E Diel, 1 Nëntor 2026

Diplomati gjerman: Si u arrestua Esat Pasha më 19 maj 1914

Më 29 prill 1914, Ministria e Jashtme gjermane vendosi hapjen e një Konsullate të Përgjithshme në formën e një Agjensie Diplomatike pranë qeverisë së Princ Wied-it.
Kjo Konsullatë duhej që, përkrah angazhimeve politike të kujdesej edhe për mbarëvajtjen dhe përfaqësimin e interesave ekonomike gjermane në Shqipëri. “[...] Në një vend plotësisht të prapambetur e më një popullsi prej rreth 900.000 banorësh, të hapen në të njëjtën kohë dy përfaqësi, një diplomatike dhe një për çështjet ekonomike, është thuajse e pamundur të justifikohet” i drejtohej Ministri i Jashtëm Gjerman Perandorit Wilhelm II. Meqenëse akoma nuk dihej nëse Wied-i dhe qeveria e tij do të qëndronin përfundimisht në Durrës, emërtimi i plotë i kësaj përfaqësie jetëshkurtër do të ishte “Agjensia diplomatike dhe Konsullata e Përgjithshme për Shqipërinë”.
Agjensia e filloi menjëherë aktivitetin e saj. Provizorisht ajo u drejtua nga Sekretari i Dytë në shërbimin diplomatik gjerman Rudolf Nadolny. Në fakt, Nadolny zëvendësoi përfaqësuesin gjerman të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit ,Julius Winckel, i cili u detyrua të largohej nga detyra dhe të kurohej në Itali, pasi gjatë një vizite në qytetin e Vlorës ai u kafshua nga një qen i tërbuar. Në momentin e ardhjes së Wied-it në Shqipëri, Nadolny ishte i vetmi përfaqësues i shërbimit diplomatik gjerman që ndodhej pranë tij. Nadolny do të ndikonte drejtpërsëdrejti në ngjarjet që do të zhvilloheshin në Shqipëri. Wied-i si gjerman, ndihej më i lidhur me Nadolnyn-in dhe i besonte më shumë atij sesa përfaqësuesve të Austro-Hungarisë dhe Italisë. Pra, Nadolny ishte në sytë e Wied-it “i treti i paanshëm”. Ai e dinte se politika gjermane nuk kishte interesa në Shqipëri, madje ishte skeptike ndaj ardhjes së tij në Shqipëri. Politika gjermane e shikonte situatën në të cilën do të gjendej Wied-i në Shqipëri aq të komplikuar dhe të vështirë saqë në Reichstag (Parlament), pas zgjedhjes së Wied-it si Princ i Shqipërisë do të thuhej se “është më e rehatshme dhe e pranueshme të ulesh mbi një fole milingonash sesa në fronin mbretëror shqiptar”.
Në raportin Nr. 64, datë 31 maj 1914, Nadolny i raportonte kancelarit gjerman Bethman Hollweg duke bërë një skicim të ngjarjeve më të rëndësishme të kësaj kohe, sidomos të arrestimit dhe më pas të largimit të Esat Pashës në Itali si edhe të pasojave të këtij veprimi të ndërmarrë nga Princ Wied-i.
Ai shkruan: „Më 18 maj pasdite, erdhi lajmi se, kryengritja fshatare kishte marrë përmasa të mëdha dhe turma kryengritësish ishin përqëndruar në afërsi të qytetit. Rreziku i një sulmi të armatosur ishte i pranishëm. Për këtë qëllim, në qytet u morën masa mbrojtëse në mënyrën më të mirë të mundshme. Tre topa me fuqi të lartë zjarri që kishin ardhur nga Austria u vendosën në pikat më dominante nën drejtimin e tre oficerëve austriakë, të cilët sapo i kishin prurë këto armë në qytet. Në pozicione të favorshme u vendosën edhe mitralozë të tjerë. Xhandarët u vendosën në posta alarmi dhe u armatosën vullnetarët e ardhur në qytet. Anijet në port u përforcuan edhe nga një tjetër torpediere italiane që sapo ishte kthyer nga Vlora. Anijet kaluan në gjendje gatishmërie për ndonjë zbarkim të mundshëm dhe gjatë natës ndriçonin qytetin me projektorët e tyre.
