Gruaja e parë arabe në Body Building
Me muskujt e saj të tonifikuar dhe tatuazhet nëpër krahë, Farah Malhass është objekt i shumë kritikave nga ana e femrave jordaneze. E lindur në Jordani, para 26 vjetësh, Farah nuk shqetësohet shumë për mendimet e njerëzve që janë kundër saj. Qëllimi është të bëhet femra e parë arabe që merr pjesë në një konkurs ndërkombëtar të “Body Building”. “Asnjë nuk e kupton se përse dua të bëhem një yll ndërkombëtar i ‘Body Building’”, thotë vajza nga Lindja e Mesme. Malhass është bërë një shembull shumë i përfolur i konservatorëve jordanezë, jo vetëm për trupin e saj të mbuluar me tatuazhe: një engjëll me gjoks të zbuluar në kofshë, krahët e engjëllit në shpinë dhe fraza simbolike në krahë. “Je dikush kur heq dorë nga të qenurit askush”, përkthehet njëri nga tatuazhet. “Vetëm ai që të lëndon mund të të ndihmojë të shërosh dhimbjet”, është kuptimi i tjetrit. Kur gazetari e ka pyetur nëse ka ndier dhembje kur ka bërë tatuazhet, Farah është përgjigjur: “Po, të dhembin shumë, por dhembja është edhe terapeutike në të njëjtën kohë, sepse të lejon të harrosh vuajtjen e brendshme”. “Për mua tatuazhet janë gjallëri. Tregojnë identitetin tim dhe rrugën që dua të ndjek”, shpjegon Malhass. Ajo thotë se tatuazhin e parë e ka bërë në moshën 17-vjeçare, pastaj të tjerët, i ka bërë në Bejrut. Bukuroshja 26-vjeçare ka lindur në një familje të pasur jordaneze; ka një motër, ndërsa prindërit janë ndarë kur ajo ishte e vogël. Farah i ka shkëputur lidhjet me të atin që kur prindërit u ndanë. Tani babai i saj është biznesmen, ndërsa me të ëmën takohet rrallë, sepse është gjatë gjithë kohës në udhëtim.
“Mua dhe motrës na ka rritur gjyshi. Ai gjithmonë më ndalonte të bëja gjërat që dëshiroja, kështu që kur mbusha 20 vjeçe vendosa të ndahesha nga ai dhe jetova vetëm për të ndjekur ëndrrën time”, tregon ajo.
Rebele që në vogëli, Farah e ka kultivuar ëndrrën e saj që prej moshës 14-vjeçare, atëherë kur i premtoi vetes se fotografia e saj do të rrinte varur nëpër muret e palestrave. Stërvitjet i filloi kur ishte 20 vjeçe, pavarësisht mosmiratimit nga ana e familjes, të cilët pretendonin se nuk kishte arsye që ta deformonte trupin dhe të bëhej e shëmtuar. Pas një karriere të dështuar shkollore në kolegjin “Saint Martins College” në Londër për të studiuar art, vajza u kthye në Jordani dhe u bashkua me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin në vitin 2007. Gjatë asaj kohe punonte me emigrantët irakianë. Punën e vazhdoi deri në vitin 2009, kur vendosi t’i përkushtohej dëshirës për t’u bërë një kampione e “Body Building”. Sot, kjo ëndërr është gjithnjë e më pranë për t’u bërë realitet. Në fakt, në shtator të këtij viti, Farah do të shkojë në Kanada për të marrë pjesë në një kompeticion amatorial të “Body Building” për meshkuj dhe femra, të cilët nuk dëshirojnë të zhvillojnë shumë muskujt.
“Nëse do të fitoja çmimin e parë, më vonë do të marr pjesë në kompeticionet profesionale”, shprehet ajo.
Farah Malhass është e vendosur që të bëhet gruaja e parë arabe që merr pjesë në një eveniment ndërkombëtar të “Body Building”. Ajo që të bie menjëherë në sy sapo e sheh është bukura tipike arabe, ka flokë të gjatë të zinj, trup të tonifikuar dhe me muskuj, e plot tatuazhe, diçka anormale për femrat jordaneze. “Të gjithë janë kundër meje. Asnjë nuk e kupton ëndrrën time, pasionin që kam për sportin dhe në veçanti për ‘Body Building’”, thotë Farah.
Federata jordaneze e “Body Building” nuk dëshiron të pranojë në radhët e saj femra, pavarësisht pjesëmarrjes së saj të mëparshme në ligën amatore në Kanada. Pavarësisht kësaj, ajo duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet: “Do të stërvitem çdo ditë që të arrij të bëhem dikush në jetë. Nëse arrij të fitoj çmimin e parë, do të marr pjesë në kompeticionet profesionale”.
Por në Aman, planet e saj shihen më shumë me tallje, sesa me skepticizëm dhe inkurajim. Federata jordaneze e “Body Building” e ka të vështirë të pranojë në radhët e saj një grua, madje ka guxuar ta ngrejë zërin kundër vajzës duke i thënë: “Nuk të vjen turp që sfilon me rroba banje para botës?”. Deri më tani Farah është mbështetur vetëm nga Zeid al-Far, një atlet jordanez, me të cilin ka shkuar edhe në Toronto. Farah po përpiqet të gjejë edhe ndonjë sponsor për të realizuar ëndrrën e saj, por kjo gjë po i duket më e vështirë nga ç’e priste. Pas shumë përpjekjesh, ka arritur të bindë drejtuesin e një radioje në Aman dhe pronarin e një klubi nate. “Përgatitjet për konkursin janë të kushtueshme, pasi këtu përfshihen edhe vitaminat për shëndetin, palestra, ushqimi. Më është dashur të shes makinën për të përballuar një pjesë të madhe të shpenzimeve”, thotë ajo.
Farah këmbëngul se dëshiron ta arrijë vetë objektivin e saj, pa ndihmën e familjes. “Gjyshi im është i sëmurë dhe nëse do ta merrte vesh që unë do të marr pjesë në një kompeticion të tillë, është e sigurt se nuk do të shërohej më. Nuk dua që ai të largohet nga kjo botë me brengë në zemër. Duhet të jetojë i qetë edhe ato pak ditë që i kanë mbetur”.
#