E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji i arsimit të lartë, të hënën nis lufta

Konferenca e Rektorëve, forumet me grupet e interesit do diskutojnë për diplomat, lektorët, shkeljet kushtetuese

Projektligji i arsimit të lartë, i cili për më shumë se dhjetë ditë ka ngjallur shqetësim dhe paqartësi në strukturat universitare, do të diskutohet gjerësisht para miratimit përfundimtar. Pasi ka kaluar plot një javë nga dërgimi i peticionit të universiteteve publike, në adresën e Kryeministrisë, ditën e hënë, pritet mbledhja e Konferencës së Rektorëve. Po ashtu, këtë javë pritet edhe diskutimi i këtij projektligji nga Task Forca e shëndetësisë.

Konkretisht, profesorati i Fakultetit të Mjekësisë, si dhe qendrat spitalore universitare nuk kanë reaguar ende në mënyrë institucionale dhe zyrtare. Kjo, për shkak se sipas tyre, projektligji ndodhet ende në fazë diskutimi dhe nuk kanë një informacion se do të ketë miratim të menjëhershëm.
Ndërkohë që mbledhja e Konferencës së Rektorëve do të dalë në përfundime të sakta dhe konkrete për gjërat që do t’i kërkohen ministrit të Arsimit, Kryeministrit e madje edhe në instanca të tjera ligjore, për të miratuar ndryshime të qenësishme dhe të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës në universitetet e vendit.

Mbledhja dhe kërkesat

Konkretisht do të diskutohet mes specialistëve, profesorëve, dekanëve dhe rektorëve, problemi i titujve të diplomave, kriteret e parashikuara në projektligj për të qenë lektor, pedagog, shef i shërbimit të shërbimeve shëndetësore në institucionet publike universitare. Këtë javë pritet që të organizohen forume me specialistë, me profesorë të universiteteve shtetërore, si dhe këshillat studentorë. Po ashtu, pritet që këtë javë të gjitha shkeljet që sipas universiteteve janë përfshirë në projektligjin e arsimit të lartë, do të bëhen publike, si dhe do të kërkohet në mënyrë të menjëhershme që ky draft të kthehet mbrapsht për shqyrtim, konsultim dhe rakordim mes të gjithave grupeve të interesit, që deri në dorëzimin e këtij projekti pranë Këshillit të Ministrave nuk kanë qenë në dijeni të amendimeve të kërkuara.

Projektligji i arsimit të lartë

Sipas ndryshimeve kërkohet që lektorët, të cilët japin mësim në institucionet e arsimit të lartë publik, në ciklin e parë të studimeve, të kenë minimalisht titullin “Master shkencor”. Ndërkohë që për kurset apo ciklet e studimit parauniversitar, kërkohet që profesorët në këto “sektorë” të kenë të paktën titullin “Master”. Po ashtu, në këtë projektligj kërkohet që: “në fakultetet e mjekësisë të institucioneve publike të arsimit të lartë që kanë spitale universitare, përgjegjës i shërbimit është titullari i shërbimit. Ai duhet të jetë figurë e spikatur në fushën e shërbimit dhe të ketë së paku titullin akademik ‘Profesor i asociuar’ ose gradën shkencore ‘Doktor’, të fituar në një universitet të njohur jashtë vendit”, thuhet në projektligjin për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë. Projektligji për disa ndryshime në ligjin e arsimit të lartë, ka parashikuar edhe disa pika lidhur me punësimin e personelit akademik. Risia më e madhe lidhur me këtë çështje ka të bëjë me ruajtjen e vendit të punës për plot pesë vjet, për ata profesorë që largohen në detyra të rëndësishme shtetërore dhe politike.
Sipas projektligjit, dorëzuar në sekretarinë e qeverisë, disa nga pikat kryesore që kërkohen për ndryshim, nuk janë vetëm titujt e diplomave, por edhe ekuivalentimi i tyre, pavarësisht viteve të shkollimit, në ciklin e parë të studimeve.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›