Në mëngjesin e datës 19 maj, në orën katër të mëngjesit, qytetarët e Durrësit u zgjuan nga të shtëna armësh. U besua se, siç parashikohej, kryengritësit kishin sulmuar qytetin. Por, më vonë, u pa se nuk bëhej fjalë për një sulm të kryengritësve, por që shënjestrat e topave ishte drejtuar drejt shtëpisë së Ministrit të Luftës, Esat Pashës.
Qëndrimi i Esat Pashës kohët e fundit ishte bërë gjithmonë e më shumë dyshues dhe i vështirë. Fshehtas, por edhe hapur, ai akuzohej për veprime jobesnike nga më të ndryshmet: psh. që ai mbante lidhje të fshehta me grekët, serbët, malazezët dhe turqit, që punonte kundër princit dhe para së gjithash, që ai ndihmonte kryengritësit, madje se e kishte inspiruar vetë kryengritjen. Më tej, ai akuzohej se si pasojë e synimeve të tij sunduese dhe metodave turke që përdorte, qeveria nuk ishte e aftë dhe i mungonte inisiativa. Në shumë grumbullime të të ashtuquajturëve patriotë, konkretisht të patriotëve të bashkuar përparimtarë, në të cilat kritikohej puna e qeverisë, kritikohej në rastet më të shumta Esati dhe metodat e tij tw punës. Gjithë këtyre fakteve u shtohej edhe grindja e Esatit me oficerët holandezë, e cila kohët e fundit kishte marrë një formë tepër të mprehtë.
Në fakt, që në fillim Princi nuk i besonte Esatit. Ky mosbesim, i nxitur nga të gjitha anët, erdhi gjithmonë e në rritje. Përveç elementëve nacionalë dhe rivalëve vendas të tij, te armiqtë kryesorë të Esatit bënin pjesë edhe personeli i oborrit, oficerët holandezë dhe përfaqësuesit e legatës austriake. Këta të fundit e konsideronin Esatin si armikun e tyre sepse, siç ishte e njohur për të gjithë, Esati ishte një mbështetës i patundur i Italisë dhe konsumonte shumë kohë me përfaqësuesit e legatës italiane. Kohët e fundit, Esati, duhet ta ketë ndier se po përgatitej diçka e madhe, për mos të thënë se ai mund të ishte vetë aktori kryesor i kësaj ngjarje sepse, para pak kohësh, ai grumbulloi në shtëpinë e tij një rojë të armatosur prej afro 20 burrash dhe në datën 18 maj përqendroi në shtëpinë e tij një sasi të madhe municioni.
Shkaku kryesor për sulmin ndaj Ministrit të Luftës në mëngjesin e 19 majit ishte mosmarrëveshja e tij me oficerët holandezë. Disa ditë më parë, Esati ishte takuar me komandantin ushtark të qytetit, majorin holandez Sluys dhe e kishte vënë atë në dijeni për aktin e tij të dorëheqjes. Por, kjo gjë tashmë ishte harruar. Në pasditen e 18 majit ndodhi një përplasje tjetër për shkakun e personelit që duhej të plotësonte një postë alarmi të përparuar. Në fakt, bëhej fjalë gjithmonë për të njëjtën çështje, pra nëse zotërinjtë holandeze duhej të zbatonin vetëm urdhrat e dhëna nga gjenerali i tyre holandez apo duhej të ndiqnin edhe urdhrat e Esat Pashës.
