Provimet, s‘ka standard vlerësimi në gjimnaze
Vlerësimi i njohurive në shkolla mbetet ende një problem delikat, pasi mungon standardizimi i notës vlerësuese për nxënësit. Ky është raporti që ka dalë nga monitorimi vjetor i kryer nga Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë. Monitorimi që u realizua në rreth 200 shkolla 9-vjeçare dhe të mesme publike dhe jopublike, tregon se "nuk ka ende një notë të standardizuar, që për të njëjtën njësi matëse të ketë të njëjtën përgatitje nga nxënësi", thuhet në raport. Procesi i Maturës Shtetërore përforcoi edhe një herë nevojën e standardizimit të notës. Në rezultatet e dy provimeve të detyrueshme, njohuritë e nxënësve u ballafaquan me vështirësinë që sjell mungesa e standardizimit të vlerësimit. Pra të vlerësuar nga njerëz të ndryshëm, kemi të njëjtën notë. Ky fakt të lë të kuptosh se standardi i vlerësimit lë për të dëshiruar në shkollat e mesme.