E Shtunë, 31 Tetor 2026

1.2 miliardë euro investim në turizëm

07/07/2010 KKRRTRSH-ja miraton projekte në sektorin e turizmit dhe prodhimit të energjisë

Kryeministri Sali Berisha vlerëson investimin në Vilë-Balshtovë pranë Elbasanit

Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë ka miratuar në mbledhjen e djeshme projekte prej miliona eurosh investime në sektorin e turizmit. Mbledhja e ditës së djeshme të organit më të lartë vendimmarrës për miratimin e projekteve të mëdha të ndërtimit në territorin e vendit është përqendruar kryesisht në investimet në turizëm. Këshilli ka vlerësuar projektet e paraqitura si të rëndësishme, por ka kërkuar të bëhet kujdes për sa i përket ruajtjes së mjedisit në zonat ku do të kryhen këto investime. Projektet e prezantuara, të cilat morën mbështetjen e sekretariatit teknik dhe më pas të të gjithë KKRRTRSH-së, kanë të bëjnë me një investim direkt prej 1.2 miliardë euro në zonën Vilë-Bashtovë, që gjendet pranë qytetit të Elbasanit, si dhe me masterplanin e zonës turistike Pogradec-Drilon. Zhvillimi i turizmit është përcaktuar si një ndër prioritetet, që, sipas qeverisë dhe ekspertëve të ekonomisë, do të ndihmojnë zhvillimin ekonomik të vendit. Investimi në Vilë-Bashtovë parashikon shndërrimin e një zone me tokë djerrë në një resort turistik, ku parashikohet të ndërtohet një fushë golfi, por edhe një akademi futbolli, për të cilën përfaqësuesit e kompanisë që ka paraqitur projektin thonë se janë interesuar direkt klube angleze. Në bazë të projektit të prezantuar, parashikohet që të gjitha asetet e parashikuara natyrore do të ruajnë tiparet e tyre, ndërkohë që përdorimi i energjisë do të jetë minimal. Sipas projektit, investimi që do të kryhet do të mundësojë rikualifikimin e lumit Shkumbin, pranë të cilit do të ndërtohet resorti turistik. Ndërkohë që sipas përllogaritjeve parashikohet të ofrohen mjedise akomoduese për 30 mijë pushues. Vetë Kryeministri Sali Berisha, me cilësinë e kryetarit të KKRRTRSH-së, ka theksuar se investimi në Vilë-Balshtovë përbën një ndër investimet më të mëdha në sekretin e turizmit. Sipas tij, gjithë investimi nuk do të prekë në asnjë moment tokat bujqësore e për pasojë interesi është tepër i madh.

Projekte energjetike

Shndërrimi i vendit në një superfuqi energjetike rajonale, duket se ka shtyrë KKRRTRSH-në të miratojë një sërë investimesh në ndërtimin e hidrocentraleve dhe prodhimin e energjisë përmes shfrytëzimit të erës. Këshilli ka miratuar detyrën e projektimit të masterplanit për ndërtimin, instalimin dhe shfrytëzimin e centraleve elektrike me erë “Parku eolik KAPPET”, komuna Çërravë, Vreshtas, Qendër Bilisht, në Qarkun e Korçës dhe detyrën e projektimit dhe masterplanin e parkut energjetik dhe eolik në Kryevidh, në Qarkun e Tiranës. Gjithashtu, janë miratuar projekte të investimeve private për shesh ndërtimi për hidrocentralin e Sasajt, në komunën Lukovë, i cili parashikon ndërtimin e një tuneli 2.35 kilometra dhe një kapacitet prodhues prej 38 milionë kilovat/orë energji në vit. KKRRTRSH-ja miratoi edhe studimin urbanistik dhe sheshin e ndërtimit për hidrocentralet “Bele1”, “Bele2”, “Orgjost i ri”, “Topojan 1”, “Topojan 2”, në komunat Zapod dhe Topojan, Qarku Kukës, që kapin një investim në vlerën e 30 milionë eurove dhe që parashikohet të kenë një fuqi të instaluar prej 25.3 megavat dhe një prodhim prej 120 milionë kilovat/orë në vit. Këshilli ka miratuar pas diskutimeve të shumta edhe studimin urbanistik dhe sheshin e ndërtimit për hidrocentralin “Peshk”, Martanesh. Sipas projektit të ofruar, ky hidrocentral do të ketë një fuqi të instaluar prej 3.4 megavat dhe prodhimi që pritet të përfitohet prej tij përllogaritet të arrijë në 18 milionë kilovat/orë energji në vit. Këshilli ka kërkuar nga kompanitë investuese që të kihet kujdes i madh me zhurmat që mund të krijohen, kryesisht nga parqet eolike, që do ndërtohen pranë zonave turistike.

Projektet e miratuara nga KRRTRSH-ja

1. Detyrën e projektimit të masterplanit për ndërtimin, instalimin dhe shfrytëzimin e centraleve elektrike me erë, parku eolik “KAPPET”, komuna Çërravë, Vreshtas, Qendër Bilisht, Qarku Korçë.

