E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia përballë politikës

Gjatë viteve të fundit diplomacia shqiptare, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, ka qenë mjaft aktive në promovimin e çështjeve të rëndësishme. Një diplomaci vërtet intensive është zhvilluar për të ndikuar në arritjen e pavarësisë së Kosovës dhe në marrjen e ftesës nga Shqipëria për anëtarësim në NATO. Rrugë e gjatë mbetet përpara për të dyja vendet, por edhe për Maqedoninë fqinje, për të garantuar rrugën pa kthim të futjes së shqiptarëve në organizmat e rëndësishme euroatlantike.

Por cili ka qenë roli i vërtetë i diplomacisë në këto zhvillime, apo janë institucionet politike ato që kanë ndikimin thelbësor? A ka pasur diplomacia shqiptare vazhdimësi në periudha të ndryshme, sidomos në shekullin e fundit, kur regjimet kanë ndryshuar - pavarësia, mbretëria, komunizmi, demokracia pluraliste? Sa ndikohet ajo nga politika e ditës dhe a ka "ndryshime xhaketash" me ndryshimet e forcave politike në pushtet? Sa a pavarur është diplomacia nga politika, a garantohet statusi i saj civil i pavarur?

Këto ishin disa nga pyetjet që u dhanë përgjigje të ftuarit në rubrikën Forum të BBC-së: historiani dhe studiuesi i çështjeve diplomatike Arben Puto, ish-diplomatët Petraq Pojani dhe Sokol Gjoka dhe ambasadori shqiptar në Londër, Zef Mazi.

A ka pasur diplomacia shqiptare vazhdimësi në periudha të ndryshme, sidomos në shekullin e fundit, ku regjimet kanë ndryshuar disa herë?

Puto: Sigurisht që një farë linje mund ta dallosh. Nuk do të thosha që ka vazhdimësi. Po të marrësh periudhën e formimit të shtetit shqiptar, konkretisht periudhën e Pavarësisë së Shqipërisë, diplomacia shqiptare përfaqësohet nga Ismail Qemali. Angazhimi i tij në fushën e politikës së jashtme nuk ka ndikuar në zgjidhjet që u dhanë për çështjen territoriale apo të njohjes së shtetit shqiptar. Nuk u njoh ndonjëherë zyrtarisht delegacioni shqiptar nga Fuqitë e Mëdha. Ishte thjesht një grup vëzhguesish pranë Konferencës së Londrës. Njohja e shtetit shqiptar ka qenë një tjetër çështje që nuk ka gjetur zgjidhjen e duhur, ashtu si dhe integriteti i tokave shqiptare.

Në çështjen kombëtare, a ka marrë vazhdimësi diplomacia jonë?

Pojani: Vazhdimësia është e pashmangshme, në kuptimin e rolit që ajo ka. Dallimi kryesor është ky: Në një periudhë mjaft të gjatë të sistemit totalitar, ashtu sikundër edhe në përgjithësi, diplomacia ka qenë e instrumentalizuar. Sepse kemi një periudhë të Luftës së Ftohtë. Në fakt, jo vetëm Shqipëri, por përfshirë edhe SHBA, u bë një politikë që më shumë iu nënshtrua ideologjisë. Dhe në çdo rast, diplomacia përfaqëson, mbron interesat e pushtetit politik. Në këtë kuptim, sigurisht që ka pasur vazhdimësi.

Mazi: Mendoj se është e pashmangshme që, në shërbimin diplomatik të një shteti, pavarësisht nga qëndrimet apo sistemet politike, në interesat afatgjata ka qëndrime politike që ndiqen në vazhdimësi.

Sa ndikon kjo në konsolidimin e vetë shtetit?

Mazi: Është një nga pikat kryesore që, në shërbimin diplomatik të një shteti ka ndikim indirekt në përfaqësimin e shtetit jashtë. Sa më shumë e sa më pak, e kam të vështirë ta them. Një shtet serioz mban vazhdimësi në pikat kryesore të marrëdhënieve të tij ndërkombëtare.

Si mund të krahasohet diplomacia shqiptare më atë të shteteve fqinje në Ballkan dhe si ka ndikuar kjo në fuqizimin e njërit apo tjetrit shtet në periudha të ndryshme?

Puto: Diplomacia shqiptare, në periudha të ndryshme historike, ka qenë inferiore përballë diplomacisë së vendeve fqinje. Nëse u arrit të ndahet kombi shqiptar më dysh, kjo shpjegohet me faktin se shtetet fqinje ishin të lidhura ngushtë me fuqitë, që vendosnin fatet e popujve në Ballkan.

Shumë zhvillime kanë ndodhur kohët e fundit për shqiptarët, Shqipërinë, Kosovën, pavarësia, marrja e ftesës për anëtarësim në NATO. Cili ka qenë roli i vërtetë i diplomacisë në këto zhvillime, krahasuar me rolin e institucioneve politike?

