Disa marrëveshje të arritura në Bruksel nuk po zbatohen

Gjysma e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e quajtura teknike me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian vazhdojnë të mos zbatohen, megjithë insistimin e Brukselit.
Autoritetet kosovare këmbëngulin se marrëveshjet nuk po respektohen nga Serbia, ndërkohë që në Bruksel thonë se edhe Prishtina ka disa detyra të papërmbushura.
Vetëm 359 kopje të librave amzë, nga gjithsejtë 12 mijë e 800, janë kthyer nga Serbia në Kosovë. Ndërsa deri më tani asnjëra prej këtyre kopjeve nuk i është kthyer komunave përkatëse. Megjithatë misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit dhe autoritetet kosovare po e quajnë këtë zbatim të marrëveshjes.
Komuna e Lipjanit ishte caktuar si destinacioni i parë i marrëveshjes për kthimin e kopjeve të librave amëz. Megjithatë Murat Haziraj, shefi inspektoratit civil në këtë komunë deklaroi se deri më tani asnjë kopje nuk është dërguar në Lipjan.“Neve nuk na kanë sjellë asgjë këtu”, ka thënë Haziraj.
Sipas marrëveshjes përgjegjës për certifikimin e kopjeve të librave amzë është EULEX-i. Zëdhënësi Blerim Krasniqi, ka thënë se ky mision deri më tani i ka dorëzuar rreth 400 kopje Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së Agjencisë së Regjistrimit Civil, Abedin Mehmeti ka thënë se së shpejti këto kopje do t’u dorëzohen komunave.“Besoj që brenda kësaj jave këto kopje do t’u dorëzohen komunave”, i ka thënë Mehmeti Radio Kosovës.
Në anën tjetër nga zyra e baroneshës, Cathrine Ashton është thënë se Kosova duhet të kryej obligimet e saj rreth marrëveshjes për regjistrat kadastral. Kjo marrëveshje parasheh që regjistrat kadastral t’i jepen për verifikim Agjencisë Kosovare të Pronës. Por, kjo e fundit në mungesë të legjitimitetit nuk ka bërë asgjë ligjërisht në mandatin e saj për trajtimin kësaj çështje.
Shefi i zyrës ligjore të kryeministrit, Besim Kajtazi ka thënë se ligji për Agjencinë e Pronës së shpejti do të shkoj në Kuvend.
Marrëveshja për kopjet e librave amzë e arritur në korrik të vitit 2011 në Bruksel së bashku me atë për regjistrat kadastralë, atë për tregti, si dhe ajo për lëvizjen e lirë vazhdojnë të presin presionin e Bashkimit Evropian për t’u realizuar. /Indeksonline/