E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Djemtë e Çikagos” në versionin shqiptar

Në prag të Revolucionit të Tetorit, Lenini i ankthuar pyeti Trockin se si do shkonin punët nëse nuk fi tonin. “Unë do shqetësohesha se çfarë do bëjmë nëse fitojmë”, ju përgjigj fëmija i përkëdhelur i bolshevikëve dhe heretiku i mëvonshëm i tyre. Është dilema me të cilën do përballen socialistët shqiptarë jo shumë por një vit më pas.
Që pushteti aktual i Partisë Demokratike është në frymën e fundit, kjo është diçka evidente që për një mendje dhe gjykim racional, nuk ka nevojë për prova. Tashmë nuk është vetëm mungesa e ideve që e bën të sigurtë këtë. Mungesa e parave në buxhet, shkon deri aty sa çdo pesëmbëdhjetë ditë vihet në provë aftësia e shtetit për të paguar rrogat. Mosekzistenca e transparencës në marrëdhëniet me publikun, nuk e fsheh dot faktin se likujdimi i punëve të prokuruara, ka filluar të mbartet nga viti në vit, duke bërë që firmat të investojnë paratë e tyre apo ato që marrin me interesa të larta në tregun informal, në pritje të likujdimit nga shteti. Nuk është sprovë akademike të kuptosh se dyqanxhinjtë ankohen jo për të shmangur syrin e keq, por sepse realisht janë në kufirin e mbijetesës. Bizneset nuk mbyllen pasi të punësuarit në këtë sektor kanë mundësi të vetme jetese, mbajtjen gjallë të aktivitetit qoftë edhe me para borxh, duke pasur si të vetmen strategji për të ardhmen se ditët e mira ndoshta do të vijnë. Shitja e të fundmeve asete publike në pronësi, është tregues jo i një strategjie theçeriane, e cila për hir të së vërtetës i solli botës pasojat negative që po përjeton sot, por i mungesës së parave në arkën publike dhe sjelljes armiqësore ndaj opozitës të cilës po i lë në dorëzim tokë të djegur, pavarësisht se pasojat do ti vuajnë mbarë shqiptarët. Qarkullimi i parasë, një ndër treguesit kryesorë të shëndetit të ekonomisë, ka kohë që nuk jepet por fakti që prej vitesh, ndërtuesit, sektori kyç i ekonomisë, operojnë me klering, dhe së fundmi kanë ndaluar çdo veprimtari, do të thotë se gjithë ekonomia është bllokuar. Nga ky sektor, varet ai i mobilimit, elektroshtëpiakeve dhe ai bankar që financon blerjet e shtëpive. Është i lidhur me qarkullimin e lëndëve të para si tulla, çimentoja, betoni, dërrasa. Janë bllokuar zanatet e lidhura me të si muratori, marangozi, elektriçisti apo bojaxhiu. Të gjithë janë me çelsa fikur. Përtej ngazëllimit që shfaq kryeministri kur flet për gjërat që nuk merr vesh, ky shtet nuk është në zgrip, por në humnerë. Dhe megjithatë ende nuk përgatit një plan katastrofe për asistimin, rikualifikimin apo qoftë shëndetin e njerëzve që po mbyten në tallazin e krizës.
