E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfilatë mjedisore me materiale të riciklueshme

40-vjetori i Ditës së Tokës, nën moton “Kujdesu për mua”

Në 40-vjetorin e Ditës së Tokës, në Tiranë fëmijë e të rinj paraqitën problemet mjedisore që aktualisht shqetësojnë planetin Tokë, në një sfilatë mjedisore. Ky “parakalim” ishte ndërtuar mbi bazën e materialeve dhe mbetjeve të riciklueshme, duke promovuar sjelljet pozitive ndaj mjedisit, si dhe duke përcjellë sfidat e së ardhmes për cilindo. Pjesë e këtij aktiviteti ishte dhe paraqitja e punimeve të fëmijëve, në kuadër të projektit CLEEN, si dhe Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve me nismën e tyre të fundit, atë të nxitjes së reagimit qytetar, në shërbim të ruajtjes së pastërtisë së mjedisit publik.

Kryebashkiaku Rama, i pranishëm në aktivitet, vlerësoi ndërmarrjen e nismave të tilla, për të vetëdijesuar mbi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka kontributi i secilit në mbrojtjen e Tokës së përbashkët. Kreu i bashkisë vuri gjithashtu theksin në punën e Bashkisë së Tiranës, për një mjedis sa më të pastër e të mbrojtur, duke konsideruar kontributin e gjithsecilit në këtë drejtim. “Sot kemi një Tiranë shumë më të pastër se dje, nesër do të kemi një Tiranë edhe më të pastër se sot, por pa pikë dyshimi është në dorën tonë të kuptojmë se çka bëjmë sot në përmasën shumë të vogël të jetës sonë individuale, është shumë e rëndësishme, jo thjesht për rrugën apo lagjen ku jetojmë, por për të gjithë vendin tonë, për të gjithë planetin tonë”, tha kryebashkiaku Edi Rama. Kanë kaluar tashmë 40 vjet që nga dita e parë e “Ditës së Tokës”, 22 prill 1970, kur 20 milionë njerëz u bashkuan në një nga manifestimet më të mëdha të opinionit publik në histori, me synimin për t’i dhënë zë shqetësimit të tyre, mbi situatën e mjedisit në atë kohë dhe për treguar mbështetjen e tyre në mbrojtjen e tij. është bërë tashmë traditë që për Ditën e Tokës, qytetarë, fëmijë, të rinj e të moshuar falin pak nga koha e tyre për të mbjellë një pemë, pastruar një territor publik, si dhe për të marrë pjesë në evente që synojnë të rrisin ndërgjegjësimin qytetar ndaj çështjeve mjedisore.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›