E Shtunë, 31 Tetor 2026

Disa drejtime të diskriminimit pozitiv të zonave malore të varfra në fushën e arsimit



Me shumë të drejtë Kryeministri i vendit, Berisha, e trajton problemin e rritjes së nivelit arsimor të zonave të thella malore e të varfra si një domosdoshmëri të kohës. Dihet tashmë se për shkak të lëvizjeve të mëdha demografike, në këto zona u mbyllën mjaft shkolla të mesme, bile dhe disa shkolla të arsimit të detyruar. Ciklin e lartë të tyre e kthyen në sistemin e klasave kolektive, pasojë kjo e pakësimit të theksuar të popullsisë e për rrjedhojë edhe e numrit të nxënësve në shkolla. Terreni tepër i thyer dhe infrastruktura e papërshtatshme rrugore, bëri që mjaft të rinj e sidomos të reja të mos kenë mundësi të vazhdojnë mësimet në shkolla të mesme në një distancë relativisht të largët. Kështu, atyre iu mbyll rruga e vazhdimit të arsimit të mesëm.

Realizimi i këtij arsimimi me rrugën e konvikteve praktikisht nuk ka dalë i suksesshëm. Dihet që këto janë zona kryesisht bujqësore, blegtorale. Kjo degë e ekonomisë është shumë e ngarkuar. Të vjetrit thonë se “bujqësisë i duhen 13 muaj”. Ekonomia e fshatarit sot përfaqëson një fermë me një shumëllojshmëri aktivitetesh. Lëvizjet demografike brenda apo jashtë vendit kanë bërë që një numër i madh të rinjsh e të rejash të largohen nga fshati, ndonëse ata përbëjnë forcën kryesore të krahut të punës. Në qoftë se edhe ata pak të rinj që kanë mbetur në fshat, do të grumbulloheshin në konvikte, ky do të ishte një dobësim akoma më i madh i fuqisë punëtore të familjes së fshatarit, prandaj ai do të hezitonte që t’i dërgonte fëmijët në konvikt. Në këto kushte, mjaft të rinj e të reja, kundër dëshirës së tyre, mbesin vetëm me arsimin e detyruar. Kjo çon që nga këto zona numri i nxënësve që mbarojnë arsimin e mesëm, të jetë i vogël e aq më pak edhe numri i atyre që mbarojnë arsimin e lartë, prandaj është me vend ajo që kërkon Kryeministri Berisha, që në këto zona të zbatohet një diskriminim pozitiv.

Në radhë të parë, duhet menduar mbi bazën e studimeve të sakta për hapjen e disa shkollave të mesme në këto zona apo fshatra. Sigurisht që ligjshmëria financiare dhe aktet normative të shkollës kanë disa norma minimale për hapjen e një klase të shkollës së mesme. Kjo përbën një pikë ku duhet të zbatohet diskriminimi pozitiv për këto zona. Pra, të lejohet hapja e klasave me një numër më të vogël nxënësish se normat ekzistuese. Nuk është fjala që të hapën po aq shkolla të mesme sa kanë qenë dikur, por pikërisht këtu ka rëndësi studimi që të zgjidhen vendet më optimale si nga numri i popullsisë, ashtu edhe nga pozicioni gjeografik në mënyrë që të thithin edhe të rinj të fshatrave të afërt.

Është me vend të kujtojmë se vite më parë këto distanca i kanë bërë çdo ditë nxënësit e arsimit të detyruar. Aty ku është e mundshme të realizohet edhe transporti i nxënësve falas ose ndaj një pagese minimale. Sigurisht që këto shkolla mund të ishin shkolla të mesme të bashkuara. Në këtë rast baza materiale e shkollës 9-vjeçare do të shërbente deri në njëfarë shkalle edhe për arsimin e mesëm. Por, edhe në këtë pikë këto shkolla duhet të privilegjoheshin. Ato duhet të pajiseshin me laboratorë fizike, kimie, biologjie, të gjuhëve të huaja, biblioteka etj. Mund të tingëllojë e çuditshme, që për kaq pak nxënës të dërgohet një bazë e fuqishme materiale. Mirëpo, nëse pranojmë diskriminimin pozitiv të këtyre zonave, atëherë duhet ta realizojmë një gjë të tillë. Nëse duam të bëjmë një investim për këto zona, frutet e të cilit t’i marrim më vonë, atëherë nuk duhet të mungojë dëshira dhe iniciativa. Po t’u hyjmë llogarive burokratike, atëherë nuk ka përse të diskutojmë për ndihmën ndaj këtyre zonave.