Gjoka: Gjatë kësaj periudhe, piketat e politikës së jashtme janë koherente dhe me një farë konsensusi nga forcat politike. Ky është një hap i mirë, që duhet përshëndetur dhe ruajtur. Politika e jashtme e shtetit shqiptar, pas ndryshimeve të sistemit, përcaktoi qartazi drejtimet kryesore të politikës së jashtme: anëtarësimi në NATO dhe në BE; zgjidhja e çështjeve të hapura shqiptare në trojet e banuara nga shqiptarë; si dhe mbrojtja e të drejtave të tyre kudo që ndodhen.

Çfarë ka bërë konkretisht diplomacia shqiptare gjatë kësaj periudhe?

Mazi: Gjoka përmendi saktë disa pika kryesore të politikës së jashtme. Dy kanë qenë objektivat madhore: zgjidhja e çështjes kombëtare shqiptare, pra pavarësia e Kosovës, dhe integrimi i Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Zoti Pojani, keni qenë diplomat për shumë vite. Si ka qenë roli i diplomacisë përkundrejt politikës në zhvillimet e fundit?

Roli i diplomacisë mbetet i pazëvendësueshëm.

Sa dëgjohet zëri i diplomacisë nga politika? A ka instrumente në vend që të thithin mendimin e diplomatëve?

Puto: Shërbimi diplomatik, që të jetë solid, i vazhdueshëm, konstant, i suksesshëm, duhet të ketë një aparat me profesionalizëm të caktuar. Nuk po ndodh gjithnjë kështu në vendin tonë. Ndryshimet politike kanë sjellë edhe ndryshime në strukturën e diplomacisë, dhe kjo e ka dëmtuar shërbimin diplomatik. Nuk po vë në dyshim objektivat e mëdha që ka pasur Shqipëria, jo vetëm si shtet, por edhe si diplomaci, por duhet të kemi kujdes që të sigurojmë një vazhdimësi profesionale. Sepse vihet re që zëvendësohen kuadro me mjaft përvojë...

Gjoka: Duke pasur parasysh profesionalizmin e diplomacisë, aq më tepër që ne nuk kemi shkolla për përgatitjen e diplomatëve, një nga parimet bazë në diplomaci është përvoja dhe performanca. Mund të them se nuk kam parë, të paktën ndonjë rast në diplomacinë shqiptare, që dikush të largohet nga puna për shkak të mosrealizimit të detyrave apo objektivave. Por kam parë raste që njerëzit largohen për shkak të përkatësive apo preferencave politike. Gjë që nuk duhet të ndodhë. Në kushtet kur kemi nevojë për një diplomaci edhe agresive, do të thosha se duhet të reflektojmë sa më shumë profesionalizëm. Pra, ka shumë rëndësi përzgjedhja, mënyra e trajtimit të diplomatëve dhe mbajtja e atyre me përvojë.

Mazi: Nuk kemi pse të hezitojmë që ta pranojmë problemin e ndërhyrjeve të politikës. Është e domosdoshme të kemi një strukturë, që të konsolidohet pas 64 vjetësh të krijimit të shtetit shqiptar, me një numër të caktuar ambasadorësh me titull..., sekretarësh të parë, të dytë etj. Të krijohet një strukturë bazë e Ministrisë së Jashtme, e pakontestueshme nga rrotacionet politike. Është e domosdoshme të kuadrohet në formë ligjore e të mos preket më.

Gjoka: Kam përshtypjen që tashmë diplomatët në Ministrinë e Jashtme janë të mbrojtur, si nga ligji i Shërbimit Civil dhe nga ai i Shërbimit të Jashtëm. Të gjithë ata që veprojnë brenda kësaj strukture duhet të respektojnë kuadrin ligjor.

Mazi: Në ecurinë e shteteve në fushën e diplomacisë nuk ka një etalon fiks që zbatohet. Disa shtete e kanë më të gjerë marzhin e lëvizjes, disa janë shumë strikt. P.sh., Britania e Madhe e ka të ndarë fare qartë shërbimin civil me emërtesat politike. Është e qartë: nëse ka ndryshime politike ato reflektohen edhe në shërbimin e jashtëm, por duhet bërë kujdes me nivelin, pra deri ku shkojnë këto ndryshime. Sepse nëse e prek vazhdimisht, është e dëmshme. (Marrë me shkurtime)

Intervista

Gabriel Partosh:

Ndikimi i diplomatëve

Cili është roli i diplomacisë në vendet perëndimore, por edhe rajonale, kundrejt politikës?

Mendoj se parimet themelore të sundimit dhe qeverisjes demokratike thonë se politika bëhet nga politikanët e zgjedhur që kanë mandat nga populli dhe kjo mund të thuhet për politikën e jashtme, diplomacinë, ashtu si edhe për çështjet të tjera. Pra, politikat bëhen nga politikanët dhe jo diplomatët. E dyta, është se politikanët duhet të kenë parasysh interesat e vendit të tyre dhe jo të ndjekin interesat e forcës së tyre politike, që është në pushtet në një kuptim të ngushtë. Duhet pranuar se ka një supremaci nga politikanët kur merren vendime të mëdha strategjike apo politike, por në të njëjtën kohë ata varen nga ekspertiza dhe nga neutraliteti në çështjet politike të diplomatëve, personelit diplomatik, njerëzve që kanë bërë shërbimin ndaj vendit të tyre në diplomaci një karrierë.

