Disa mendime mbi organizimin e arsimit të lartë
U bë mëse dy dekada që Shqipëria përjeton një periudhë tranzicioni të karakterizuar nga suksese dhe dështime, herë objektive e herë subjektive. Në tërësi, drejtimi i vendit gjatë këtyre viteve është bërë nga një brez politikanësh që u rrit në një sistem të mbyllur e pa shumë njohje të alternativave të tjera socio-ekonomike. E patjetër, skish si ndodhte ndryshe kjo ishte e pashmangshme. Por jo gjithmonë specialistët më të mirë u vunë në drejtim të sektorëve perkatës e kjo mund dhe duhej të shmangej. Për pasojë mungoi hera-herës strategjia e qartë e zhvillimit. Kjo mungesë është gjithmonë e dëmshme, por në disa fusha dëmet fillestare influencojnë shoqërinë për shumë kohë mbasi janë shkaktuar. Arsimi është fusha për të cilin ndoshta vlen më shumë karakterizimi i mësipërm, një fushë për të cilën me të drejtë ka pritshmëri për shumë më tepër sukses. Fjalët që shoqërojnë më shumë gjendjen aktuale të arsimit, sidomos të atij të lartë, janë mikromenaxhimi nga qeveria, cilësia e dobët dhe korrupsioni, atribute që kanë ndërvarësi reciproke.
Jam i bindur se është i nevojshëm një debat dhe vendim përfundimtar kombëtar për mënyrën e organizimit të arsimit të lartë dhe ky shkrim është pikërisht në këtë kontekst.
Pohoj me kënaqësi se përfundova studimet për matematikë në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe punova si pedagog i matematikës në të njëjtin fakultet për 4 vjet gjatë kohës së revolucionit demokratik. Në 20 vitet e fundit kam qenë në USA, dhe për rreth 10 vjet jam profesor i matematikës në Universitetin Amerikan në Washington DC. Për disa vite kam dhënë leksione pasuniversitare verore në Universitetin e Vlorës. Megjithëse i larguar me kohë, i ndjek me mjaft interes zhvillimet politiko-ekonomike në Shqipëri.
Nisur nga experienca personale si student dhe pedagog në sistemin e arsimit të lartë shqiptar dhe atë universitar dhe pasuniversitar amerikan, po paraqes disa mendime për një model organizimi që jam i bindur se do të kurojë disa nga problemet që paraqet arsimi i lartë shqiptar.
1. Roli i familjes dhe shoqërisë
E di e di, të gjithë e pranojmë këtë parimisht, por jo të gjithë e kuptojmë në thellësi dhe jo të gjithë e bëjmë sistematikisht.
Eshtë reduktim i madh të fokusohemi vetëm tek roli shkencor i shkollës. Megjithëse shumë i rëndësishëm, ky nuk është as i vetmi, madje mund të diskutohet edhe as më kryesori. Çështja duhet parë më gjerësisht, me vështrimin nga e ardhmja. Janë auditorët e shkollave ato ku studentët mësojne virtute që jo vetëm do ti ndihmojnë drejt suksesit në jetën universitare, por do të jenë gjithashtu thelbësore për shumë kohë pasi ata lënë bangat e shkollës në jetën e tyre familjare, shoqërore dhe profesionale. Disiplina, respekti ndaj punës, planifikimi, organizimi, durimi, të mbijetuarit në konditat e stresit, mënyra e të menduarit, argumentimi mbi bazën e fakteve, ngulmimi për të realizuar potencialin maksimal personal, marrëdhëniet në kolektiv, respekti ndaj kolegut bashkëstudent janë këto disa nga cilësitë që të gjithë ne, prindërit e tyre, mund të dëshmojmë se na duhen vazhdimisht. Eshtë pra formimi civil që merr formë në bangat e shkollës dhe përcakton, në një masë të madhe, suksesin e mëvonshëm të këtyre studentëve si krijesa njerëzore dhe shoqërore.
