E Diel, 1 Nëntor 2026

Disa nga lajmet me te cuditshme te vitit 2008

Letra pwr Babagjyshin

"arreston" një pedofil

Një burrë 50 vjeç u padit në Teksas të SHBA-së për dhunë seksuale të përsëritur ndaj një vogëlusheje që e kishte denoncuar në një letër drejtuar Babagjyshit të Vitit të Ri, njofton shtypi lokal. Andres Enrique Cantu, i arrestuar nga policia në McAllen, doli para një gjykate të Teksasit për agresion seksual ndaj dy vogëlusheve, anëtare të familjes së tij, dy motra që aktualisht janë 9 dhe 10 vjeç, sipas të përditshmes lokale "Monitor MCallen". Andres Cantu, që ka punuar për disa vite në sektorin shkollor, i ka përdhunuar dy vajzat, njërën për katër vjet që nga gushti 2004 deri në shkurt 2008 dhe tjetrën gjatë gjithë vitit të shkuar. Vajza më e re i shkroi Babagjyshit të Vitit të Ri gjatë një projekti shkollor, ku i kërkonte që ky burrë të mos e prekte më atë dhe motrën e saj dhjetë vjeç. Ai tashmë rrezikon për këto fakte të paktën 50 vjet burg.

Një çift francez, jetë

në dy dhoma me 67 qenushë

Një çifti shtatëdhjetëvjeçarësh nga Castelmoron mbi-Lot, në jugperëndim të Francës iu morën 58 nga 67 qentë që bashkëjetonin me ta në një hyrje me dy dhoma, njoftojnë sot burime pranë shërbimeve veterinare. Qentë, për të cilët nuk u dha hollësi lidhur me racën, iu besuan shoqërisë për mbrojtjen e kafshëve, SPA. Shërbimet veterinare, të mbështetura nga xhandarmëria, ndërhynë në bazë të një rregulloreje që tregon se mund të quhet "keqtrajtim fakti që nuk merresh sa duhet me kafshët ose që nuk i mban në një ambjent të përshtatshëm". Megjithatë, personat e moshuar, të cilët mundën të mbajnë nëntë qenë sipas ligjit, i ushqenin siç duhet kafshët që u bënin shoqëri. Një procesverbal iu dërgua prokurorit të republikës dhe ky i fundit pritet të vendosë për ndjekje të mundshme penale.

Supervjedhje bizhuterish

kap vlerën e 80 milionë USD

Vlera e bizhuterive të vjedhura në argjendarinë ‘‘Harry Winston‘‘, që gjendet në shëtitoren e njohur "Montaigne" në Paris, ka arritur vlerën 80 milionë dollarë, u deklarua nga një burim. Nga një vlerësim paraprak pas vjedhjes së bizhuterive doli që shuma e tyre ishte rreth 60 deri në 80 milionë dollarë ose 47-62 milionë euro, sipas këtij burimi. Argjendaria është sulmuar nga tre persona të armatosur që mundën të marrin pothuajse të gjithë bizhuteritë që gjendeshin në dyqan.

400 euro gjobë, sepse ka

fyer ministrin e Jashtëm

Drejtësia franceze gjobiti një person me 400 euro pasi fyeu kreun e diplomacisë franceze, Bernard Kushner. Ai ishte dëgjuar nga disa policë gjatë pushimit të një mbledhjeje të ministrave të Jashtëm të Evropës. Policët kishin kërkuar 600 euro gjobë për burrin 46-vjeçar që kishte kaluar 10 orë i ndaluar para se të thirrej në gjyq më 6 shtator. Burri që kërkoi falje gjatë seancës së zhvilluar në gjykatën e Avinjonit, ka shpjeguar që nuk e ka duruar kurrë faktin që Bernard Kushner, një socioalist, ndëroi petkun dhe u ribashkua me kampin e presidentit Nicolas Sarkozi në kuadrin e politikës "së hapjes" e hedhur nga presidenti i djathtë në 2007-n.