Esati bëri përsëri aktin e dorëheqjes dhe e vuri Princin para alternativës: „Sluys ose unë”. Princi, duke qenë i vetëdijshëm për situatën dhe problemet që i shkakonte një krizë ministrore, ju lut Sluys-it që ta kalonte komandën përkohësisht në duart e një oficeri tjetër holandez. Mesa duket, në mbrëmje, Sluys-i i ndihmuar edhe nga zotërinjtë e oborrit, arriti ta bindë Wied-in, se ai duhej të besonte atë dhe jo Esatin. Wied-i, pa vënë më parë në dijeni Esatin, i‘a ktheu përsëri komandën Sluys-it. Me ndërmjetësinë e Legatës Austriake, Slyus-it ju vunë në dispozicion edhe tre oficerët artilierë austriakë. Natën, Sluys-i arriti të lëvizë dy topa nga ana lindore në anën perëndimore të qytetit dhe t’i poziciononte topat përballë shtëpisë së Esat Pashës. Në të gdhirë, ai hyri me forcë në shtëpinë e Esatit dhe i kërkoi çarmatosjen e rojeve, sepse Esatit nuk i lejohej të mbante roje të armatosur. Fillimisht, Esati pranoi dhe i urdhëroi rojet e tij të ulnin armët. Por, papritur ai pyeti: „Kujt duhet t’i dorëzohem?” Kur Majori u përgjigj: „Mua”, Esati urdhëroi njerëzit e tij të rroknin armët dhe të organizonin mbrojtjen. Filluan të shtënat. Sluys-i me njerëzit e tij u tërhoqën dhe topat hapën zjarr. Oficerët austriakë e drejtuan fillimisht zjarrin e artileriesë mbi një mur në afërsi të shtëpisë e më pas lëshuan disa predha mbi të. Një predhë çau çatinë dhe ra brenda në shtëpi. Esati u detyrua të ngrinte flamurin e bardhë. Atasheu i legatës rumune Sturça, i instruktuar nga Slyus-i, shkoi te Esati dhe e pyeti nëse do të dorëzohej. Esati kërkoi që gjatë këtij akti të ishin të pranishëm gjithë konsujt e huaj. Fillimisht u thirr zëvendëskonsulli austriak von Hornborstel dhe pas këmbënguljes së Esatit u lajmëruan edhe sekretari i legatës italiane dhe zëvendësuesi i konsullit italian, Marquis de Durazzo.
Unë (Nadolny) u zgjova nga të shtënat. Më pas më dhanë lajmin se po shtihej kundër Esatit. Kur pashë se dy kolegët e mi po nxitonin përpjetë në drejtim të shtëpisë së Esatit, u bashkova edhe unë me ta. Mendova se, atje ku kërkohet prezenca e austriakëve dhe italianëve, nuk është e dëmshme të japë një dorë edhe gjermani. Lartë mbizotëronte qetësia. Njerëzit e Esatit ishin akoma në pozicione zjarri. Pak më vonë ata u urdhëruan të largohen nga pozicionet. Para portës gjendej një i vrarë dhe në paradhomë ishte një i plagosur, i cili pak më vonë vdiq. Në paradhomë qëndronte Esati, veshur me një uniformë disi të degraduar dhe që dukej qartë se mundohej të mbante veten. Në krye të shkallëve gruaja e tij kafshonte thonjtë. Ai sqaroi se ishte i gatshëm të dorëzohej, por me kusht që, i shoqëruar nga një eskortë ndërkombëtare të cohej në një anije italiane që të largohej për në Itali. Ne u nisën në drejtim të pallatit që të transmetonim mesazhin. Ndërkohë në pallat kishin zbarkuar marinarë austriakë dhe italianë dhe kishin bllokuar gjithë hyrjet e pallatit. Në pallat erdhi edhe ministri austriak dhe rumun. Për fat të keq, minstri austriak e konsideronte veten si zot të situatës dhe pa asnjë arsye filloi t’i çirrej Myfit beut para gjithë të pranishmëve. Pak më vonë ai kërkoi ndjesë për këtë veprim. Ministri italian nuk ishte i pranishëm, sepse disa ditë më parë ishte larguar nga qyteti. Ky fakt, duket të ketë qenë tepër i rëndësishëm për zhvillimin e kësaj ngjarje. Princi nuk dinte ç’të thoshte. Ai lëkundej ndërmjet dy ekstremeve, ta burgoste apo ta linte të lirë Esatin. Për disa kohë nuk ndodhi asgjë. Më në fund, pas propozimit tim, Wied-i vendosi që Esati të çohej në anijen austriake «Svigetvar» dhe të mbahej në ruajtje. Dhe kjo gjë do të bëhej. Esati, i ruajtur