Diplomacia aktivizon Presidentin, skema e negociatave deri më 11 maj

Ndërkombëtarët ndërmarrin zbatimin e planit intensiv për fillimin e negociatave të dyta mes mazhorancës dhe opozitës në Shqipëri për zgjidhjen e krizës. Plani i ri që është hartuar nga përfaqësuesi i Presidencës së BE-së në Tiranë, Manuel Montobio, dhe kreu i Delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan, parashikon nisjen e bisedimeve deri të hënën në mëngjes, pra më datën 10 maj, në mënyrë që fillimi i takimit të Këshillit të Stabilizim-Asocimit mes BE-së dhe Shqipërisë që zhvillohet më 11 maj në Bruksel, të ketë në tryezë nisjen e zgjidhjes së krizës politike që është agravuar që prej një jave. Misioni për nisjen e negociatave është bërë edhe pas marrjes së sinjaleve për një lëshim të mundshëm nga ana e mazhorancës, e cila, sipas burimeve, është e gatshme të lejojë hapjen e kutive të materialeve zgjedhore, variant që mund të justifikohet me marrjen e dokumenteve zyrtare, që doli si opsion nga goja e vetë Kryeministrit Berisha dy ditë më parë. Diplomatët perëndimorë do nisin misionin e tyre për të negociuar për krizën shqiptare, duke u fokusuar sërish tek i njëjti institucion i Republikës, pikërisht Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Me anë të një lëvizjeje që ka shfaqur shenjat që prej dy ditëve në rrethin e konsultimeve të djeshme është përfshirë edhe zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i cili ka realizuar një takim me Presidentin Topi, ndërkohë që janë zhvilluar edhe biseda me përfaqësues të trupit diplomatik. Pas mbledhjes së kryer tri ditë më parë nga diplomatët e BE-së së akredituar në Tiranë, dy ambasadorët që përfaqësojnë Brukselin në Tiranë kanë nisur dje aksionin ndoshta final në përpjekje për të negociuar zgjidhjen e krizës. Por në këtë aksion, edhe pse jo në dalje direkte, është përfshirë edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John Withers, i cili ka takuar dje Presidentin e Republikës, Bamir Topi. Biseda është zhvilluar në banesën e Withers, në kodrën “Rilindja”, pranë Saukut.
WithersNë orët e parë të paradites së djeshme, kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, ka zhvilluar një takim me ambasadorin e Amerikës në Shqipëri, John Withers, që është zhvilluar në rezidencën e diplomatit të Uashingtonit, pranë Varrezave të Dëshmorëve. Takimi ka zgjatur mbi 30 minuta dhe siç mësohet është biseduar mbi gjetjen e mënyrave për daljen nga kriza, duke hapur një fazë të re negociate. Mësohet se diplomati i Uashingtonit është shprehur i gatshëm për të kontribuar për gjetjen e një zgjidhje, duke ritheksuar qëndrimin që, duhet të jenë shqiptarët ata që duhet të gjejnë zgjidhjen mes vetes. Ambasadori Withers ka vlerësuar rolin e Topit në negociatat e para që u zhvilluan në shkurt, ndërkohë që ka konsultuar mënyra të ndryshme të zhvillimit të bisedimeve.
Montobio-LohanPas takimit me diplomatin e SHBA-së, në zyrën e kreut të shtetit shqiptar ka mbërritur dyshja drejtuese e Bashkimit Europian në Tiranë, përkatësisht ambasadori spanjoll, Manuel Montobio dhe
kreu i delegacionit të Komisionit Europian, Helmut Lohan. Takimi ka zgjatur pak më shumë se 45 minuta dhe është folur për nismën e re diplomatike për nisjen e fazës së dytë të negociatave. Njerëz pranë palëve kanë bërë të ditur se kësaj radhe bisedimet kanë qenë më shumë “sekrete” sesa herën e parë. Kjo pasi në shkurt ishte e qartë ideja e thirrjes së një tryeze politike, por kësaj radhe nuk është folur për një skemë fikse. Ambasadorët kanë folur për takimin e zhvilluar të martën dhe për sinjalet që vijnë nga Brukseli. Mësohet se diplomatët i kanë përcjellë Presidentit Topi sinjalet dramatike që vijnë nga kryeqendra e BE-së se, nëse nuk zgjidhjet kriza, pasojat mund të jenë fatale për Shqipërinë. Në lidhje me këtë takim, ka dalë vetëm një komunikatë për shtyp, në të cilën theksohet se “bashkëbiseduesit e vunë theksin në rëndësinë e rifillimit sa më të shpejtë të dialogut politik institucional, i cili është një hap sa i domosdoshëm, aq edhe i rëndësishëm për kapërcimin e situatës së krijuar dhe zgjidhjen e saj në kërkim të ruajtjes së standardeve institucionale dhe të forcimit të vlerave demokratike në Shqipëri dhe ecurisë së suksesshme drejt integrimit të plotë të saj në Bashkimin Europian”.
Po dje paradite, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka zhvilluar një takim me zv/kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, i cili dy ditë më parë lëshoi mesazhe të forta pro nisjes së dialogut. Burime diplomatike kanë bërë të ditur për “Shqip” se zoti Meta ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar për zgjidhjen e situatës, sinjale që janë pritur mirë nga kancelaritë perëndimore, sidomos edhe nga përfaqësues të të majtëve europianë që e kanë inkurajuar këtë aksion. Presidenti Topi dhe zv/kryeministri Meta kanë diskutuar për skemën e re të dialogut, i cili mund të siguronte kësaj here një sukses, por që koha është shumë e limituar, deri të martën e ardhshme, në orën 15:00, kur dhe fillon takimi i Këshillit të Stabilizim-Asocimit.
#