E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diplomat, këshillat studentorë: Do të bojkotojmë mësimin

Këshillat studentorë të fakulteteve në Universitetin e Tiranës paralajmërojnë bojkot të mësimit nëse Ministria e Arsimit nuk merr asnjë masë për korrigjimin e diplomës së tyre. Përfaqësues nga Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë, Ekonomikut dhe Drejtësisë, kanë zhvilluar një tjetër protestë përpara MASH-it, duke i kërkuar të marrë seriozisht kërkesën e tyre. "Sigurojmë se do të vazhdojmë protestat deri sa MASH-i të miratojë pa asnjë ndryshim propozimin e senatit të UT-së, më datë 04.07.08, me numër protokolli, 1370", thonë të rinjtë e gazetarisë. Ata e kanë konsideruar si shkelje nga ana e MASH-it procesin e ndjekur për miratimin e këtij formati diplome për ciklin e parë të studimeve të tyre, në përputhje me sistemin e Bolonjës. Rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, njoftoi dje se ka komunikuar zyrtarisht me ministrin e Arsimit për problemin në fjalë dhe shprehet optimist për korrigjimin e diplomës. Kule ritheksoi faktin se, hartimi i modelit të diplomës ka qenë një shkelje flagrante e ligjit. Ajo që konsiderohet e papranueshme për këtë model diplome nga ana e studentëve dhe krerëve të arsimit të lartë, është mungesa e fakultetit dhe departamentit që e lëshon atë. Rektori Kule, nga ana e tij, ka konfirmuar se nuk është kompetencë e ministrisë të vendosë për formatin dhe përmbajtjen e diplomave, ndërkohë që ai shprehet se MASH është në kohë për të ndryshuar udhëzimin. "Unë i kam përcjellë shkresën zyrtare, ku i kërkoj që udhëzimi të sillet në përputhje me ligjin dhe është i korrigjueshëm, sepse është i verifikueshëm fakti që kur ligji nuk ta jep kompetencën e miratimit të diplomave nuk mund ta bësh të ligjshëm me një akt nënligjor, me një udhëzim", u shpreh dje rektori Kule. Ndërkohë, dekanët e fakulteteve i bashkohen kërkesave të studentëve, që diplomat e reja nuk duhet të miratohen në këtë formë, pasi ato në përmbajtje kanë shumë elementë të munguar, ndërkohë që edhe vetë kryetari i Konferencës së Rektorëve, Jorgaq Kaçani, theksoi se këtyre diplomave iu mungojnë elementët e sigurisë. Sipas të rinjve, pas propozimit të datës 04.07.08, që Senati i UT-së i bëri MASH-it për formatin e diplomës, zbulohet edhe një kërkesë urgjente e rektorit Dhori Kule, e datës 09.07.08, me numër protokolli 1370, më anë të së cilës ky i fundit i kërkon MASH-it miratimin në një kohë sa më të shpejtë të propozimit të senatit të UT-së, për arsye se nuk mjaftonte koha për prodhimin e diplomave. Ndërkaq, vijojnë të rinjtë ankesën e tyre ndaj drejtuesve të arsimit, zhvillimet e tanishme vërtetojnë se edhe kjo kërkesë, (e dyta nga ana e rektoratit dhe senatit të UT-së drejtuar MASH-it), nuk është marrë parasysh nga ministria, por me anë të një udhëzimi të datës 14.07.08, detyruan senatin të përpilojë modelin e diplomës sipas kërkesave të tyre. Studentët që përfunduan ciklin e parë të studimeve 3-vjeçare në degën e gazetarisë shprehen të pakënaqur nga zëvendësministrja Adriana Gjonaj që priti në takim një përfaqësi të tyre. "Zëvendësministrja e Arsimit, Adriana Gjonaj, na propozon formatin e diplomës së vjetër (me dy kapakë), por duke këmbëngulur në të sajën për të mos na dhënë titullin, a thua se thelbi kërkesës sonë ishin kapakët e diplomës", shprehen të rinjtë. Çështja e diplomave të reja nuk ka marrë ende një zgjidhje, megjithëse ditët e fundit ish-studentët kanë protestuar për formatin dhe përmbajtjen e këtij dokumenti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›