se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk ka shfaqur shenja ndryshimi në qëndrimin e tij dhe vazhdon të vendosë kushte dorëzimi. Kjo situatë e bën këtë raund bisedimesh të nisë me pak shpresë për një zgjidhje të shpejtë.
Ndërhyrja e përbashkët e Egjiptit, Turqisë dhe Katarit tregon për një përpjekje të shtuar rajonale për të ndërmjetësuar një zgjidhje, pavarësisht vështirësive dhe qëndrimeve të ngurta të palëve ndërluftuese. Negociatat e mëparshme kanë hasur në bllokime të vazhdueshme, duke lënë miliona njerëz në Gaza në një krizë të thellë humanitare. Ky propozim i ri pritet me interes, si një dritare e mundshme për t’i dhënë fund vuajtjeve dhe për të avancuar drejt një armëpushimi të qëndrueshëm.
/rtsh.al/