Për ata që do të vijnë
Me ardhjen e vjeshtës, do të vijë kuvendi dhe qeveria e re, ministrat, deputetët, titullarët dhe kryetarët e rinj dhe bashkë me ta do të vijnë edhe njerëz të tjerë nga pas tyre.
Pa marrë përsipër të bëj këshilla për ata do të ulen në karriket e shtetit, do të përpiqem të trajtoj një çështje, të cilën e konsideroj shumë të rëndësishme, më tepër për shtetasit se sa për vetë shtetarët.
Nuk po e bëj këtë shkrim në mbështetje të ndonjë nisme për mbrojtjen e administratës ekzituese, por për të theksuar pasojat negative që mund të mbartin me vete njerëzit besnikë të bosit, si dhe për ti mëshuar idesë se kriteri kryesor për punësim është aftësia profesionale për punë.
Shkruar shkurt: Shtetarët e rinj është mirë të marrin pas vetes, sa më pak që të munden, familjarë, të afërm, miq dhe të njohur.
Një sjellje e tillë ka një varg të mirash.
Ata që vijnë nga pas titullarit, normalisht kërkojnë diçka, mirënjohje, detyrim familjar apo shoqëror, nder, shpërblim e të tjera si këto. Pra ata e fillojnë punën duke pritur diçka nga titullari.
Zakonisht, ata që vijnë nga pas titullarit, nuk mund të kenë si meritë kryesore aftësitë profesionale, por një marrëdhënie tjetër interesi. Pra ata potencialisht kanë mundësinë të kompesojnë mangësitë profesionale me njohjen ndaj bosit të tyre.
Njohja me bosin u jep në njëfarë mënyrë të drejtën të zgjedhin dhe e kaluara tregon se ata dinë mirë të zgjedhin dhe janë parapërgatitur etshëm për të zgjedhur. Vetëm mundësia që ata kanë për të zgjedhur përbën problem më vete.
Normalisht, ata nuk vijnë për ti shërbyer apo për të nderuar bosin e ri, por për interes të tyre dhe në këtë aspekt mund të dyzohen, në një pamje për shefin dhe në tjetrën për kolegët.
Informacioni, dijet dhe përvoja që ata kanë ndaj punës dhe profesionit përgjithësisht janë të kufizuara, pra atyre u duhet që në sy të shefit të kompesojnë këto mangësi me diçka tjetër, që rezulton të jetë shumë më negative se zero.
Marrëdhëniet që ata krijojnë me kolegët e tyre janë së paku të paragjykuara, ose për më tepër të tensionuara, si rezultat jo vetëm i mosnjohjes së fushës konkrete, por edhe si rezultat i bërjes së kompetentit dhe të pakorruptueshmit, duke gëzuar mbështetjen e shefit të madh.
Njerëzit e besuar të titullarit janë ata që rrijnë më shumë me të, nga mëngjesi e deri në darkë, dhe për fat të keq, informacioni që ata i japin titullarit së paku është larg nga informacioni që i nevojitet punës.
Përvojat negative kanë treguar se ata shpesh flasin në emër të shefit, edhe pa dijeninë e tij, duke abuzuar dhe përfituar kështu deri në limitet e kurajos, paradoskit dhe absurdit.
Jetojmë në një vend të vogël në të cilin ka presione nga më të ndryshmet, nga rrethi familjar, shoqëror, mirënjohja, apo kthimi i nderit. Gjithashtu jetojmë në një vend ku ekziston mendimi se është mirë që rreth vetes të kesh nga ata rëndom quhen besnikë.
Megjithë respektin ndaj konceptit tradicional besnik, mendoj se është një koncept arkaik që i përket së shkuarës së largët. Normalisht njeriu ska pse të jetë besnik ndaj dikujt, kur thjesht mund të jetë korrekt me veten dhe të tjerët. Njehsimi i këtyre dy koncepteve është si të njehsosh Kanunin me Kushtetutën.
Edhe nëse pranohet besnikëria si vlerë, nga përvoja mund të thuhet se shumërrallë ajo ka qenë një vlerë e pranishme. Në këto të rralla raste mund të ketë ndodhur në marrëdhënie me njerëz që janë njohur gjatë marrëdhënieve të punës dhe jo me ata që janë marrë me vete nga bosi.
Padituria profesionale dhe mbështetja që gëzojnë nga titullari i bën këta njerëz sa qesharakë, aq edhe arogantë. Kush ka shërbyer në administratën publike mund të rendisë raste të shumtë, komikë dhe tragjikë, në lidhje me sjelljet dhe pasojat e shkaktuara nga njerëzit e përkëdhelur të titullarëve.
E nëse sjelljet komike dëmtojnë imazhin e institucionit dhe të vetë komikëve, sjelljet arrogante dëmtojnë gjithë personelin e administratës. Sjelljet arrogante të tyre normalisht riten në progresion gjeometrik me humorin e bosit dhe me padijen e tyre profesionale.
Tashmë nuk ka pse ti ofrohet punë dikujt, me mendimin se është i shkathët dhe duke e ndihmuar do tja marrë dorën punës. Parrullës revolucionare Të mësojmë në punë e sipër, i ka kaluar koha qysh nga Lufta Çlirimtare.
Gjithashtu mirë do të jetë, që të bëhet kujdes edhe ndaj njerëzve, që profesionalisht mund ta meritojnë vendin e punës, si sekretare, shoferë, bodiguardë, roje etj. Janë pikërisht këta njerëz që rrijnë më afër bosit, nga mëngjesi deri në darkë dhe mbase nga darka e deri në mëngjes. Këta njerëz kanë pushtetin e informacionit dhe mund të abuzojnë me të.
Së paku, do jetë mirë që njerëzve që mund të merren me vete, tu bëhet e qartë se duhet të jenë të kanaqur vetëm me rrogën e shtetit dhe të mos lakmojnë më tepër. Kjo, në rradhë të parë është e ndërvarur me lakminë e vetë titullarit. Mirë është që ashtu si dita e parë e punës, që fillon zero-zero nga përfitimet e pamerituara, ashtu të jetë edhe dita e fundit e saj. Nëse nuk lakmon titullari te pjesa e pamerituar, nuk ka se si të abuzojnë vartësit e tij. Nëse luani merr një copë të madhe, ahere patjetër edhe çakejtë do të bëjnë kërdinë, sepse janë ata që i sjellin gjahun te goja luanit dhe kështu u takon pjesë.
Mendoj se do të jetë shumë më mirë që dikush të cilësohet për një moment si mosmirënjohës dhe si njeri që nuk ua var miqve, se sa ta mbajnë varur ata gjatë gjithë kohës që do të jetë në karrigen e shtetit, ose për më keq, gjatë gjithë jetës.
Ani, duke lëmë mënjanë thënien e Shekspirit Çdo fillim i nisur keq, përfundon edhe më keq, në këtë rast do të shkonte më tepër verbi i popullit Fillimi i mirë – gjysma e punës.
