E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomacia publike dhe globalizmi rajonal

Ballkani eshte pjese e procesit boteror te globalizmit, por me vecorine se ne kete rajon, globalizmi eshte më i vonuar se në pjesët e tjera të kontinentit europian. Kjo vonesë paraqet një rrethanë, që ka ndikimet e veta në kompleksin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe në rajon, duke i bërë shpeshherë këto marrëdhënie edhe më të vështira, edhe më të ndërlikuara.
Kjo vonesë del si një rrethanë, e cila kërkon një vëmendje, angazhim dhe kujdes të veçantë nga diplomacia publike. E theksoj këtë, sepse kjo vonesë mund të cilësohet edhe si një nga elementet që ka vështirësuar edhe rrugën e integrimit europian të shteteve të rajonit në Bashkimin Europian. Kapërcimi i kësaj vonese dhe fitimi i kohës në drejtim të mobilizimit dhe të sigurimit të një mbështetjeje të gjerë publike dhe masive për integrimin europian të rajonit, përbën një detyrë të rëndësishme aktuale të diplomacisë publike në rajon.
Në procesin globalizues dhe integrues rajonal, dhe sidomos në epokën e teknologjisë informative, të qarkullimit masiv të informacionit dhe të njerëzve, kemi një rritje të madhe të hapësirës dhe të rëndësisë së publikut në marrëdhëniet ndërkombëtare, pra të terrenit ku realizohet diplomacia publike. Ndaj diplomacia publike mund dhe duhet të ushtrojë një ndikim më të madh në proceset integruese dhe globalizuese në rajon, duke dhënë e marrë në mënyrë të ndërsjelltë dhe duke ndikuar në raportet:
1-qeveri me qeveri, 2-shtet me shtet, 3-popull me popull, 4-qeveri me opinionin publik të shtetit tjetër, 5-opinioni publik i një shteti me opinionin publik të një shteti tjetër, 6- opinioni publik i një shteti me qeverinë e një shteti tjetër. Diplomacia publike përgjithësisht konceptohet si veprimtari e një diplomacie, politike të jashtme apo qeverie, në drejtim të informimit dhe të ndikimit në opinionin publik dhe në shoqërinë civile të një shteti tjetër apo të një grupi shtetesh të tjera. Por në jetën e sotme të proceseve intensive të globalizimit dhe të integrimit rajonal, diplomacia publike nuk mund të jetë më vetëm rrugë njëkalimshe, që vetëm jep, organizon, transmeton, shpërndan, ngacmon, krijon, nga pika e nisjes tek pika e mbërritjes. Në rajonin tonë kemi nevojë, që diplomacinë publike ta pasurojmë dhe t'i japim një përmbajtje të re, duke e konceptuar dhe e nxitur të veprojë edhe si rrugë dykalimshe, në kuptimin që jo vetëm të japë, por edhe të marrë.
Në një farë mënyre kjo do të thotë të synojmë të arrihet një amplifikim edhe i atyre ideve, projekteve, lëvizjeve, vizioneve dhe perspektivave, që lançohen nga shteti i pikës së nisjes, dhe të huazohen në veprimtarinë diplomatike publike edhe nga shteti i pikës së mbërritjes. është një zhvillim pozitiv i rëndësishëm, që integrimi rajonal po transformon disa interesa individuale shtetërore dhe kombëtare në interesa të përbashkëta rajonale. Si rregull, qeveritë bëhen më shpejt të ndërgjegjshme për këtë ndryshim, ndërsa opinioni publik, kombëtar apo rajonal, e arrin disi më vonë këtë maturim. Natyrisht ndodh që, në faza të caktuara apo për çështje të caktuara të marrëdhënieve rajonale, opinioni publik të shfaqet më i avancuar se qeveritë. Edhe kjo situatë është favorizuese për diplomacinë publike, për të shfrytëzuar opinionin publik për një presion pozitiv në adresë të politikës së jashtme apo të qëndrimeve të veçanta të qeverisë. Diplomacia publike në çdo shtet të rajonit nuk mund të mos e përfshijë në angazhimet e saj, nëpërmjet një programimi informativ, kulturor, edukues, argëtues, etj, krijimin e një mjedisi të përgjithshëm publik, në favor të bashkësisë së disa interesave themelore të përbashkëta rajonale. Nëse një shtet i