Disa fjalë për “Zegenin”

Prologu përshkruan protagonistin - si një njeri të varfër dhe pa para - që përfundon në brigjet e Hong Kongut, së bashku me një grup shokësh, pa shpresa të mëdha për ekzistencë. Iheji Muraoka fillon si një zanatli i zakonshëm,por, duke marrë parasysh temperamentin dhe forcën fizike të tij, Konsullata japoneze vendosë ta dërgoj në rajonin kinez Manchuria, për të spiunuar kundër forcave ruse. Besnikëria dhe respekti ndaj perandorit në mënyrë alogjike ndërlidhet me krijimin e një bordeli me vajza japoneze, të cilat, të shitura nga familjet e tyre, veprojnë në Singapor, në Kuala Lumpur… Iheji Muraoka shumë shpejtë shndërrohet në ‘makro’, dhe pasurohet gjithnjë e më tepër. Krijon një lidhje emotive me kurvën e vjetër, të quajtur Shiho. Bashkë me ‘haremin e tij’ nga Bangkoku zhvendoset në Malajzi, në shtëpinë grandioze prej 10,000 metrash katrorë.
Në vitin 1905, pas shumë vitesh konflikti, arrihet paqja mes të Japonisë dhe Rusisë. Kjo në formë indirekte përcillet edhe me dominimin amerikano-japonez në Malajzi dhe në ishujt përreth. Me vdekjen e perandorit japonez, i cili për Iheji ishte model i krenarisë kombëtare, çdo gjë fillon të degradohet dhe të humb qëllimin e projektuar. Në këtë kontekst, edhe tendenca për hara-kiri bëhet komike dhe groteske. Humbja e dominimit japonez ilustrohet me bojkotimin e produkteve të ndryshme japoneze, përfshirë edhe femrën japoneze. Tradhtia e Shiho me Wang, dhe burgosja pa ndonjë shkak e këtij të fundit nga policia malaziase - ndoshta vetëm për shkak që fliste japonisht – paraqet fundin e biznesit dhe forcës shumëvjeçare të Iheji. Lindja e shumë fëmijëve, dhe rritja e natalitetit, është kontributi i fundit idealist për perandorin dhe shtetin japonez - një qëllim i madh që, mbase, në mënyrë metaforike, pasqyrohet me invadimin e shumëpritur japonez dhe me bashkëngjitjen e tij ushtarëve, me një biçikletë të vjetër dhe me një shpatë samuraji, e cila të kujton shumë prologun e mbushur me borë.
Karakteret: Protagonisti Iheji imponohet si personazh me shumë kontradikta. Është kjo një figurë me shumë besnikëri, patriotizëm dhe krenari kombëtare, që nga ana tjetër portretizohet si lakmitar, manipulues, hipokrit, demagog, dhe profiter lufte. Tregtia dhe shitja e femrave - vetëm 17-vjeçare - në emër të patriotizmit dhe shtetit japonez është e gërditshme dhe cinike. Mirëpo, për dallim nga personazhet e Gosho Heinosuke, të cilat shpesh imponohen si të pakryera, këtu mund të flitet për shumë zëra brenda një personazhi, dhe për transformime të vazhdueshme që zbulojnë mistere të ndryshme. Pa dyshim, Iheji Muraoka është një personazh polifonik dhe dinamik, që zhvillohet deri në epilog. Kadenca e tij fillon prej momentit kur fillon të merret me tregti të femrave, dhe kur blen shtëpi 10,000 metra katrorë. Dekadenca fillon me refuzimin e Shiho për t’ia lindur trashëgimtarin, vazhdon me vdekjen e perandorit japonez dhe dëshirën për hara-kiri, dhe përfundon me braktisjen e Shihos. Prej këtij momenti çdo gjë është për keqardhje.
Edhe Shiho zhvillohet në dy dimensione konstante. Ajo imponohet si një femër e fortë, pa emocione dhe inteligjente, por edhe e thyeshme në çdo situatë. Martohet me Iheji për interesa materiale, dhe i ndihmon atij vazhdimisht në biznes me femra, duke luajtur rolin e menaxherit. Refuzon të lind fëmijën e Ihejit, me arsyetimin se është vetëm një kurvë e njollosur deri në fund. E tradhton Ihejin me Wang, vetëm për një leje pune, dhe e braktis Ihejin kur mbetet duarbosh, me arsyetimin se do të fillojë një biznes të ri.
Wang, ndërkaq, imponohet si njeri me autoritet në rajone të caktuara të Malajzisë. Luan rolin e ‘big bossit’, është i ‘ftohtë’, dhe i dënon të gjithë për mosnënshtrim. Imponohet si antagonist, edhe pse këto tipare s’mund të shihen në ekran në raport me Iheji. Propozon ta blejë Shihon për shumë para, sepse është i dashuruar në të.
Të gjitha personazhet tjera plotësuese/periferike, edhe pse të parëndësishme, bëhen të rëndësishme në skenat e caktuara, duke plotësuar kështu narracionin themelor.
Realizimi vizual: Mbështetet në plane të përgjithshme, ndërsa gro-planet përjashtohen vazhdimisht - pavarësisht funksionit të skenave. Mirëpo, po të merret parasysh se pjesa dërmuese e kuadrove është masive (bordeli), del se kjo gjë posedon një kapacitet informativ. Atmosfera në kuadro arrihet me ngjyrë portokalli, dhe ekziston një ndarje strikte në relacionin enterier-eksterier. Montazhi është linear, dhe mbështetet në kronologji, duke përjashtuar kontrastin audio-vizual.
Përndryshe, Shohei Imamura është regjisor i njohur japonez, i shpërblyer dy herë me Palmën e Artë në Festivalin e Cannes. Me projektin filmik “Zegen” u paraqit në konkurrencën zyrtare të vitit 1987.
Autori është regjisor dhe kritik arti. Shkrimi është realizuar në bashkëpunim me Chris Fujiwara, mentor në PriCriticFilm Festival.