nga xhandarët dhe nën shoqërinë e një eskorte ndërkombëtarësh, u nis në drejtim të anijes, duke kaluar pranë pallatit, sepse në qytet kishin zënë pozicion shumë nacionalistë të armatosur që po prisnin të kalonte Esati dhe t’ia këndonin kulufruthin. U urdhërua kalimi në shtetrrethim, por gjithësesi mjaftoi vetëm marrja e disa masave sigurie. Kabineti dha dorëheqjen, por ju kërkua të vazhdonte detyrën edhe për pak kohë. Ndaj Esatit duhej të hapej një proces gjyqësor. Princi ishte dyzues në qëndrimin e tij, sepse kishte frikë se nga hetimi nuk do të dilte ndonjë gjë e madhe. Bazuar në këshillën e Castold-it, pasdite ai bëri të ditur se do të lejonte të nesërmen largimin e Esatit në Itali si një njeri i lirë. Në lidhje me këtë dekleratë, ditën tjetër, ministri austriak mbajti qëndrim dhe si pasojë, Princi filloi përsëri të luhatej. Mua më duhej të negocioja ndërmjet përfaqësuesit austriak dhe atij italian. Më në fund të gjithë ranë dakort që, Esati duhej të largohej, pasi të kishte deklaruar me shkrim se nuk do të kthehej përsëri pa miratimin e princit dhe që po ashtu nuk do të ndërmerrte asnjë veprim kundër Shqipërisë. Unë ndikova në përshpejtimin e nisjes së Esatit, për më tepër pas tërë asaj pavendosmërie të shfaqur, sepse në mbrëmjë pritej kthimi i ministrit italian dhe nuk mund të parashikohej rrjedha e ngjarjeve, nëse Esati do të ishte akoma në qytet.
Pyetjes, nëse mënjanimi i dhunshëm i Esat Pashës ishte i argumentuar apo ishte i padrejtë, është shumë e vështirë t’i përgjigjesh. Shokët e tij janë të bindur për besnikërinë e tij absolute, ndërsa armiqtë e tij besojnë të kundërtën. Ata besojnë se Esati kishte synime tradhtare dhe shumë shpejt do t’i vinte në zbatim ato. Kjo e fundit është pak e ekzagjeruar. Edhe unë po ashtu nuk besoj se, Esati kohët e fundit, konkretisht që prej ardhjes së Princit, ka pasur marrëdhënie tradhtare me vendet fqinje. Por, sigurisht që ai nuk i ka humbur ambiciet e tij të vjetra. Sipas vlerësimit tim programi i tij ishte: „Sa kohë është Princi, dua të jem përkrah tij ose i pari pas tij, por nëse ai largohet, dua të jem pasuesi i tij”. Po ashtu besoj se në një nga letrat etij ai e ka shprehur hapur këtë qëllim. Që pjesa e parë e programit të tij i ka bezdisur shumë marrëdhëniet shtetërore është e qartë - tashmë unë kam raportuar për kritikat ndaj praktikave turke të ndjekura prej tij. Parë nga një këndvështrim i përparuar i organizimit të shtetit shqiptar, mënjanimi i tij mund të pranohet, pavarëisht se do të ishte dëshiruar që ky mënjanim të bëhej në një mënyrë paqësore.
Në mbrëmjen e 20 majit, baroni Aliotti u kthye. Tërbimi i tij për këtë „coup mexicain” ishte i pamasë. Për këtë ngjarje ai bëri fajtor Legatën Austriake dhe u duk se ishte i vendosur deri në gjakderdhje për të rimarrë nën kontroll situatën. Ditën tjetër ai kërkoi largimin e menjëhershëm të oficerëve austriakë. Më tej inati i tij u drejtua kundër Majorit holandez Sluys dhe marshallit të oborrit von Trotha, të cilin ai e konsideronte pjesëtar të komplotit. Më kushtoi shumë mund e djersë që, çdo ditë, kudo, të bëja ndërmjetësime, sidomos ndërmjet dy Legatave të sipërpërmendura dhe të kufizoja pasojat e këtij eksplodimi të vazhdueshëm. Për fat të keq më duhet të them se, austriaku, nuk shkëlqeu në taktikën e ndjekur prej tij. Në vend që, për të rregulluar situatën dhe marrëdhëniet e krijuara, të mos kapej pas vogëlsirave dhe të këmbëngulte me të madhe ndaj formalizmave, ai vazhdonte me të tijën, duke e përkeqësuar akoma më tej situatën e krijuar. Më në fund oficerët austriakë dorëzuan topat dhe u larguan në bordin e anijes „Svitzegar”.
