E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat e Kristal, ministrit i kërkohet relacion

Lorina Mixha

Kreu i arsimit pritet të paraqesë të dhëna lidhur me inspektimet në arsimin e lartë privat

Lorina Mixha

Komisioni i Medias dhe i Arsimit miraton pesë nenet e para të ligjit për arsimin parauniversitar. Miratimi i neneve të tjera është shtyrë për në seancën e ardhshme. Pesë nenet e projektligjit janë diskutuar nga anëtarët e komisionit të pozitës dhe opozitës, duke sjellë edhe një sërë ndryshimesh. E njëjta procedurë do të zbatohet edhe për nenet e tjera të projektligjit. Sipas kryetares së Komisionit të Medias dhe Arsimit, Valentina Leskaj, ministri i Arsimit është thërritur në komision për të relatuar lidhur me skandalin e diplomave në universitetin privat Kristal. Ndërsa nuk do të jetë i pranishëm këtë javë, mësohet se Tafaj ka njoftuar për mungesën. Pritet që raportimi i tij lidhur me diplomat e lëshuara nga ky institucion të bëhet javën e ardhshme. Anëtarët e komisionit kanë qenë të mendimit dhe do të propozojnë javën e ardhshme që strukturat e ministrisë të bashkëpunojnë edhe me aktorë të tjerë dhe të nisin menjëherë inspektimet dhe verifikimet për diplomat e lëshuara në arsimin e lartë, jo vetëm në universitetin Kristal por në të gjitha institucionet e arsimit të lartë në vend.

Kryetarja e komisionit ka sqaruar dje se këtë javë kreu i shkencës nuk do të jetë i pranishëm në Komisionin e Arsimit. Sipas saj, pjesë e seancës së planifikuar ishin edhe pyetjet që do ti bëheshin ministrit lidhur me skandalin e diplomave në universitetin Kristal.

Pas denoncimit të skandalit të mediave italiane të diplomës së djalit të Umberto Bossi-t, firmosur në universitetin Kristal, pa qenë në Shqipëri dhe duke shlyer provimet e tre viteve në një vit, Ministria e Arsimit ka deklaruar se një grup inspektorësh ka nisur punën për kontrollimin e disa universiteteve private, mes tyre edhe Kristalin. Sipas MASH-it, një grup monitorimi i Ministrisë dhe Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë po inspekton në të gjithë institucionet e arsimit të lartë privat, për zbatimin e ligjshmërisë dhe standardeve, sipas një kalendari të miratuar kohë më parë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës ka bërë të ditur se një grup ekspertësh dhe inspektorësh do të përfshihen në kontrolle dhe verifikime të detajuara. Pjesë e supervizimit për këta ekspertë do të jenë universitetet private në të gjithë vendin ku prioritetin kryesor të kontrollit do ta kenë diplomat, dokumenti kryesor që certifikon dijet e studentëve në arsimin e lartë.

Nga ana tjetër, projektligji i arsimit parauniversitar, pesë nenet e të cilit u miratuan dje, ka disa nene problematike, për të cilat janë bërë gati një listë rekomandimesh. Këto sugjerime vijnë si nga ekspertë të arsimit, anëtarë të Komisionit të Medias ashtu edhe nga organizma të tjerë të pavarur.

Diplomat e Kristal, ministrit i kërkohet relacion burimi: Gazeta Shqip

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›