Rusët po pijnë më pak...

votka për shkak të krizës

Kriza financiare botërore ka ndikuar aq shumë në treg saqë rusët po minimizojnë edhe konsumin e vodkës. "Sasitë e magazinuara të pijes kombëtare ruse ishin gjashtë herë më të mëdha në fillim të këtij muaji sesa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sepse fabrikat po prodhojnë më shumë vodka nga kërkesa", deklaroi një grup lobingu i industrisë së alkoolit. "Njerëzve u duhet të mos i shpenzojnë paratë, ndaj po ulin edhe shpenzimet për pijet alkolike dhe e gjithë kjo lidhet me efektet që ka kriza ekonomike mbi të ardhurat aktuale të popullsisë", deklaroi Pavel Shapkin, presidenti Shoqatës Kombëtare të Alkoolit (NAA). Studimet e kryera nga NAA tregonin se vdekjet si pasojë e helmimit nga alkooli u shtuan gjatë muajit shtator deri në 1 458, sepse një pjesë e rusëve mundoheshin të zëvendësonin vodkën me disa pije të tjera të rrezikshme, por më të lira. Rusët konsumojnë me anë të pijeve më tepër se 15 litra alkool të pastër për person çdo vit

Kur sekretarja amerikane

e Shtetit bën ...pazar

Sekretarja e Departamentit amerikan të Shtetit, Kondolesa Rajs u argëtua në qytetin australian të minierave, Perth, duke pirë kafe së bashku me ministrin e Jashtëm dhe duke biseduar me disa adoleshente për pazaret. Rajs u tregoi një grupi adoleshentesh se hobi i saj, pas pune, ishin blerjet, gjithashtu një aktivitet shumë i preferuar për femrat e Perthit, të cilat kohët e fundit asistuan në hapjen e dyqanit të njërës prej firmave prestigjoze të bizhuterive "Tiffany", në qytetin e vogël dhe të izoluar të Oqeanit Indian, që tashmë po përjeton një "boom" ekonomik, falë industrisë australiane të minierave. Aktualisht, ekonomia në rritje e Perthit ka tërhequr një numër të madh markash të njohura, përfshirë "Gucci", "Louis Vuitton" dhe "Bally". Gjatë vizitës në Perth me ftesë të ministrit të Jashtëm australian, Stefen Smith, Rice u takua me prindërit e tij në lokalin e Cinos, për habinë e vendasve dhe nën mbikëqyrjen e shumë agjentëve të sigurisë diplomatike.

Kameron kërkon rikthimin

e biçikletës së grabitur

Lideri i konservatorëve britanikë, David Kameron apeloi për rikthimin e biçikletës së tij, pas grabitjes jashtë një supermarketi në perëndim të Londrës. Kameron, i cili rregullisht shkon me biçikletë në Dhomën e Komuneve, ndodhej në supermarketin "Tesco", në rrugën Portobello, kur i vodhën biçikletën. "Nëse dikush e ka parë biçikletën time, unë do të doja ta kisha përsëri atë", deklaroi Cameron. Ai shtoi se kishte njoftuar edhe Scotland Yard-in. Në Londër vidhen çdo vit rreth 19 mijë biçikleta.

Moska, një herë e gjysmë

më e shtrenjtë se Nju Jorku

Moska është qyteti më i shtrenjtë për emigrantët dhe është 1,5 herë më i shtrenjtë se Nju Jorku, Shangai, Madridi dhe Amsterdami, thuhej në një raport për kostot e jetesës. Tokioja u rendit një vend para Londrës, në vendin e dytë në renditjen botërore, ndërsa Osloja, e fuqizuar nga të ardhurat e naftës norvegjeze, u rendit e katërta duke u ngritur gjashtë pozicione. Asunsion u rendit si kryeqyteti më pak i shternjtë në botë për gjashtë vjet me radhë, sipas jnë studimi vjetor të kryer nga zyra e burimeve njerëzore "Mercer", që krahasoi kostot e më tepër se 200 artikujve në 143 qytete. Moska rezultoi me një indeks të kostos së jetesës prej 142,4 pikësh krahasuar me qytetin më të shtrenjtë amerikan, Nju Jorkun, i cili humbi shtatë pozicione dhe u rendit në vendin e 22-të me 100 pikë.

Athinë, policia prangos një

person me kokainë në... stomak

Policia greke në aeroportin e Athinës ka arrestuar një shtetas të huaj, në stomakun e të cilit janë zbuluar 718 gramë kokainë, njoftoi gazeta "Kathimerini". Policia shtoi se 34-vjeçari, i dyshuar si kontrabandist narkotikësh, ka mbërritur në Athinë nga Bregu i Fildishtë nëpërmjet Brukselit. Sipas policisë, droga ishte e destinuar për tregun grek të narkotikëve. Pas arrestimit, nga stomaku i kontrabandistit janë nxjerrë 54 qese me kokainë.