rajonit avancon në shkallët e integrimit të tij në Bashkimin Europian, kjo përbën një interes të përbashkët për të gjithë shtetet e rajonit. Nëse liberalizimi i vizave nga Bashkimi Europian në rajonin e Ballkanit, në një fazë të caktuar shtrihet vetëm në disa shtete, interes i përbashkët është që liberalizimi i vizave të shtrihet në të gjithë shtetet e Ballkanit. Këtu diplomacia publike mund të luajë një rol të rëndësishëm për krijimin e sensit të interesit të përbashkët dhe të nevojës së nxitjes së opinionit publik, që të kërkojë nga diplomacia dhe qeveritë të vazhdojnë përpjekjet për t'i dhënë karakter dhe shtrirje rajonale arritjeve apo sukseseve të integrimit, që njeri shteti i ka realizuar, por që nuk janë bërë ende arritje apo suksese rajonale. Në rajon tonë, diplomacia publike ka një nevojë jetike të veprojë dhe të përpiqet të krijojë imazhin pozitiv, jo vetëm të shtetit të origjinës, por edhe të shteteve fqinj dhe të të gjitha shteteve të rajonit. Kjo do të ishte një veprimtari e koordinuar e diplomacisë së të gjithë shteteve të rajonit, për të krijuar imazhin pozitiv kolektiv, publik, të rajonit, gjë e cila padyshim do të sillte një cilësi të re në raportet brenda ballkanike, por edhe në raportet e rajonit tonë me Bashkimin Europian, me shtetet e tjera dhe me rajonet e tjera jashtë kontinentit tonë. Imazhi pozitiv kolektiv sugjeron që të vendoset si objektiv i diplomacisë publike edhe njohja më e mirë, edhe vlerësimi më objektiv i njeri-tjetrit, larg çdo mendimi të vjetër se imazhi negativ i fqinjit forcon pozitën diplomatike të shtetit të origjinës. Ekzistojnë disa faktorë pozitivë, që duhen marrë në konsideratë nga drejtuesit dhe vepruesit e diplomacisë publike dhe të cilat ndikojnë që proceset e integrimit dhe të globalizimit në rajon të ecin dhe të nxiten në drejtim favorizues për integrimin.
-Të gjitha shtetet e rajonit, pavarësisht se nga cilat qeveri dhe parti politike drejtohen, kanë përcaktuar dhe ndjekin një kurs zyrtar të integrimit në Bashkimin Europian, pavarësisht shkallës se ku ndodhet ky integrim, ku disa janë anëtarë, disa kandidate e disa ende në procesin e Stabilizim-Asociimit.
-Shumica dërrmuese e shteteve të rajonit, pavarësisht nga qeveritë apo partitë politike në fuqi, i përmbahen një kursi zyrtar të integrimi atlantik, pra të anëtarësimit në NATO, pavarësisht se në cilën fazë ndodhet ky integrim, ku disa janë anëtarë e disa në fazën e "Membership Action Plan" apo anëtarë të Programit "Partnership for Peace".
-Ekziston një tendencë e fuqishme e bashkëpunimit ekonomik rajonal, me një gërshetim më të madh të proceseve integruese ekonomike rajonale, me një përfshirje të shumë shteteve në projekte rajonale, që nga marrëveshjet e tregtisë së lirë e deri tek projektet infrastrukturore shumëkombëshe si korridoret 8 apo 10, apo rrjete transnacionale gazsjellësish si "Nabucco" apo "South Stream", "Transadriatica" etj. Marrëdhëniet ndërballkanike mes shteteve dhe popujve, mes qeverive dhe opinioneve publike në rajonin tonë, përmbajnë gjithashtu dhe disa elemente e veçori me përmbajtje frenuese, me të cilat diplomacia publike ballafaqohet në veprimtarinë e përditshme të saj. Cilat janë disa drejtime, ku diplomacia publike do të sillte një kontribut efikas:
- Në pakësimin dhe eliminimin e peshës dhe ndikimit të historisë dhe të së kaluarës në ecurinë e përditshme të marrëdhënieve ndërballkanike. çështja nuk është vetëm se Ballkani prodhon histori më shumë se sa mban. çështja është se historia, disa herë, përdoret, jo për histori, por për qëllime të ditës të udhëheqësve, të partive apo të forcave politike, të cilat vendosin prioritetin e fushatave elektorale apo të rejtingut politik mbi interesat globale të integrimit të shtetit apo të rajonit.