Gafat e kësaj qeverisjeje konsistojnë në improvizimet e saj. Që në fillim, pa marrë parasysh nevojën apo kompleksitetin e investimit, u fokusua në ndërtimin e rrugëve. Mbështetja teorike se investimet publike e nxjerrin vendin nga impasi, duke u nisur nga shembulli i Gjermanisë apo SHBA të viteve 1930-të, ishte dëshmi e mediokritetit të mendimit ekonomik të maxhorancës blu. E sotmja e vërteton dritëshkurtësinë e strategjisë, pasi investimet në infrastrukturë nuk janë recetë universale për gjithkënd, kudo dhe kurdo. Vlenin për dy shtete të mëdha, në vitet ’30, me resurse dhe kapacitete të jashtëzakonshme natyrore dhe njerëzore, të cilat kishin nevojë që të lidhnin qëndrat e tyre industriale me infrastrukturë moderne. Kjo nuk i vlen Shqipërisë e cila nuk mund ti justifikojë ekonomikisht autostradat apo superstradat që të çojnë në fshatra gjysëm të zbrazura që prodhojnë qumësht e kos. Vetëm në mos qoftë kjo një mënyrë për të devijuar fondet publike kë xhepat e zyrtarëve. Dhe me sa duket ky ishte qëllimi final. Gjithë kjo politikë bëri që investitori kryesor të jetë shteti, i cili i shpërndau paratë në pak duar, dhe si përfundim solli bllokimin e ekonomisë. Mjafton një shembull për të treguar miopinë e politikave monopoliste: Një pronar restoranti, preferon që të ketë dhjetë tavolina që shpenzojnë nga 50 dollarë në vakt, se sa një tavolinë që shpenzon 200. Këtë leksion të thjeshtë nuk e dinin “mendimtarët” e erës së re që fryu në 2005-ën. Duke sjellë kolapsin. Sot kemi një vend ku sundojnë monopolet, të cilat ndalojnë zhvillimin e një klase të mesme, dhe sjellin ngërçin ekonomik dhe politik, deri në një bllokim total, i cili në mungesë të fantazisë dhe vullnetit të drejtuesve të shtetit për të bërë rotacionin, mund të sjellë zhbllokimin me thyerje, apo vdekjen e shoqërisë.
Në vitin ’92, për shkak të aplikimit të teorisë së “Djemve të Çikagos” me variantin shqiptar të “çekut të bardhë”, ekonomia shqiptare pësoi një shfarosje totale të bazës industriale, duke e kthyer vëndin praktikisht në epokën e gurit. Në vitin ’97, brënda katër vitesh, zbrazi edhe financat e shqiptarëve me skemat piramidale. Në të dyja rastet, për të mbijetuar, vendi eksportoi të vetmin mall rentabël: krahun e punës. I cili i solli të ardhurat në valutë. Dhe për fatin e tij, duke qenë pas ’97-ës në administrimin e njerëzve të përgjegjshëm që solli rotacioni politik, arriti të rimëkëmbej. Pas 2005-ës, me rishfaqjen e të njëjtit person dhe forcë që solli dramën e ’97-ës, filloi marrja e borxheve pa kriter, dhe shpërndarja e tyre pa nikoqirllëk. Sot, investimet janë tretur në vepra faraonike jo rentabël. Vendi administrohet pa përgjegjshmëri. Vetëm fakti se “taksa e sheshtë” e shumë reklamuar nga kjo qeveri, është shpikja e Milton Friedman, guruja i “Djemve të Çikagos”, është tregues se 15 vjet më pas, Sali Berisha as ka ditur gjë dhe as ka mësuar gjë se si drejtohet ekonomikisht një shtet, i cili nuk është e njëjta gjë më familjen e një mjeku.
Çfarë po lë pas kjo qeverisje si trashëgimi në ekonominë e vëndit, do jetë rishtas një katastrofë. Kjo është matematike. Profkat për paga të krahasueshme me BE-në nuk i hanë as mbesat e kryeministrit. Historia të mëson të mos gabosh rishtas. Por ekonomia nuk bën skonto për nxënësit e pavëmendshëm. Çmimi që do paguajmë, do jetë akoma më i kripur, pasi Greqia dhe Italia, partnerët tanë kryesorë në ekonomi dhe pritësit e krahut tonë të punës, janë në krizë të thellë. Shqiptarët do pësojnë për miopinë dhe inaktivitetin e tyre në lënien në qeverisje për tetë vjet, të njerëzve profanë në ndërtimin e shtetit dhe ekonomisë. Por ajo që mbetet enigma e madhe është nëse do mundin ata që do vijnë, të nxjerrin vendin nga humnera ku është kallur, dhe më kryesorja, a do dinë të ndërtojnë një shtet me fytyrë njerëzore? 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›