Kushner shpreh keqardhje për

ekzekutimin në vitin ...1793

Shefi i diplomacisë franceze, Bernard Kushner shprehu keqardhjen e tij në Vjenë pranë homologes austriake, Ursula Plassnik për "ekzekutimin e një austriakeje", mbretëreshës Marie-Antoinette, para 215 vjetësh në Paris. Në hapje të konferencës së përbashkët të shtypit, Plassnik falenderoi ministrin francez, vendi i të cilit mban presidencën e radhës së BE-së, për lançimin e Unionit të Mesdheut të dielën e kaluar në Paris. Dhe duke buzëqeshur shtoi: "...edhe pse para 215 vjetësh një austriake është ekzekutuar në Paris". "Sigurisht, sot marrëdhëniet janë shumë më të mira", nxitoi të shtonte ajo. "Shpreh keqardhjen për austriaken", u përgjigj Kushner, duke nënvizuar se "megjithatë është një mëri e vjetër që në atë kohë quhej revolucion francez". Pas ekzekutimit në gijotinë, më 16 tetor 1793, të Marie-Antoinette-s, bashkëshortja e mbretit të Francës Luigji XVI dhe bijë e perandorit François I i Lorenës dhe perandoreshës Marie-Therese të Austrisë, "gjithsesi Evropa u frymëzua jo pak nga po ky revolucion francez", vijoi ministri.

Kujdes! Celularët

edhe mund t‘ju tradhtojnë

Kujdes! Mos harroni kurrë celularin tuaj në shtëpi apo në zyrë. Jo sepse do merrni një thirrje të rëndësishme apo një lajmërim për jetë a vdekje…,është shumë më keq se kaq: partneri ose partnerja juaj mund të provojë më në fund se ju nuk i keni qëndruar besnik/e. Një studim i realizuar në Itali tregon se 9 në 10 raste tradhtie janë zbuluar nga telefoni celular. Dhe po të kemi parasysh celularomaninë , mund të themi se kemi përpara një seri prishjesh të marrëdhënieve sentimentale apo divorcesh për aq më shumë kur statistikat tregojnë se gjysma e popullsisë në botë do të ketë një celular deri në fund të vitit 2007. Studimi është realizuar nga ‘Tomponzi Investigation‘, një firmë detektive italiane e specializuar në zbulimin e tradhtive, e cila ofronte me këtë rast në formë altruiste edhe disa rregulla të arta. Njëra prej tyre është që të fshihni menjëherë të gjitha mesazhet dyshues sikundër edhe thirrjet e marra. Ose të ridërgoni mesazhin e marrë pa krijuar mesazh të ri. Më origjinalja është të fshihni bisedën, duke bërë sikur flisni për ndonjë bisedë pune atëherë kur i dashuri apo e dashura ju telefonojnë teksa jeni të shoqëruar nga bashkëshorti ose bashkëshortja.

Shtatzania, duhanpirëset

kërkojnë dyfishin e kohës

Duhanpirëset kërkojnë dyfishin e kohës së grave që nuk konsumojnë duhan, për të mbetur shtatzënë, sipas një studimi të Institutit Kombëtar të Shëndetit dhe Kërkimit Mjekësor në Francë (Inserm).

"Rezultatet e para të studimit konfirmojnë efektin negativ të duhanit mbi fertilitetin, efekt ky që është pohuar edhe nga ekipe të tjera evropiane" , cilësohet në studim. Projekti pilot konsistoi në studimin e 1200 grave nga 18 - 44 vjeç dhe të partnerëve të tyre. Konkluzioni: "gjysma e femrave duhanpirëse donin dyfishin e kohës për të mbetur shtatzënë, në krahasim me ato që nuk pinin". Por këto efekte negative të duhanit nuk ndikojnë vetëm tek gratë, por edhe tek burrat. Mjekët nënvizojnë që të paktën duhanpirësit, duhet të mënjanojnë duhanin gjatë kohës që duan të bëjnë një fëmijë.

Nervoze? Po. Por kafeina

mbron kujtesën tek gratë...!