Situata ishte tepër e ngarkuar dhe nga dita në dita përkeqësohej, sepse ekzistonte frika e një përplasje të armatosur ndërmjet përkrahësve të Esatit dhe nacionalistëve. Gjithësesi nuk pati përplasje të mëdha. Pallati vazhdonte të ruhej nga marinarët austriakë dhe italianë.
Vështirësia më e madhe e Princit ishte ngritja e një kabineti të ri qeveritar. Më 22 maj qeveria aktuale, pavarësisht se ajo kishte ekzistuar vetëm formalisht, dha përfundimisht dorëheqjen. Ministri rumun dhe unë, duke qenë se kishim marrë kontakt me prsonat që mund të angazhoheshin në qeveri, bëmë një listë të kandidatëve të mundshëm dhe Wied-i u mundua natën e 22 majit të ngrinte një ministri. U krijua pothuajse përshtypja se kjo gjë do të arrihej, kur papritur kryengritësit sulmuan Durrësin duke e vënë në pikëpyetje cdo zhvillim të arritur.
Ditët e fundit nuk kishte pasur ndonjë lajm kushedi nga kryengritësit. Qarkullonin thashetheme se fshatarët po organizoheshin; Tirana do të rrethohej dhe shuma nga bejlerët që banonin në Tiranë do të vriteshin; Në Mat flitej se rreth Arif Hikmetit dhe Ahmet Beut ishin mbledhur mijëra njerëz. Se sa ishin të vërteta këto lajme nuk e dinte askush, por më vonë u pa se shumë nga këto lajme ishin të zmadhuara dhe të pavërteta. Më 22 maj në darkë, ndërkohë që unë isha te princi, erdhi një telegram nga bejlerët e Tiranës të cilët kërkonin ndihmë sepse nga lindja ishin drejtuar drejt Tiranës mijëra njerëz të rrezikshëm. Duke pasur parasysh zmadhimet e shumta që zakonisht bëheshin me lajmet, e këshillova princin të dërgonte fillimisht një oficer me automobil e të konfirmonte vërtetësinë e lajmit. Më pas le të dërgohej një detashment. Princi u këshillua me gjeneralin holandez dhe vendosi të dërgonte menjëherë një detashment prej 50 xhandarësh, 50 vullnetarësh dhe 50 malësorësh të armatosur me një top dhe dy mitralozë. Këta malësorë bënin pjesë në shpurën prej 150 malësorëve të ardhur për të ruajtur Wied-in dhe oborrin e tij. Ditën tjetër malësorët u kthyen. Pas disa kilometrash rrugë ata kishin kundërshtuar të vazhdonin më tej sepse kjo ekspeditë nuk ishte detyra e tyre. Pjesa tjetër e detashmentit u rrethua nga kryengritësit në Shijak dhe pas një rezistence të vogël u dorëzua te kryengritësit. Pasi u mor ky lajm drejt Shijakut u dërguan forca të tjera, por kryengritësit ishin pozicionuar në kodrat rreth tij duke ndezur kështu një betejë që zgjati gjithë ditën. Në betejë u përdorën edhe topat austriakë. Duke qenë se mungonin artiljerët, personat që shërbenin topat filluan të hapin zjarr kot më kot dhe predhat binin mbi qytet dhe mbi pozicionet e tyre. Pasdite, dy tregëtarë gjermanë, që dikur kishin shërbyer në ushtri si artiljerë e morën situatën në dorë dhe u arritën rezultate më të mira.
