Diplomati Mal Berisha, drejtor Rajonal në MPJ
Diplomati Mal Berisha është drejtori ri i Përgjithshëm Rajonal në MPJ. Zëvendëskryeministri Ilir Meta dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, zhvilloi një takim me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale në MPJ. Gjatë këtij takimi, ministri i Jashtëm, Ilir Meta, vlerësoi punën e deritanishme të Drejtorisë së Përgjithshme Rajonale në realizimin e objektivave të politikës rajonale të Shqipërisë, duke veçuar këtu punën e drejtorit të Përgjithshëm gjatë kësaj kohe, Ilir Tepelena. Ministri i Jashtëm Meta vlerësoi promovimin e Ilir Tepelenës si ambasador i Republikës së Shqipërisë në Belgjikë dhe Luksemburg, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe me këto dy vende të Bashkimit Evropian. Vendin e tij do ta zërë Mal Berisha, të cilin dje e përgëzoi për detyrën e re ministri i Jashtëm, Ilir Meta. Mal Berisha deri tani ka mbajtur postin e drejtorit të Përgjithshëm të së Drejtës Ndërkombëtare dhe Çështjeve Konsullore në MPJ. Më parë, Mal Berisha ka shërbyer si drejtor i Evropës në MPJ dhe si konsull i Përgjithshëm në Stamboll.