-Në kufizimin dhe minimizimin e rolit të elementit emocional në vendimmarrjet për diplomacinë, për politikën, për klimën dhe për marrëdhëniet ndërballkanike. Në historinë politike dhe diplomatike ballkanike, elementi dhe nxitjet emotive kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë pjesë e identitetit ballkanik. Disa herë ato lozin një rol jo pozitiv, larg standardeve dhe normave të reja demokratike dhe europiane në marrëdhëniet ndërkombëtare.
-Në promovimin dhe konsolidimin e konceptit të barazisë së marrëdhënieve ndërkombëtare në rajon dhe të parimit të barazvlefshmërisë së rolit dhe kontributit politik e diplomatik të të gjithë shteteve të rajonit. Ballkani është një rajon i përbërë nga shtete, të cilat, në një klasifikim botëror mund të cilësohen "të vegjël". Ballkani nuk ka në kufijtë e tij ndonjë nga shtetet, që sot klasifikohen si fuqi botërore. Por në Ballkanin postkomunist konstatohet shfaqja e konceptit të "një shteti udhëheqës rajonal, të një shteti qendër, kyç, bosht", apo çfarëdo koncepti polar me prapavijë hegjemone.
është një koncept, që mund të bëhet pengesë e integrimeve rajonale dhe europiane, si dhe e proceseve pajtuese dhe globalizuese. Në fakt Ballkani as për raport force, as për histori marrëdhëniesh dhe as për mentalitet psikologjik, politik dhe publik, nuk mund të përfitojë ndonjë ngarkesë pozitive nga konceptet apo projektet e "një shteti qendër apo udhëheqës rajonal".
Mendoj se vjen nga mosinformimi dhe moskuptimi i terrenit ballkanik fakti që ka edhe disa udhëheqës të shteteve të ndryshme europiane, të cilët mendojnë, dhe herë pas here deklarojnë, se, duke promovuar "një shtet udhëheqës në rajon", mund të ecin më mirë proceset integruese.
Koncepti dhe mentaliteti i hierarkisë rajonale ka sjellë jo pak negativitet në historinë e shteteve, federatave dhe marrëdhënieve ballkanike. Se sa problematike mund të jetë kjo, e dëshmon edhe fenomeni i ri që haset në marrëdhëniet ndërballkanike, kur një shtet, i cili është anëtar i BE-së, përfiton nga statusi i anëtarit, për të vendosur kushte specifike dypalëshe në marrëdhëniet me shtetin që kërkon të hyjë në BE.
-Në zbatimin e parimit të rëndësishëm të pjesëmarrjes së të gjithëve në proceset integruese dhe në bashkëpunimin rajonal. Globalizimi dhe integrimi europian në rajon nuk mund të ecin përpara, pa pjesëmarrjen dhe kontributin e të gjithë shteteve dhe popujve. është me rëndësi që në diplomacinë ballkanike të gjithë bien dakord tani se duhet të dëgjohet zëri i të gjithëve. Problemet dypalëshe të njërit shtet me një tjetër nuk duhet ta pengojnë këtë përfaqësim të përgjithshëm në forumet rajonale dhe ndërkombëtare, sepse nga ai përfitojnë të gjithë. Angazhimi i diplomacisë publike do të ndihmonte në drejtim të krijimit të asaj klime të favorshme, nga e cila do të binden diplomacitë dhe qeveritë hezituese.
Roli i diplomacisë publike në rajon duhet të jetë një promovim i proceseve të integrimit dhe të globalizimit, jo vetëm për të arritur dhe për të kapur ritmin që ky proces ka në mbarë kontinentin europian, por edhe për të hequr, ndoshta përfundimisht nga emërtimi i rajonit etiketën e trashëguar nga fjalori terminologjik i diplomacisë klasike për "Ballkanin si fuçi baroti".
Diplomacia publike, në kuptimin e saj klasik, është individuale në formatin shtetëror, por më duket se ka ardhur koha që në rajon të mendohet për një diplomaci publike rajonale, edhe në planin politik, edhe në planin diplomatik, edhe në planin akademik, edhe në planin organizativ. Ne e kemi tashmë një model tepër pozitiv dhe udhërrëfyes: Bashkimin Europian, të cilit i përkasim të gjithë.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›