Për këtë arsye, është thellësisht e rëndësishme që familja të marrë një rol thelbësor dhe aktiv në jetën e fëmijëve të tyre studentë, shpeshherë ndoshta edhe duke luftuar rezistencën e tyre. Eshtë e kuptueshme që familjet kanë nivele të ndryshme sociale dhe kulturore por ajo që duhet të na bashkojë të gjithëve është interesimi i vazhdueshëm, kërkesa e llogarisë e këshillimi për problemet e ndryshme të jetës studentore, dhe insistimi se është puna e tyre që në masën kryesore do të përcaktojë rezultatet në studimet universitare. Duket e thjeshtë por është e rëndësishme: studentët bëhen të vetëdijshëm për rolin e arsimimit në jetën e tyre nga fryma dhe opinioni i shoqërisë dhe familjes për arsimin. Një interesim i madh familjar e shoqëror ka më shumë gjasa të transferohet në një seriozitet e përkushtim më të madh studentor.
2. Krijimi i një sistemi universitar që stimulon iniciativën, rrit cilësinë dhe vetëlufton korrupsionin
Eshtë detyra e parlamentit dhe qeverisë që të krijojë kushtet e përshtatshme që sistemi arsimor në tërësi dhe ai i lartë në veçanti të jenë në gjendje të përgatisin një kapacitet udhëheqës dhe prodhues të aftë për tju përgjigjur sfidave kapërcimi i të cilave mundëson progresin ekonomiko-social të së ardhmes. Arsimi është një nga çështjet më strategjike të një shoqërie. Ai kërkon profesionalizëm, vision afatgjatë dhe përkushtim kombëtar. Amatorizmi dhe ndërhyrjet e jashtme për perfitime momentale shkaktojnë çekuilibra afatgjatë. Mund të ndërtohen objekte pa leje apo rrugë pa cilësi: është me kosto por këto dëme edhe mund të riparohen relativisht shpejt. Gabimet në sistemin arsimor rezultojnë në dekada dhe breza të humbur.
Ka disa modele të ndërtimit të arsimit universitar. Përcaktimi i formës dhe strukturës së organizimit është çështje strategjike kombëtare dhe duhet të realizohet me një pakt afatgjatë ndërmjet politikës dhe edukatorëve pas një diskutimi të gjerë. Gjithsesi, ka rëndësi që pasi bihet dakord mbi mënyrën e organizimit, e gjithë shoqeria duhet të vozisë në unison e me vendosmëri sipas këtij plani duke i rezistuar presionit apo prirjes për ndërrim kursi në momentin e parë kur gjerat nuk shkojnë mirë.
Mendoj se parimi më natyral që çon në ndërtimin cilësor të sistemit të arsimit të lartë është konkurenca e lirë midis universiteteve që gëzojnë autonomi institucionale, konkurence e cila ka pasojë vertikalizimin cilësor të arsimit të lartë.
(a) Autonomia institucionale. Në kushtet e mungesës së besimit në pavarësinë e institucioneve nga politika, është imperative që të krijohet një amortizator midis qeverisë/politikës dhe institucioneve të arsimit të lartë. Praktika botërore dhe sidomos ajo amerikane janë ndeshur prej kohësh me këtë problem. Historia e zhvillimit të arsimit të lartë është përshkuar nga një tension me ulje-ngritje midis tij dhe politikës, me tentativa të herëpas-hershme të kësaj të fundit, sidomos në kohë krizash ekonomike, për të vendosur nën kontroll menaxhimin e universiteteve. Për të minimizuar ndërhyrjet e degëve të ndryshme të pushtetit në funksionet mësimore, shkencore apo financiare të universiteteve është arritur përgjithësisht në këtë qasje: sistemi universitar menaxhohet nga një Bord i Arsimit të Lartë që emërohet nga kryeministri, parlamenti