Nervoze, por me një kujtesë për t‘u patur zili…! Gratë mbas moshës 65 vjeç që pijnë tre deri në katër kafe apo çaj në ditë kanë një kujtesë më të mirë se gratë që nuk përdorin kafeinë , siç nxjerr në pah një studim i botuar së fundmi nga revista "Neurology". Përgjatë katër viteve një grup studiuesish francezë ka studiuar konsumin e kafeinës në 7.017 persona (4.197 gra dhe 2.820 burra) duke arritur në konkluzionin se sa më shumë kafeinë të marrin në ditë gratë mbas moshës 65 vjeç aq më të mirë do ta kenë kujtesën, një efekt që gjithsesi është vënë re edhe tek disa nga meshkujt. Por, në studim cilësohet se me kalimin e moshës organizmi duket se ka më shumë nevojë për kafeinë; kështu tek gratë që kalojnë 65 vjeç kafeja apo çaji e ul në 30% përqind humbjen e kujtesës. Por jo vetëm kaq , studiuesit tregojnë se kafeina parandalon edhe demencën.

Kriza, pagjumësi te agjentët

tregtarë dhe ... taksistët

Agjentët e shitjeve të pronave të patundshme janë në majën e klasifikimit për llojet e punëve që kanë më pak kohë në dispozicion për të fjetur, pjesërisht falë shqetësimeve si pasojë e krizës ekonomike dhe të tregut gjithmonë të paqëndrueshëm. Ky është rezultati i një studimi të zhvilluar nga rrjeti i hoteleve "Travelodge", pjesë e të cilit u bënë 4 000 punonjës britanikë, sipas të cilit agjentët e shitjeve të pronave të patundshme flenë vetëm pesë orë e 50 minuta në natë. Shoferët dhe taksistët, të vënë nën presion nga rritja e çmimit të naftës, flenë vetëm gjashtë orë e 16 minuta në natë, pas tyre renditen bankierët me gjashtë orë e 23 minuta. Të intervistuarit u pyetën sa orë flinin në natë dhe arsyeja pse ndodhte kjo. Më shumë se një e treta e të pyeturve dha si arsye për pagjumësinë, stresin e shkaktuar nga frika e papunësisë si pasojë e krizës financiare.

Izrael, në Jug ndalohet të

shtrihesh me një ...bediun

Është e ndaluar të shtrihesh me një beduin, kjo është përmbajtja e një programi që u është shpërndarë nxënësve të kolegjit "Kyriat Gat", në një lokalitet në jug të Izraelit. "Bëj një krahasim me daljet në det. Kur shohim flamur të zi ndalohet të dalësh. Është e njëjta gjë me beduinët, ata janë të rrezikshëm", tha për gazetarët Chaim Shalom, punonjës social, përgjegjës për këtë program. "Ata u bëjnë shumë dhurata vajzave, bizhu, rroba, celularë, por gjitha këto nuk janë falas", theksoi ai. Si material pedagogjik ai ka përdorur një video prej 10 minutash të titulluar "Të shtrihesh me armikun". "Ky është një program sensibilizimi dhe jo një program racist", shpjegoi Shalom. "Nëse vajzat që shoqërohen me beduinë martohen me ta, nuk kam asgjë për të thënë, por kur ato mbeten shtatzëna, beduinët i braktisin, ndërkohë që janë regjistruar dhjetëra raste përdhunimesh. Dy vajza janë vrarë dhe janë djegur", shtoi ai. Në Izrael jetojnë më shumë se 185 000 beduinë, shumica në shkretëtirën Neguev në jug të vendit, sipas shifrave zyrtare. Beduinët që përbëjnë 12 për qind të popullsisë arabe në Izrael kanë kombësi izraelite dhe shërbejnë në ushtri.

Martesat, së shpejti do

organizohen edhe në... Hënë

Çiftet me fat së shpejti do të mund të realizojnë në plot kuptimin e fjalës hapin e madh drejt të panjohurës: Ky është premtimi i një kompanie japoneze që parashikon të organizojë martesa në hapësirë. Firma japoneze "First Advantage" hapi sot rezervimet për çiftet e reja, të gatshme të shpenzojnë deri në 240 milionë jenë (1,45 milionë euro) për të zenë vend në bordin e një anijeje të vogël kozmike që do të lëshohet deri në një lartësi prej 100 kilometrash. Gjatë këtij udhëtimi prej një ore, çifti do të kalojë disa minuta në kushtet e humbjes së peshës. Edhe tre të ftuar të tjerë mund të hypin në anije për të marrë pjesë në ceremoninë e dasmës. Formalitetet e ceremonisë së martesës do të zhvillohen përpara ngritjes së anijes kozmike, me qëllim që çiftet pasi të kenë thënë "po" të mund ta kalojnë pjesën më të madhe të udhëtimit duke soditur konturet e tokës.