Në kuadrin e bazës materiale mësimore janë edhe tekstet mësimore. Ato mund të shpërndahen falas ose me çmime më të lira. Edhe biznesmenë nga zona mund të sponsorizonin në këtë drejtim.

Me shumë rëndësi është problemi i kuadrit mësimor. Personeli i shkollës 9-vjeçare mund dhe duhet të aktivizohet edhe në të mesmen. Në fund të fundit, ata janë mësues që kanë mbaruar universitetet. Në rastin në fjalë, drejtoritë mësimore duhet të kenë prioritet që në këto shkolla të emërohen mësues me rezultate të larta nga universiteti, mësues të përkushtuar, me përvojë dhe që t’u nënshtrohen trajnimeve sistematike. Këto trajnime të përqendrohen sidomos në zbërthimin e programeve, në metodat e mësimdhënies dhe veçanërisht në aftësinë e mësuesve për punën dhe ushtrimet e problemat, gjë që për fat të keq përbën një dobësi të theksuar të universiteteve tona në fakultetet e mësuesisë.

Gjithashtu, një ose dy javë para fillimit të vitit shkollor, me këta nxënës që vijnë në klasën e parë të shkollës së mesme, mund të organizohen orë përsëritjeje për disa lëndë dhe tema të caktuara. Me maturantët e këtyre shkollave është mirë që të organizohen kurse falas për përgatitjen e tyre për provimet me zgjedhje. Do të ishte mirë që këta nxënës edhe në shkollën e lartë të ndihmohen me bursa apo gjysmë bursash, t’u krijohen disa lehtësira në pajisjen me tekstet mësimore, në taksat që paguajnë për konviktet në universitete, në regjistrimin në fakultete, si dhe në taksa të ndryshme që ata duhet të paguajnë.

Ky do të ishte një kontribut i madh për arsimin e këtyre të rinjve e të rejave. Ndoshta të gjitha këto mund të duken të tepërta, por nuk duhet harruar se po shkruajmë për diskriminimin pozitiv të shkollarëve të mesëm të zonave të varfra malore dhe ata që kanë punuar në zona të tilla, e njohin shumë mirë inteligjencën, mikpritjen, burrërinë dhe karakterin arsimdashës të banorëve të tyre.

Por ky diskriminim pozitiv i duhet shpërblyer deri diku shtetit ose më mirë të themi, taksapaguesve. Në qoftë se mbaron shkollën e lartë në moshën 22-vjeçare dhe punon deri në moshën 60 vjeç, pra për 43 vite, atëherë nuk do të ishte e tepërt që nga këto 43 vite punë, për një periudhë 3-4 vjeçare, këta të rinj e të reja të punojnë në vendlindjen e tyre ose në zona të tjera të varfra. Ky do të ishte një detyrim moral e, pse jo, edhe ligjor i këtyre, tashmë, universitarëve.

Ishin këto disa nga rrugët dhe masat e realizimit të këtij diskriminimi pozitiv për zonat malore e të varfra në fushën e arsimit. Do të ishte kjo një ndihmë konkrete për rritjen e numrit të njerëzve të shkolluar të këtyre zonave, për rritjen e shkallës së arsimit të tyre, si dhe për shtimin e njerëzve të ditur atje. Thënia e Napoleonit se “forca kryesore e një kombi është dija”, është me shumë vend dhe duhet të mbahet parasysh.

*Mësues i Merituar

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›