Princ Wied-i më thirri dhe më pyeti nëse duhej të thërriste forcat ndërkombëtare në ndihmë. E këshillova se kjo gjë nuk ishte aq e thjeshtë sa dukej dhe që ai duhej të merrte kontakt menjëherë më kryengritësit. Pas shumë diskutimesh u vendos që njëfarë Mehmet Draga të dërgohej të fliste me ta.
Princi dhe e shoqja e tij më thanë në mirëbesim se duke parë mënyrën se si vepronte Aliotti, Italia nuk ishte më e interesuar për ruajtjen e mbretërisë së tij. Unë i kundërshtova dhe u përpoqa t‘i qetësoja. Pak më vonë, edhe ministri austriak më shprehu të njëtin shqetësim. Ai mendonte se Italia kërkonte që qyteti të binte. Natën do të organizohej një masakër e tmerrshme nga kryengritësit dhe njerëzit e Esatit.
Rreth orës tre të pasdites, kur u ktheva përsëri në pallat, gjeta aty Aliottin, i cili tepër i alarmuar i raportonte Wied-it se, armiku, me një forcë prej 7000 vetësh ishte shumë pranë dhe tashmë kishte marrë urën në hyrje të qytetit. Ai e këshilloi Princin dhe familjen e tij të largohej sepse nuk mund të garantonte më sigurinë e tij. Edhe Mehmet Draga u kthye nga misioni i tij dhe raportoi po ashtu afrimin e kryengritësve pranë qytetit. Kryengritësit nuk kishin pranuar të flisnin me të. Wied-i ngurronte të merrte një vendim dhe Aliotti ju lut që të paktën të largonte fëmijët nga pallati. Princi ju drejtua ministrit austriak që sapo erdhi edhe mua për të marrë mendimin tonë. Duke qenë se mungonte informacioni i saktë ishte tepër e vështirë për të bërë një analizë të plotë të ngjarjeve. Në këto kushte, ju drejtova ministrit italian dhe atij austriak duke i pyetur nëse ata me forcat e tyre ushtarake mund të mbronin qytetin në mënyrë që Princi mos të detyrohej të largohej nga pallati. Ministri italian kundërshtoi me vendosmëri dhe u shprejh se ai nuk kishte asnjë lidhje me qytetin. Sapo Princi të jetë në bordin e anijes, ai do të urdhëronte tërheqjen e gjithë ushtarëve italianë dhe do të linte roje vetëm te legata italiane. Të njëjtën gjë premtoi se do të bënte edhe ministri austriak. Pas kësaj pasoi një rrëmujë e madhe dhe pak më vonë Wied-i i shoqëruar nga familja dhe oborri i tij me valixhe në dorë u nisën drejt portit. Flamuri u hoq nga pallati dhe pas pak kohësh ai valëvitej në direkun e anijes „Misurata”.
Në këtë situatë, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, për të mbrojtur qytetin, vendosi të marrë kontakt me kryengritësit. Shkuam të gjithë së bashku në legatën italiane ku Komisioni ndodhej dhe më pas u drejtuam në këmbë jashtë qytetit. Sapo e lamë pas qytetin të shtënat pushuan. Mbi urë, rreth 10 minuta larg qytetit, u ndeshëm në rrugë me kapitenin holandez Saar mbi kalë, i shoqëruar nga dy persona të tjerë. Atë e kishin dërguar kryengritësit dhe ai tha se ditën tjetër do të vinte një delegacion i kryengritësve për të folur me Wied-in.
Ngjarjet e 23 majit u ndoqën me interes në gjithë Evropën dhe shumë gazeta të huaja e trnasmetuan ngjarjen në mënyrë sensacionale. Sidomos shtypi italian thuri orgji të tëra për të glorifikuar rolin e ministrit italian dhe gjithë organeve të tjera italiane që kishin lidhje me këtë ngjarje. Po ashtu, në shumë gazeta është kritikuar edhe mungesa e trimërisë së Wied-it. Të dyja këto janë të padrejta.
Për Aliottin, 23 maji nuk shënon një ditë suksesi. Nëse ai mendonte vërtet se ndodhej në rrezik, ai ishte i pari që e humbi toruan dhe donte të largohej nga qyteti. Nëse ai është shtirë dhe luajti rolin në një situatë të sajuar, atëherë është po ai që e dërgoi oborrin princëror në anije. Unë besoj se kjo e dytë përbën të vërtetën.
