Marrëveshje me biznesin italian
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë nënshkroi dje memorandumin e bashkëpunimit me Dhomën e Tregtisë, Industrisë, Bujqësisë dhe Artizanatit të zonës së Sienës. Dy kryetarët e Dhomave, ai i Tiranës, Nikolin Jaka, dhe ai i Sienës, Massimo Guasconi, e nënshkruan këtë marrëveshje në prani të drejtorit të ICE, Francesko Vituli, si dhe të bizneseve anëtare të Dhomës së Tregtisë Tiranë. Kryetari i Dhomës së Tiranës u shpreh në fjalën e tij pas nënshkrimit të këtij memorandumi se “Italia është partneri i parë tregtar i Shqipërisë. Sipas të dhënave të Raportit të Qendrës Shqiptare për Tregtinë e Jashtme, të publikuar ditët e fundit, vëllimi tregtar me fqinjin tonë perëndimor arriti në 1 miliard e 404 milionë euro gjatë vitit të kaluar, nga të cilat 912 milionë euro importe nga Italia për në Shqipëri”. Duke vlerësuar këtë moment si të rëndësishëm kryetari Jaka u shpreh se “investuesi italian do të gjejë gjithnjë në Shqipëri një ambient mikpritës dhe vlerësues për sipërmarrjen e tij. Në kuadër të partneritetit me dhomat simotra Dhoma e Tiranës ka përfaqësi në disa rajone shumë të rëndësishme të Italisë qendrore dhe veriore, si në Romë, Milano, Torino, në rajonin e Friuli-Venecia-Xhulias dhe në Veneto.
#