E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrokaj dhe Panariti përballen në shtator

07/07/2010 LSI mbyll fazën e paraqitjes së kandidaturave për kryetar të degës së Tiranës

Kryesia e përgjithshme miratoi katër sekretarë rajonalë

Anëtarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim do të votojnë më 26 shtator të këtij viti për të zgjedhur kryetarin e degës së partisë për Tiranën, mes kandidaturës së Shezai Rrokajt dhe Edmond Panaritit. Pas periudhës së pritjes të dorëzimit të kandidaturave, kryesia e përgjithshme e LSI-së mori dje vendimin për të shpallur zyrtarisht Rrokajn dhe Panaritin si rivalët në garën e brendshme elektorale. Procesi zgjedhor do të bazohet në parimin “një anëtar, një votë” dhe Lëvizja pretendon se gjithçka do të jetë e hapur dhe transparente, duke siguruar pjesëmarrje konkurruese. LSI-ja synon përmes kësaj fushate të brendshme zgjedhore jo vetëm të zhvillojë një proces për ristrukturimin e brendshëm partiak, por edhe një fazë të rëndësishme përgatitore për anëtarësinë e saj në funksion të zgjedhjeve të ardhshme lokale. Zyrtarët e LSI-së kanë vlerësuar se përmes procesit synohet që të rikthehet vëmendja e veprimtarëve të kësaj force politike tek funksionimi organizativ i partisë. Gjatë mbledhjes së djeshme të kryesisë është miratuar një strukturë e re e organizimit politik të partisë. Kështu, lidershipi i Lëvizjes miratoi katër sekretarë rajonalë, përkatësisht Nora Malaj për Qarkun e Shkodrës, Leonard Beqiri për Qarkun e Korçës, Besjan Pesha për Qarkun e Gjirokastrës dhe Edmond Hoxha për Qarkun e Dibrës. Gjatë kësaj mbledhjeje fokusi është venë kryesisht mbi zbatimin e projektit për riorganizimin e LSI-së, që do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë për zgjedhjet e ardhshme të pushtetit vendor, që pritet të zhvillohen pranverën e vitit 2011.Vetë kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka konsideruar periudhën aktuale si një moment shumë të rëndësishëm. Gjithashtu, ai është ndalur në veçanti edhe në situatën ekonomike dhe sociale të vendit. “Prioritet i LSI-së, në një plan afatshkurtër, është ruajtja e stabilitetit makroekonomik të vendit, si dhe përmirësimi i treguesve kryesorë, sidomos i deficitit buxhetor. Është shumë e rëndësishme që të ruhet besueshmëria e ekonomisë sonë, në mënyrë që të sigurohen burime shtesë financimi nga jashtë, por duhet të ruhet një mjedis atraktiv për investitorët e huaj”, tha Meta.

Reforma zgjedhore

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, ka deklaruar se shpreson që opozita të jetë e sinqertë në kërkesën e saj për transparencën e zgjedhjeve. Por ai ka theksuar se kjo transparencë mund të arrihet vetëm përmes reformimit të ligjit zgjedhor. “Të bashkohen në përpjekjet tona për ta reformuar më tej sistemin zgjedhor, sepse ne e kemi shprehur prej kohësh që pavarësisht nga vlerësimi i lartë që u bëri komuniteti ndërkombëtar zgjedhjeve të shkuara, përsëri ato kishin problemet e tyre, ashtu si dhe vetë kodi konsensual PS-PD, nuk ishin perfekte”, tha Meta. Ai u shpreh se Partia Socialiste duhet të jetë e para që të japë kontributin në reformën zgjedhore, pasi ajo ngriti shqetësim më shumë transparencën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›