A ka një vazhdimësi në marrëdhëniet apo politikën ndërkombëtare të një vendi, pa marrë parasysh ndryshimet e forcave politike në fuqi?

Po, mendoj se ka një masë të madhe vazhdimësie pikërisht, sepse ndërsa politika kryesore përcaktohet nga politikanët - dhe sigurisht edhe nëse ka një ndryshim në qeveri kjo nuk do të thotë çështje të caktuara politike nuk ndiqen përsëri - p.sh. nuk pati ndonjë ndryshim të madh në politikën në Ballkan në administratën amerikane kur Presidenti Bush mori mandatin nga demokrati, Presidenti Klinton gati tetë vjet më parë. Por sigurisht që ka edhe raste të tjera, p.sh., kur qeveria socialiste mori pushtetin nga konservatorët në Spanjë, ata tërhoqën forcat spanjolle nga Iraku. Pra, mund të kesh shembuj nga të dyja rastet, që lidhen me ndryshimet politike. Megjithatë, edhe nëse ka ndryshime kur vjen në fuqi një forcë e re politike, në shumë nivele të tjera ka një lloj vazhdimësie. Ajo që kam ndërmend këtu, duke iu referuar përgjigjes sime se politika e madhe bëhet nga politikanët, është se në të njëjtën kohë, çfarëdo politike që të jetë, në mënyrën se si zbatohet, sigurisht që përbëhet nga një mori vendimesh të vogla që merren në bazë ditore, apo edhe orësh - unë e kam një përvojë të tillë kur punoja në "Foreign Office". Pra personeli diplomatik, diplomatët që qëndrojnë në detyrë, pa marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve, zbatojnë politikat dhe ka një lloj vazhdimësie.

Sa dëgjohet zëri i diplomacisë nga politika në vendosjen e rrugës që duhet ndjekur në marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit?

Shumë shpesh edhe me çështje politike të rëndësishme, p.sh., si do të përballojë Britania situatën, të themi, në Bosnjë midis dy entiteteve, etj., pra edhe me çështje të mëdha, shumë shpesh, sidomos kur politikanët marrin pushtetin pas zgjedhjeve të reja, ata mund të mos jenë të informuar mirë për nuanca të politikës së jashtme. Alternativat e politikës, sigurisht alternativat dhe jo vendimet, atyre do t‘u vijnë nga diplomatët, punonjësit civilë, dhe mënyra se si ata i paraqesin gjërat sigurisht që do të thotë se ata mund të kenë shumë ndikim edhe në politika që më pas duhen nënshkruar e aprovuar nga politikanët. Pra, shumë shpesh vendimet politike merren nga politikanët, por shumë shpesh në mënyrën se si zbatohen ato, diplomatët kanë shumë ndikim. Ata kanë ndikim të fuqishëm, sepse mund të vijnë edhe me nisma politike të tyret, apo alternativat që paraqesin, alternativat që janë të arsyeshme apo realiste dhe nëpërmjet kësaj, megjithëse politikanët do të duhet t‘i aprovojnë ato në fund, në këtë proces roli i tyre është shumë i rëndësishëm dhe i fuqishëm.

A përputhet mandati i diplomatit në detyrë me atë të forcës politike në pushtet, diçka që ne e shohim të ndodhë jo rrallë në vendin tonë?

Mendoj se kjo ndryshon nga vendi në vend, në Perëndim, po ashtu edhe në Ballkan, Evropën Lindore, pra demokracitë më të reja. Ka ndryshime të mëdha, p.sh. midis të themi Britanisë, ku tradicionalisht ka një ndjenjë shumë të fortë të ndarjes së shërbimit civil publik nga njëra anë dhe të emëruarve politikë nga ana tjetër, dhe vendeve të tjera si p.sh. në Francë, ku shpesh punonjës të lartë civilë, pra dhe diplomatë, tradicionalisht mund të ndryshojnë me caktimin apo zgjedhjen e një qeverie të re, apo në Shtetet e Bashkuara ky vendet më të mira, për sa i përket ambasadorëve, p.sh. vendi i ambasadorit në Moskë, Paris apo Londër, shumë shpesh janë të emëruar politikë. Pra, Presidenti amerikan, ndoshta duke trashëguar fuqitë që mori që në shekullin e 18, si një monark, por sigurisht monark i zgjedhur, ka fuqi të gjera për të bërë emërime politike, një gjë që do të ishte e paimagjinueshme në Britani, ku ambasadori është pjesë e një emërimi të një diplomati të karrierës. Pra, ka ndryshime midis vendeve, nuk ka uniformitet. Por në përgjithësi, pak vende, sigurisht në demokracitë e fuqishme, do ta çonin këtë në nivele më poshtë zyrtarit kryesor civil, pra në nivelet e mesme apo të poshtme. Pra, ata nuk do të dëshironin një lloj spastrimi të plotë të personelit, sepse kjo sigurisht do të pengonte shumë bërjen e politikës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›