E Diel, 1 Nëntor 2026

Arlena Cela: Ju rrefej orët e tmerrshme në pritje të një lajmi nga ime motër

—-Nga Juxhin Mustafaraj—-

Elbasan- Kanë kaluar vetëm pak orë nga tragjedia e ndodhur ditën e djeshme në Himarë ndërkohë që mbarë opinioni publik ka ngelur i shokuar nga ajo se çfarë kanë parë dhe dëgjuar në media në lidhje me rrëzimin e autobuzit me studentë të universitetit Aleksandër Xhuvani.

Por orët më të vështira në këtë tragjedi i kanë ndjerë familjarë të studentëve që ndodheshin në autobus. Arlena Cela gjimnaziste në qytetin e Elbasanit, e shokuar dhe e përlotur falenderon zotin që motra e saj Adisa Cela pjesë e autobuzit ku humbën jetën 13 persona, arriti t’i mbijetojë aksidentit. Arlena tregon se dje ishte dita e parë e udhetimit drejt Sarandës për motrën e saj dhe studentët e tjerë të degës së Gjuhë-Letërsisë, udhëtim që do të zgjaste 3 ditë pasi ditën e enjte do të ktheheshin. Ajo shprehet se lajmin për rrëzimin e autobuzit e morën vesh nëpërmjet medias pasi më parë nuk kishin kontaktuar me Adisën.

Sapo morëm vesh për rrëzimin e autobuzit u munduam të kontaktonim me motrën por në telefonin e saj nuk përgjigjej askush. Ato kanë qënë orët më të tmerrshme të jetës sime dhe të familjarëve të mi- shprehet Arlena.
Nëpërmjet medias dhe kontakteve që patën me zyrtar të policisë familjarët e Adisës mësuan se ajo kishte arritur t’i mbijetonte aksidentit dhe gjendej nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Vlorës.

Sipas familjarëve të saj ajo  ka pësuar shembje në pjësën më të madhe të trupit dhe ka plagë të lehta por fatmirësisht është jashtë çdo lloj rreziku për jetën. Arlena tregon se e ka parë të shokuar të motrën dhe përveç urimeve të shumta që vinin në drejtim të saj ajo ka qënë e shqetësuar të dijë edhe për gjendjen e shoqeve të saj.

Familjarët e të mbijetuarës ende nuk i dinë shkaqet e aksidentit tragjik megjithse në media është pasqyruar se dyshohet se shkak i aksidentit të ketë qënë mos funksionimi i frenave të autobuzit. Arlena i quan të tmerrshme orët e pritjes për të dëgjuar zërin e së motrës dhe e quan një mrekulli faktin që e motra arriti t’i mbijetojë aksidentit tragjik të së hënës.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›