Unë nuk shkoj kaq larg sa disa të tjerë, të cilët besojnë se ai urdhëroi sulmin e kryengritësve dhe që emisarë itallianë i komandonin këta të fundit. Ai kishte ngritur nëpërmjet oficerëve dhe gazetarëve të tij një rrjet të mirë informativ dhe e njihte situatën. Për më tepër që kryengritësit ishin vetëm 700 dhe jo 7000 siç pretendohej. Për mendimin tim, kjo ishte hakmarrja e Aliottit ndaj dëbimit në mungesë të tij të Esat Pashës.
Kundërshtari i tij austriak, jo vetëm që i lehtësoi atij arritjen e kësaj fitoreje, por sipas mendimit tim, ai dështoi disa herë radhazi. Jo vetëm që ai nuk kishte informacion, pavarësisht se kishte një shtab të fryrë me sekretarë, ateshe e agjentë dhe ngrinte supet para çdo informacioni italian, por ai për dy ditë rresht u strehua së bashku me shtabin e tij në një kryqëzor austriak. Ndoshta në pritje të masakrës që më paralajmëroi edhe mua se do të ndodhte. Po ashtu, ai këshilloi edhe Princin që të mos largohej nga anija dhe kur ky kundërshtoi, ai urdhëroi tërheqjen e marinarëve austriakë nga vendrojet në pallat, duke shkaktuar kështu dyfishimin e rojeve italianë.
Të akuzosh Princin për mungesë trimërie, sepse u largua nga pallati, nuk është e drejtë. Ditën tjetër ai donte të shkonte personalisht te kryengritësit dhe të fliste më ta. Arrita me shumë vështirësi ta ndaloja para një veprimi të tillë. Arsyeja se përse ai u detyrua të largohej nga pallati ishte mungesa e informacionit.
Ditën tjetër, delegacioni i kryengritësve nuk erdhi. Ata dërguan përsëri kapitenin holandez dhe kërkuan që deri në mbrëmje të takoheshin me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit.
Meqënëse përfaqësuesi gjerman, rus dhe italian mungonin, me anëtarët e tjerë të Komisionit u bashkuam edhe ministri italian dhe unë. Së bashku u nisëm për në Shijak. Në Shijak ishin mbledhur rreth 500 vetë. Në ndërtesën qeveritare valëvitej flamuri turk. Kryengritësit i kishin shkruar kërkesat e tyre në një copë letër: ata kërkonin një organizim më të mirë të mësimit fetar, rikthimin e sundimit turk ose, nëse kjo nuk ishte e mundur, Evropa duhej të bënte diçka sepse ata nuk ishin të kënaqur me sundimin e deriatëhershëm. Fillimisht u debatua me disa të moshuar dhe hoxhallarë e më pas u mbajtën fjalimë para popullit të mbledhur. Në përgjithësi fjalimet u dëgjuan, me përjashtim të një grupi të vogël njerëzish, të cilët, pavarësisht se çfarë thuhej bërtisnin: „jo më Shqipëri, jo më Mbret – Turqia”. Mesa duket ata ishin të paguar.
Në fund u ra dakort që letra e tyre t’i dërgohej Evropës. Pas bisedimesh të tjera u liruan edhe robërit, rreth 70 si edhe të plagosurit. Nga të dyja palët ishin rreth 40 të vrarë e të plagosur. Ishte vrarë edhe një austriak.
U vlerësua shumë roli i gjermanëve që morën pjesë në luftë. U lavdëruan jo vetëm artiljerët e sipërpërmendur por edhe guximi i një ish oficeri prusian, von Gumppenberg, i cili deri para pak kohësh ka qenë në shërbimin turk dhe tani është punësuar si oficer për ngritjen e milicisë shqiptare. Unë u urova nga të gjitha anët për trimërinë e treguar nga bashkëatdhetarët e mi dhe, mesa duket, kjo ishte edhe gjëja e vetme mbi të cilën mund të gëzoheshe në gjithë këtë aferë.”

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›