"First Advantage" do t‘i administrojë këto udhëtime me ndërmarrjen amerikane "Rocket Plane", që do t‘i ngrejë anijet nga një aeroport privat në Oklahoma (qendër e SHBA-së).

17 murgeasha "të zhurmshme"

shoqërohen në komisariat

Shtatëmbëdhjetë murgesha "që po manifestonin zhurmshëm" u shoqëruan në komisariatin e policisë së Iasit (verilindje e Rumanisë) dhe rrezikojnë të marrin gjobë për "prishje të rendit publik", njoftoi policia lokale. Fetaret që po drejtoheshin për nga katedralja metropolitane për të marrë pjesë në marrjen e detyrës nga metropoliti i ri i Moldavisë, Teofan, u grindën me anëtarët e forcave të rendit dhe i quajtën policët "bij të Judës", saktësoi policia. "Ato u shoqëruan në komisariatin e policisë për t‘u identifikuar dhe pyetur lidhur me këtë incident", sipas të njëjtit burim.

Britanikët nuk kanë kohë

as të qërojnë... portokallet

Kohët e fundit britanikët janë shumë të zënë për të ngrënë portokalle në pushimin e drekës, ndaj po u drejtohen frutave që qërohen më lehtë siç janë mandarinat, doli nga një sondazh. Për tre vjet me radhë, konsumi i frutit të portokallit ka pësuar rënie. Konsumi i këtij fruti pësoi një rënie prej dy për qind nga sasia prej 600 milionë kokrrash që u konsumuan vitin e kaluar, njoftoi instituti i kërkimeve në treg, TNS. Megjithëse të pëlqyera ende nga mosha mbi 45 vjeç, që është e ndërgjegjshme për vetitë kurative të portokallit, ky frut po zëvedësohet nga mandarinat që janë më të vogla dhe më të përdorshme nga të rinjtë.

Një spanjolle zbulon se ka

motër binjake 28 vjet më vonë

Pasi zbuloi rastësisht se kishte një motër binjake, një spanjolle vendosi të padisë Ishujt Kanarie për shkëmbimin e bebeve që ka ndodhur 28 vjet më parë. Gruaja zbuloi se kishte një motër binjake dhe se i ishte dhënë nënës së gabuar, pasi e kishin ngatërruar me një vajzë tjetër në një dyqan në vitin 2001, njoftoi media spanjolle. Për shkak të gabimit që ndodhi në klinikë, motra ishte rritur me nënën natyrale, por me binjaken e gabuar. Dy motrat, emrat e të cilave nuk u përmendën, zbuluan se kishin lindur në të njëjtin spital në vitin 1973 dhe një test i ADN-së konfirmoi më pas se ishin binjake. "Në vitin 1973 kishte vetëm dy asistente dhe një përgjegjëse për repartin me 60 foshnje të sapolindura", deklaroi Densi Calero, që punonte në atë repart të klinikës, në një radio lokale. "Nuk është e pamundur të imagjinosh që mund të ketë ndodhur diçka e tillë", shtoi ajo. Gruaja vendosi të padisë shërbimet sanitare të Ishujve Kanarie më 3 milionë euro kompensim për traumë emotive, shkruan gazeta "El Pais". "Do të doja të mos e kisha zbuluar kurrë", kishte thënë gruaja, sipas avokatit të saj. Motra u rrit me një vajzë tjetër, duke besuar se ishte binjakja e saj.

Një papagall i humbur gjen

të zotin, dha emrin dhe adresën

Një papagall që kishte humbur në periferi të Tokios mundi të kthehej tek i zoti, pasi shqiptoi emrin dhe adresën e tij, njoftoi sot policia lokale. Shpendi, një papagall gri i Gabonit, ishte kapur në fillim të majit nga policia në një kopsht të prefekturës së Chibas, në lindje të kryeqytetit dhe i ishte dorëzuar një klinike veterinare. Sipas një zëdhënësi të policisë, papagalli ishte mjaftuar fillimisht të këndonte pa pushim këngë popullore për fëmijë. "Pas dhjetë ditësh, filloi të përsëriste pa pushim një emër dhe një adresë", tregoi zëdhënësi i policisë së Chibas. Policët ndoqën udhëzimet e papagallit, që mundi të gjente kështu të zotin. "Jam shumë i kënaqur që i mësova të thotë emrin dhe adresën time", shprehu kënaqësinë ky i fundit, cituar nga e përditshmja "Yomiuri Shimbun". Papagalli gri i Gabonit konsiderohet si një nga zogjtë më inteligjentë të botës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›