2. Detyrën e projektimit dhe masterplanin e parkut energjetik dhe eolik në Kryevidh, Qarku Tiranë.

3. Shesh ndërtimi për hidrocentralin e Sasajt, në komunën Lukovë.

4. Studimin urbanistik dhe sheshin e ndërtimit për hidrocentralet “Bele1”, “Bele2”, “Orgjost i ri”, “Topojan 1”, “Topojan 2”, në komunat Zapod dhe Topojan, Qarku Kukës.

5. Studimin urbanistik dhe sheshin e ndërtimit për hidrocentralin “Peshk”, Martanesh.

6. Ndryshim i projektit të fabrikës së çimentos “COLACEM”, brenda kufijve të lejes së sheshit të miratuar më parë.

7. Studim depozitash bregdetare, terminal karburantesh, fshati Rinia, Porto Romano, Qarku Durrës, me sipërfaqe 31983 m2, investitor “Europetrol Durrës Albania”.

8. Detyra e projektimit për planin e përgjithshëm rregullues të zonës turistike Vilë-Bashtovë, miratimin e planit të përgjithshëm rregullues të kësaj zone, si dhe studimet urbanistike pjesore në zbërthim të këtij plani, komuna Gosë, Kavajë.

9. Detyra e projektimit për masterplanin e zonës turistike Pogradec-Drilon dhe masterplanin e zonës turistike Pogradec-Drilon, në komunën Buçimas, Qarku Korçë.

Projekti i zonës turistike Pogradec-Drilon

KKRRTRSH-ja ka miratuar dje projektimin për masterplanin e zonës turistike Pogradec-Drilon, në komunën Buçimas, në Qarkun e Korçës. Pas prezantimit të projektit, sipas të cilit pretendohet se do të krijohen të gjitha mundësitë ndaj kërkesave të pushuesve, kreu i Këshillit, Kryeministri Sali Berisha dhe sekretariati teknik, edhe pse kanë dhënë dritën jeshile, kanë kërkuar që të bëhet kujdes që projekti të zhvillohet uniform në të gjithë vijën e liqenit të Ohrit, duke filluar nga fshati Lin e deri në Tushemisht. Kreu i Qeverisë ka evidentuar si të domosdoshme ruajtjen e parametrave të zhvillimit turistik të gjithë zonës, si dhe duhet të merren në konsideratë studimet për ruajtjen e mjedisit. Në cilësinë e drejtuesit të Këshillit, ai kërkoi që të respektohen konventat për ruajtjen e liqenit të Ohrit. Gjatë paraqitjes së projektit u pretendua se toka ku do të kryhej investimi është e pashfrytëzueshme. Por Berisha e ka cilësuar si të padrejtë dhe ka kërkuar studimin nga ekspertë të Ministrisë së Bujqësisë.

Hidrocentralet

Miratimi për ndërtimin e 5 hidrocentraleve në komunat Zapod dhe Topojan, në Qarkun e Kukësit, ka kaluar përmes diskutimeve të gjata. Shkak ka qenë fakti se njëri prej përrenjve kryesorë ku do të ndërtohet një prej hidrocentraleve kalon dhe ka burimin në territorin e Kosovës. Kryeministri Berisha ka thënë se duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me një shtet tjetër, i cili do të ndërtojë një hidrocentral po në atë zonë, por edhe marrëdhëniet, çështja do të shqyrtohet nga një grup ndërqeveritar. Berisha tha se çështja do të zgjidhet në bazë të interesit kombëtar dhe nuk do të ketë aspak nevojë që palët të shkojnë në gjykatë.

Parqet eolike

Ndërtimi i parkut energjetik dhe eolik në komunën Kryevidh të Kavajës do të kryhet vetëm duke eliminuar zhurmat që do të shkaktohen gjatë funksionimit të pajisjeve që do të prodhojnë energjinë. Kryeministri Berisha ka theksuar se zona ku do të ndërtohet parku ka prioritet turizmin dhe kësisoj duhet marrë në konsideratë. Ai pranoi se zona është e përshtatshme për ndërtimin e parqeve eolike, pasi matjet dëshmojnë që fluksi i erës është i përfillshëm, por kërkoi që studimi të garantojë eliminimin e ndotjes akustike. Sipas tij, distanca e turbinave duhet të jetë e atillë nga zona turistike, që zhurma e tyre të jetë zero.

Porto Romano

Këshilli i Rregullimit të Territorit të Republikës ka miratuar studimin e depozitave bregdetare, terminal karburantesh, fshati Rinia, Porto Romano, në Qarkun Durrës, me sipërfaqe 31983 m2, me investitor “Europetrol Durrës Albania”. Sipas relatorit që prezantoi projektin, investimi kap një vlerë investimi prej 10 milionë eurosh. Por sekretaria teknike ka kërkuar që të bëhet një ndërhyrje në projekt, duke përfshirë rregullimin e kanalizimeve të ujërave të përdorura, duke i bënë pjesë të masterplanit teknologjik të gjithë zonës. Vetë Berisha rekomandoi që kompania të blejë impiantin përkatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›