E Shtunë, 31 Tetor 2026

180 mijë legalizime dokumentesh në Ministrinë e Jashtme

Në harkun e 11 muajve, në sportelet e Postës Shqiptare që nga fillimi i procesit të legalizimit të dokumenteve të MPJ e deri tani, janë kryer 180 mijë veprime legalizimi. Nëse do të rikthehemi në kohë, para dy vitesh, në sportelet e zyrës konsullore të MPJ, kishte radhë pa fund të qytetarëve, të cilët kërkonin të legalizonin dokumentet e tyre. Sot, situata ka ndryshuar pas marrëveshjes mes Postës Shqiptare dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Legalizimi i dokumenteve me Ministrinë e Punëve të Jashtme është një nga llojet e shërbimit që ofrohet prej dy vitesh nga Posta Shqiptare. Të 547 zyrat postare të të gjitha filialeve, pranojnë zarfet, në të cilat përmbahen dokumentet për legalizim në Zyrën Konsullore të Ministrisë së Punëve të Jashtme, si edhe arkëtohen të gjitha detyrimet për Zyrën Konsullore. Për qytetin e Tiranës, legalizimi realizohet brenda 24 orëve nga koha e pranimit dhe për të gjitha rrethet e vendit, deri në skajet më të largëta, për 48 orë. Zyrat postare janë në shërbim gjatë gjithë ditëve të javës. Realizimi i këtij shërbimi nëpërmjet postës i ka dhënë fund penalizmit të qytetarëve, nëpërmjet abuzimit të sekserëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›