E Diel, 1 Nëntor 2026

Cliff: Serbia s’mund ta pengojë Kosovën

Ambasadori i Britanisë Ian Cliff, ka thënë sot në Mitrovicë se Kosova duhet t’i përmbush obligimet e veta, ndërkohë që BE-ja nuk do të lejoj që Serbia të bllokoje rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Mitrovica është komunë specifike në Kosovë, me probleme që nuk i kanë komunat tjera andaj edhe situata këtu dhe sfidat me të cilat ballafaqohen qytetarët kërkojnë angazhim dhe mobilizim shumë më të madh.

Kështu është thënë të martën gjatë vizitës që një delegacion nga Britania, i përbërë nga Stephen O’Brien, zëvendës ministër i Departamentit për Zhvillim Ndërkombëtar (DFID) të Britanisë, pastaj ambasadori i Birtanisë në Kosovë, Ian Cliff dhe shefi i DFID-së në Prishtinë, Richard Taylor, i kanë bërë qytetit të Mitrovicës.

Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati ka potencuar ndihmën e vazhdueshme të Britanisë, për të theksuar veçanërisht interesimin, mbështetjen dhe këshillat e ambasadorit Cliff për Mitrovicën dhe qytetarët e saj.

Kastrati ka përmendur si probleme kryesore mungesën e lëvizjes së lirë në pjesën veriore të qytetit, pamundësinë e qasjes së qytetarëve në pronat e tyre atje, pastaj rindërtimin e shtëpive, mosfunksionimin e organeve të drejtësisë etj.

Ai ka përmendur përpjekjet e mëdha të shqiptarëve që në realitetin e ri të integrohen edhe pjesëtarët e komuniteteve tjera që jetojnë këtu, por serbët, të nxitur nga Beogradi, nuk kanë shprehur interesim për këtë, madje kanë refuzuar shumë privilegje që u janë ofruar.

Zv. ministri i DFID-së të Britanisë, Stephen O’Brien, ka thënë se ndonëse kjo është hera e parë që e viziton Kosovën, informatat për gjendjen këtu dhe në Mitrovicë nuk i kanë munguar, pasi ato i ka marrë rregullisht nga ambasadori Cliff dhe DFID-ja.

Sipas tij, Bashkësia Ndërkombëtare dhe Britania janë të përkushtuara që Kosova të ndihmohet në zhvillimin e saj që të bëhet një shtet funksional dhe se për këtë arsye janë mbështetur shumë projekte zhvillimore që janë realizuar deri tash.

Po sipas tij, për Kosovën që ka pasur konflikt në të kaluarën, është mirë të ketë qeverisje të mirë dhe se përfaqësuesit e popullit duhet të ofrojnë gjënë e duhur për qytetarët, sepse vetëm kështu mund të nxiten investitorët e jashtëm për të realizuar këtu projektet që e përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Ndërkaq, ambasadori i Britanisë Ian Cliff, ka thënë se Kosova duhet t’i përmbush obligimet e veta, ndërkohë që BE-ja nuk do të lejoj që Serbia të bllokoj rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›