E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mediu në SHBA, s’shkon në Prokurori

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, është thirrur të paraqitej dje në katin e tretë të Prokurorisë së Përgjithshme, ku ndodhen zyrat e grupit hetimor të dosjes “Gërdeci”. 

Trazhgim Sokolaj

Më 20 gusht 2008, krerët e hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, kanë firmosur një fletëthirrje në adresë të kreut të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ku i kanë kërkuar atij paraqitjen në Prokurori për të dëshmuar si person në hetim për tragjedinë e Gërdecit. Ora 10:00 e ditës së djeshme, ka qenë afati kohor i shkruar në fletëthirrjen që është dërguar një javë më parë në adresë të ish-ministrit të Mbrojtjes. Ai tashmë thirret si person në hetim për ngjarjen e 15 marsit 2008, që shkaktoi vdekjen e 26 personave, plagosjen e 300 të tjerëve, dëmtimin e mbi 5 mijë banesave dhe një dëm ekonomik të vlerësuar paraprakisht në 20 milionë euro. Në kohën kur hetuesit prisnin paraqitjen e Mediut në Prokurori, aty ka mbërritur avokati i ish-ministrit me prokurën e përfaqësimit ligjor, Ardian Visha. Ky i fundit u ka komunikuar ish-kolegëve të tij në Prokurorinë e Përgjithshme, se Fatmir Mediu ndodhej prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për arsye personale. Për këtë shkak, ai nuk është paraqitur dje në Prokurori, ndërsa drejtuesit e hetimit, pasi kanë mësuar kohën e kthimit të ish-ministrit të Mbrojtjes nga Amerika, kanë vendosur ta shtyjnë pyetjen e tij për në muajin shtator. Sipas të dhënave zyrtare, pak ditë më parë Mediu ndodhej në Shqipëri ndërsa është e paqartë nëse thirrja në Prokurori si person në hetim është bërë para apo pas nisjes së tij për në SHBA. Burime jozyrtare thanë se, ish-ministri u nis dy ditë më parë për në SHBA, ndërsa fletëthirrja në adresë të tij është hartuar një javë më parë.  
Pikëpyetjet për Mediun
Prokuroria e Përgjithshme dhe grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit kanë ngritur një sërë pikëpyetjesh rreth pozicionit të ish-ministrit të Mbrojtjes lidhur me tragjedinë e rëndë të 15 marsit 2008. Gjatë gjithë verës grupi i hetimit ka mbledhur fakte dhe prova, verifikuar dokumente, madje ka kryer edhe veprime speciale hetimore, që kanë ngritur hipoteza të reja mbi rolin e ish-ministrit, të cilit do t’i kërkohet versioni i tij për dyshimet e hetuesve. Në kërkesën që Prokuroria dërgoi në Kuvend për heqjen e imunitetin dhe hapjen e rrugës për hetimin e Mediut, janë renditur 20 shkelje ligjore, që organi i akuzës pretendon se janë kryer nga ish-ministri i Mbrojtjes. Lidhur me tragjedinë e Gërdecit, Prokuroria tha se do të kërkojë nga Mediu arsyet e urdhrave dhe vendimeve të marra prej tij që çuan në vendosjen e fabrikës së çmontimit të predhave dhe municioneve në Gërdec, një zonë e banuar, pranë aeroportit dhe autostradës, ku “luhej” me vdekjen farë pranë shtëpive. Organi i akuzës shtoi se, do të kërkojë nga Mediu arsyet përse vartësit e tij në ndërmarrjen MEICO, nuk ushtruan inspektime në Gërdec për të verifikuar kushtet e punës dhe zbatimin e masave të sigurisë gjatë çmontimit të municioneve të rrezikshme dhe të vjetruara. “Mediut do t’i kërkohen sqarime për favorizim të mundshëm të firmave private që çmontonin municione në Gërdec, për transportin e predhave me shpenzime nga buxheti i ushtrisë dhe shkaqet përse kërkesa e bashkimit të kompanive “SAC”-”Albademil”, për ngritjen e pikës së çmontimit në Gërdec nuk është marrë në konsideratë për gjashtë muaj nga depozitimi i saj, por më pas është vepruar me shpejtësi në përmbushjen e saj.

“Mediu pyetet edhe për tregtinë e municioneve kineze në SHBA” 

TIRANE – Në listën e episodeve për të cilat ish-ministri i Mbrojtjes pritet të japë sqarime në Prokurori është edhe tregtia e municioneve që ndërmarrja MEICO ka bërë me kompaninë amerikane AEY të Efraim Diverolit. Ky i fundit akuzohet në SHBA se ka shkelur ligjet amerikane, që ndalojnë tregtimin e armatimeve kineze, ndërsa Diveroli ka thënë se autoritetet shqiptare ia kishin shitur këto municione pa i treguar origjinën e vërtetë të prodhimit. Ish-ministri i Mbrojtjes, Mediu, që në fillim ka deklaruar publikisht se palës amerikane i ishte konfirmuar para nënshkrimit të kontratës, se fishekët që shiteshin për në Afganistan, ishin të prodhimit kinez dhe të vjetruara. Sqarimet për tregtinë e municioneve me kompaninë amerikane do t’i kërkohen Mediut pas fakteve të bëra publike, që hedhin pikëpyetje mbi rolin e tij, si dhe pas hetimeve të filluara në SHBA për këtë transaksion. Mediu është person në hetim për tragjedinë e Gërdecit. Për këtë ngjarje, ish-vartësi i tij në ndërmarrjen MEICO, Ylli Pinari, ndodhet i arrestuar bashkë me drejtuesit e firmës private që bënte çmontimin në Gërdec, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxolli.
    

Xhuveli: Analizat, ajri në Gërdec është i pastër
TIRANE – Ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli, dha garanci se ajri në zonën e Gërdecit ku ndodhi shpërthimi katastrofik i 15 marsit, është i pastër dhe brenda parametrave normalë. Ministri që doli para mediave në konferencën për analizën e 7-mujorit të punës së dikasterit të drejtuar prej tij, tha se konfirmimi për ajrin e pastër në Gërdec vjen prej analizave fillestare që janë bërë nga MMPAU në laboratorët e saj, si dhe matjet që specialistët kanë bërë në terren. Ministria e Mjedisit sqaroi se, në mënyrë periodike analizat për ndotjen në Gërdec janë përsëritur me qëllim saktësimin e shkallës së ndotjes në çdo kohë të dhënë. Ministri Xhuveli konfirmoi gjithashtu se sipas tij, edhe uji në puset e zonës së Gërdecit, tanimë është në gjendje të njëjtë siç ka qenë para se të ndodhte shpërthimi i fabrikës së çmontimit dhe kontejnerëve të mbushur me barut predhash. Xhuveli tha se, edhe para shpërthimit të ndodhur në Gërdec, uji i puseve nuk është përdorur asnjëherë për konsum ndërsa pas tragjedisë zona furnizohet rregullisht nga tubacionet. Duke iu referuar metaleve të rënda dhe lëndëve të tjera helmuese, ministri i Mjedisit Xhuveli vijoi dje se, në këtë aspekt, ambient i ndotur dhe me rrezik konsiderohet vetëm zona e kraterit të shpërthimit, ndërsa situata ndryshon jashtë zonave kufizuese me origjinën e shpërthimit. Ndotja dhe rreziku ambiental në Gërdec, janë bërë shkak për replika mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të huaj në Tiranë, ndërsa kjo ka shkaktuar paqartësi tek banorët e zonës. Ambasadori amerikan Withers ka thënë se zona ende paraqet rrezik, kurse zyrtarët shqiptarë mendojnë ndryshe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›